Para

Sezoni veror, tatim-fitimi ‘mbushi’ arkën e shtetit, por suficiti u rrit me 90%

Nga Gazeta ‘SI’- 6 mujori i parë 2023 ka rezultuar mjaft pozitiv për arkën e shtetit, me të ardhura totale 319.9 mld lekë, me një rritje pothuajse 15% nga një vit më parë. Vetëm muaji qershor ka mbledhur 62 mld lekë, duke treguar ecurinë e mirë të sezonit veror.

Kjo konfirmohet edhe në shifrat e tatim-fitimit, që lidhet drejtpërdrejtë me fitimin e bizneseve, që ka pasur rritjen më të madhe, 36% nga viti në viti, duke arkëtuar 34 mld lekë.

Tatimi mbi të ardhurat personale ka pasur rritjen e dytë më të madhe këtë 6 mujor, me rreth 30% në raport vjetor, duke arkëtuar rreth 30 mld lekë.

Të ardhurat nga akciza raportohen 26.4 mld lekë, me rritje 9% nga vjet.

TVSH në import nga ana tjetër, vazhdon të ketë rënie, rreth 3%, duke arkëtuar 70 mld lekë.

Të ardhurat nga TVSH e arkëtuar (neto), u realizuan në masën 22.3 mld lekë, me rritje 20%.

Edhe rimbursimet janë rritur nga 2022-shi, me 16%, duke rezultuar në 9 mld lekë.

Shpenzimet e përgjithshme publike, për 6 mujorin e parë 2023 arritën rreth 274 mld lekë, më pak se plani por 4% më i lartë se shpenzimet e një viti më parë. 243 mld ishin vetëm për shpenzime korrente, rreth 7% më i lartë se një vit më parë, ndërsa për shpenzimet kapitale vetëm 31 mld lekë.

Buxheti vazhdon të dalë me suficit, disafish më të lartë nga se ishte parashikuar, 36.2 mld lekë. Rritja nga një vit më parë është pothuajse 90%. Të ardhurat në buxhet kanë më shumë se një vit që rezultojnë më të larta se shpenzimet, duke krijuar kështu suficit. Por kjo sepse shpenzimet, sidomos ato kapitale kanë qenë gjithmonë të ulëta. Praktika e qeverisë për të përqendruar investimet kapitale në tremujorin e fundit është kritikuar nga Banka e Shqipërisë dhe ekspertë të tjerë të fushës, që e quajnë të dëmshme. Gjithsesi, në tremujorin e fundit 2022, shpenzimet kapitale nuk patën rritje domethënëse dhe buxheti rezultoi përsëri me suficit të lartë


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë