Futboll

Seria e fitoreve të Interit ndalet në Xhenoa, Dragusin frenon shkëputjen e zikaltërve

Gazeta Si – Goli i Arnautoviç nuk ka mjaftuar për Interin në transfertën e Xhenoas, ku nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1. Skuadra e drejtuar nga Xhilardino arriti të marrë një pikë ndaj kryesuesve zikaltër.

Xhenoa ka ndalur Interin në javën e 18-të të Serisë A, duke përsëritur barazimin ndaj Juventusit në garën e titullit. Pas 10 minutash ndalesë në pjesën e parë për shkak të tymueseve të hedhura nga ultrasit e ekipit vendës, Interi zhbllokoi ndeshjen në minutën e 42-të me Arnautoviç, që shnoi golin e parë me fanellën zikaltër. Ai shënoi pas shtyllës së goditur nga Barela.

Në shtesën e gjatë të pjesës së parë, Dragusin, në zhvillimet e një goditjeje këndi, gjeti goditjen fituese me kokë dhe befasoi portierin Somer, që nuk ishte në një ditë të mirë. Në pjesën e dytë ishin disa pritje të Martinez, që nuk e lejuan Interin të fitonte.

Zikaltrit shkojnë në +5 pikë (45 ndaj 40) nga Juventusi, që luan të shtunën me Romën. Kristjan Asllani, mesfushori kuqezi, nuk luajti asnjë minutë në këtë ndeshje.

Elseid Hysaj u aktivizua si zëvendësues në fitoren 3-1 me përmbysje të Lacios ndaj Frozinones. Napoli nuk mundi të fitonte sërish në fushën e tij, ku barazoi pa gola ndaj Momcës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë