Futboll

Serie A mbyllet me Interin në vendin e dytë, Immobile në histori me 36 gola

U luajtën ndeshjet e javës së fundit në Serinë A, teksa si zakonisht nuk munguan surprizat. Interi mori një fitore të rëndësishme në fund të këtij sezoni duke e mbyllur kampionatin në vendin e dytë, me vetëm 1 pikë diferencë ndaj skuadrës së Sarrit që festoi titullin një javë më parë. Lojtarët e Conte-s kanë gjetur golin që në minutën e parë të takimit dhe kanë realizuar të dytin në minutën e 20-të me Young. Ky është pozicioni më i mirë i Interit që prej vitit 2011.

Juventusi e ka mbyllur këtë edicion të Serisë A me një humbje në shtëpi me shifrat 3-1 përballë Romës, një rezultat i pritshëm duke parë se si trajneri Sarri la pushim pjesën më të madhe te titullarëve. Xhakomo Vrioni, sulmuesi i Kombëtares, ka debutuar me ekipin e parë të Juventusit në këtë ndeshje. Prej disa ndeshjesh Vrioni ishte grumbulluar nga trajneri Mauricio Sarri dhe më në fund ka ardhur edhe momenti i tij. Sulmuesi shqiptar zuri vendin e Ganzalo Higuainit në minutën e 79-të të ndeshjes.

Napoli i Elseid Hysajt mposhti lehtësisht Lazion e Simone Inzagit dhe portierit Thomas Strakosha me rezultatin 3-1. Me këtë humbje Lacio duhet të kënaqet vetëm me vendin e katërt. Immobile tashmë është zyrtarisht golashënuesi më i mirë në Europë. Ai e ka mbyllur sezonin me 36 gola, duke barazuar rekordin e vendosur nga Gonzalo Higuain në sezonin 2015-16 me fanellën e Napoli-t për numrin më të madh të golave të shënuar në një sezon të Serisë A.

Edhe Milani e mbylli sezonin me fitore. Të besuarit e Piolit fituan 3-0 kundër Cagliarit në “San Siro”, duke u renditur në vendin e gjashtë, duke siguruar kështu pjesëmarrjen në Europa League. Me golin e shënuar në këtë ndeshje, Ibrahimovic arriti arriti kuotën e 10 golave në këtë gjysmë sezoni me kuqezinjtë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë