Treg

Sezoni turistik do të zgjasë deri në fund të tetorit. Rezervimet më të shumta nga italianët dhe polakët

Nga Gazeta ‘Si’-Ndryshe nga çdo vit tjetër, sezoni turistik nuk u mbyll në shtator siç ndodh tipikisht.

Tur-operatorët tregojnë për Gazetasi.al se aktualisht 70% e kapaciteteve të hoteleve bregdetare janë të zënë me turistë dhe trendi do të vijojë kështu deri në fund të tetorit.

“Rezervimet për tetorin kanë qenë të shumta dhe ky trend do të zgjasë i favorizuar nga temperaturat e ngrohta dhe moti i mirë për plazh”, thotë për Gazetasi.al Vasil Bedinaj, kreu i tur-operatorëve për Jugun.

LEXO EDHE:
- Kush erdhi sivjet në Shqipëri? Italianë ‘dorështrënguar’, gjermanë 'qejflinj', zviceranë luksi
- Turistët erdhën, por si t'i mbajmë edhe vitin tjetër? Ekspertët i sugjerojnë qeverisë disa masa urgjente

Megjithatë kjo nuk është një situatë surprizë për ta. Kontratat paraprake të nënshkruara në fillim të pranverës ishin dëshmi për një sezon të gjatë turistik dhe kishin krijuar pritshmëri për këto kuota turistësh edhe në muajt e vjeshtës.

Trendi do të zgjasë deri në fund të tetorit, citon Bedinaj

Këtë e dëshmon edhe Besnik Vathi, kreu i Shoqatës së Tur-Operatorëve i cili tha për Gazetasi.al se bazuar në kontratat specifike të kompanive të ndryshme, priteshin shifra relativisht të larta turistësh.

Pas ndryshimit të hartës së nacionaliteteve të turistëve që po vizitojnë Shqipërinë, tashmë tur-operatorët ndryshe nga vitet e shkuara, nuk presin më një cikël tipik të mbyllur turistësh brenda Ballkanit Perëndimor.

Njëjtë si në muajt e verës Bedinaj thotë për Gazetasi.al se pushuesit janë ‘një miks’ nga Europa ku edhe në tetor kryesojnë italianët dhe polakët të cilët vijnë në Shqipëri përmes turizmit të organizuar me charter. Megjithatë ka edhe turistë të shumtë nga Amerika Latine.

Polakët janë tregu që përgjithësisht zgjasin nivelin e prurjeve duke qenë se nënshkruajnë kontrata më afatgjata dhe renditen të dytët pas italianëve që për nga hyrjet zënë gati pjesën më të rëndësishme të totalit, me 9%.

Një grup turistësh duke u çlodhur në një nga parqet e Tiranës

Aktualisht, sipas të dhënave të deritanishme në nëntë muajt e parë të vitit kanë ardhur 8.3 mln pushues të huaj ose 1.9 milionë më shumë se e njëjta periudhë e 2022-shit.

Ndërsa vetëm për shtatorin në Shqipëri erdhën 1.1 mln turistë të huaj, 30% më shumë se vitin e shkuar.

Moti i ngrohtë/ Deti "po vjedh" turistët e 'kulturës'

“Turizmi në Shqipëri ndahet kryesisht në dy periudha, ai i plazhit dhe ai kulturor që përkon me periudhën e vjeshtës. Rritja e turizmit blu ka ndikuar edhe në rritjen e këtij lloji tjetër të turizmit sepse turistët ndajnë përshtypjet e tyre me njëri-tjetrin”, thotë Vathi i cili duke njohur mirë tipologjinë e turistëve shton se aktualisht italianët dhe francezët janë më të interesuar për “të vjetrën”.

Megjithatë, ndryshe nga viti i shkuar kur në këtë periudhë turistët vinin kryesisht për turizëm kulturor dhe historik, kësaj here moti i mirë po ‘i detyron’ ata të përqendrohen më shumë në bregdet dhe të shfrytëzojnë plazhet që sipas tur-operatorëve, tani nuk janë aq të mbipopulluar.

Foto ajrore e çadrave dhe pushuesve duke bërë banjo dielli në plazhin e Qerretit në Kavajë.

Ata theksojnë se nisur nga ky faktor, edhe shërbimi në këtë muaj është më cilësor nxitur nga rënia e fluksit të vizitorëve.

Jugu vijon të mbetet rajoni më i preferuar edhe në vjeshtë

Aktualisht, sipas të dhënave të fundit nga INSTAT numri i vizitorëve jo-rezident që janë akomoduar në Rajonin e Jugut ka shënuar rritjen më të lartë, me 2.5 herë.

Në zonat bregdetare ky tregues është rritur me 75 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë