Libra

Sfida e letërsisë për fëmijë sot, si të përshtatet me brezin aktual

Nga Luljeta Nelallari - “Vetë jeta është përralla më e mrekullueshme”, do të shprehej shkrimtari i famshëm danez për fëmijë, Hans Christian Andersen. Dhe pikërisht 2 prilli, ditëlindja e këtij shkrimtari të madh është shpallur si Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë.

Dita e Librit për Fëmijë është një festë që organizohet çdo vit më 2 prill dhe ka për qëllim zhvillimin e aktiviteteve që kanë lidhje me lexuesit e moshave të vogla. Në vendin tonë në kuadër të kësaj dite, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit dhe Muzeu Historik Kombëtar organizuan forumin “Letërsia për fëmijë, sfidat e leximit”.

Letërsia për fëmijë në vendin tonë ka qenë prezente që nga fundi i shekullit XIX-të dhe fillimi i shekullit XX-të, ku edhe u botuan shumë libra për fëmijë.

Por, çfarë zhvillimi ka pasur letërsia për fëmijë në Shqipëri? Si ka qenë letërsia për fëmijë para viteve ‘90 e çfarë po ndodh me të sot?

Sot në ditën e librit për fëmijë, shkrimtarja e njohur për fëmijë, Adelina Mamaqi, e cila ka botuar që në vitin ’63 librin “Bubi i vogël”, shprehet për Gazetën “Si”, se letërsia e asaj kohe ka qenë e pasur me libra.

Shkrimtarja e njohur për fëmijë, Adelina Mamaqi

“Nga viti ’63 që unë kam botuar librin tim të parë ’Bubi i vogël’, deri në vitin 1992 kur unë emigrova ka qenë një letërsi e pasur në libra, jo vetëm në anën edukative, por ka qenë një letërsi, e cila ushqente për fëmijët ndjenja të tjera, dashurinë për familjen, shoqërinë. Tek shkrimtari për fëmijë gjithmonë është një fëmijë që e shikon botën me sytë e një fëmije dhe shkrimtari për fëmijë duhet që të evoluojë me brezat. Unë i ndjek fëmijët, ndjek evoluimin e tyre shpirtëror dhe intelektual”, shprehet Mamaqi.

Ndërsa, shkrimtari për fëmijë, Pandeli Koçi thotë për Gazetën “Si” se letërsia shqipe e para viteve ‘90 ka qenë e kufizuar për shkak të regjimit.

“Letërsia shqipe për fëmijë para viteve ‘90 duhet të përshtatej me rregullat e realizmit socialist, pra deri diku ishte e kufizuar, por ka pasur letërsi të mirë”, shprehet ai, ndërsa vë theksin se sot “duhet të bëhet më shumë kritikë në këtë fushë në mënyrë që të evidentohen shkrimtarët e rinj dhe të ketë prurje cilësore”.

Ndër të tjera, shkrimtarja Mamaqi i thotë Gazetës “Si” se atëherë ka qenë më e madhe edhe lexueshmëria.

“Para viteve ‘90 lexohej shumë më tepër se sot, sepse atëherë fëmijët kishin mungesa të kompjuterit, tabletit. Në atë kohë ka qenë një organizim shumë i mirë midis Lidhjes së Shkrimtarëve, Ministrisë së Kulturës që shkonte shkrimtari te lexuesi. Ai lexues që njeh shkrimtarin ka një afërsi tjetër, por dhe për shkrimtarin është ndihmë sepse ti shikon dhe interesat e fëmijëve, njihesh çfarë kërkojnë. Unë kam pasur libra që janë botuar me 15 mijë kopje, më gjej një libër tani që është botuar me 15 000 kopje”, rrëfen ajo.

Por, Mamaqi është shpresëplotë edhe sot, pasi sipas saj edhe po bëhen përpjekje për të rikthyer në vëmendje letërsinë për fëmijë nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit.

“Dua të vlerësoj nismat që merr Qendra e Librit janë jashtëzakonisht të mira, që po ndihet se ekziston kjo letërsia për fëmijë, por rikthehet në vëmendje”, shprehet Mamaqi.  

Shkrimtarja Mamaqi ende është aktive, pasi vazhdon të botojë libra për fëmijë dhe thotë se po përshtatet edhe me atë se çfarë duan fëmijët sot.

“Kam dhe një novelë të pabotuar, “Kapelëkuqja në diell”. Kam sjellë kësulëkuqen në ditët tona. Ngjarjet zhvillohen në Tiranë dhe në Parkun e Liqenit, e kam shkruar qëllimisht për të sjellë ambientin e ditëve tona. Ndërsa, ‘Ada duargjata’, është një tjetër libër që nuk e kam botuar akoma. Ada është një vajzë që jeton në këtë ambient, është një vajzë e vogël e ditëve tona me gjithë, me teknologjinë e ditëve tona”, përfundon Mamaqi.  

Ndërkohë, shkrimtarja e re për fëmijë, Rovena Rrozhani, e cila është vlerësuar edhe me çmime, shprehet për Gazetën “Si” se e sheh letërsinë e sotme për fëmijë në dëshirë për të sjellë gjëra të reja. 

Shkrimtarja e re për fëmijë, Rovena Rrozhani

“Në historinë botërore të letërsisë njihen rryma të ndryshme të zhvillimit të saj. Në Shqipëri, për fat të keq, flasim për letërsi para viteve ‘90 dhe pas ’90-ës. Nga njëra anë tranzicioni solli kaos në vlerësimin e asaj që ishte shkruar, por nga ana tjetër hapja ndaj botës lejoi zgjerimin e tematikës së botimeve të reja. Në mes këtyre dy kohëve, letërsia shqipe ia ka dalë të ketë shkrimtarë që janë aktivë dhe dhurojnë libra shumë të mirë për lexuesit”, shprehet ajo, duke veçuar “Adelina Mamaqin që është ndër të paktat shkrimtare me një krijimtari të pasur, dhe shumë tituj dorëshkrimesh që presin dritën e botimit”.

Por a mbështetet ajo te autorët e para 90-s të letërsisë për fëmijë? “Mbështetem dhe jo sepse duhet, por sepse unë kam qenë lexuese e tyre, unë jam rritur me këta autorë dhe nga lexuese dikur, sot jam shkrimtare, pasi zbulova pasionin tim”, thotë ndër të tjera Rrozhani. 

Ajo thotë se letërsia e para viteve ’90 ka lënë pas shumë tituj që përcjellin vlera të padiskutueshme, por mbi të gjitha tregojnë kohën kur u shkrua. Sipas saj, sfida për të mbetur në mendjen e lexuesit është më e vështirë kur bëhet fjalë për letërsinë për fëmijë.

“Lexuesi-fëmijë, ndryshon nga një dekadë në tjetrën, kushtëzuar kjo edhe nga zhvillimi i shoqërisë. Ndaj gjithmonë e më shumë sfida e shkrimtarëve që shkruajnë për fëmijë, është të arrijnë në hyjnë më mendjen e tyre, t’i bëjnë për vete, t’u përcjellin mesazhet e duhura, t’u dhurosh aq shumë kënaqësi, argëtim dhe emocione sa të kenë dëshirë të lexojnë çdo ditë një libër të ri”, shprehet Rrozhani.

Në fund, shkrimtarja apelon që fëmijët duhet të lexojnë sa më shumë.

“Lexuesit mund të pëlqejnë një libër më së shumti, por ata duhet të jenë mendjehapur dhe të lexojnë sa më shumë libra, sepse kultivojnë dhe shijet e tyre. Në rastin e fëmijëve, për të krijuar një bibliotekë sa më të mirë duhet të kontribuojnë prindërit. Ata ndikojnë te edukimi i fëmijëve me dashurinë për leximin dhe librin”, përfundon ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë