Ish kampionia amerikane, Serena Williams denoncon standartet e dyfishta me të cilat u trajtua dënimi i No. 1 në Botë në tenis për meshkuj, Jannik Sinner. Në intervistën për “Time” ajo thotë se do të dënohej 20 vite për të njëjtën shkelje nëse ajo do ta bënte në kohën që ishte në aktivitet. Italiani Sinner po shlyen një dënim prej 3 muajsh për shkak se rezultoi pozitiv për substancën e ndaluar Clostebol, në Marsin e vitit të shkuar.

Williams që fitoi 23 turne “Grand Slam” u tërhoq nga tenisi në vitin 2022 e përshkruan kolegun italian si një personalitet fantastik të jashtëzakonshëm për sportin por thotë se është e befasuar nga mënyra se si u trajtua rasti i tij. Williams nuk kritikon vetëm kohëzgjatjen e pezullimit të Sinner. Në të njëjtin mendim është edhe 24 herë kampioni në Grand Slam, Novak Djokovic që thotë se – “ajo çka ndodhi nuk është e mirë për sportin dhe se shumë tenistë mendojnë se italiani është favorizuar”

Edhe britaniku Liam Broady konfirmoi për BBC Sport se ky pezullim kishte për qëllim të dëmtonte sa më pak karrierën e Jannik Sinner. Williams kthehet pas në kohë dhe kujton Maria Sharapova-n që u dënua me 15 muaj pasi rezultoi pozitive për ilaçin “meldonium” në vitin 2016. Fillimisht ajo u dënua me 2 vite, por pas apelimit u detyrua të shlyente 1 vit e 3 muaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.