Libra

Serbia nderon me titullin më të lartë nobelistin kontrovers Peter Handke

Serbia nderoi shkrimtarin austriak, Peter Handke, fitues të Çmimit Nobel 2019, i cili ka qenë prej kohësh në qendër të polemikave për pozicionet e tij historike pro Sllobodan Millosheviçit dhe për mohimin e masakrave në Bosnjë.
Presidenti serb Aleksandër Vuçiç i dorëzoi shkrimtarit Yllin e Shkallës së Parë Karagjorgjeviç, “për meritat e tij të veçanta në përfaqësimin e Serbisë dhe qytetarëve të saj në fushën kulturore dhe për këmbënguljen e tij personale në përgjegjësinë pa kompromis të përballjes me të vërtetën”. Duke i dorëzuar titullin, Vuçiç e falenderoi Handke për gjithçka që ka bërë për vendin e tij.
Shkrimtari është i njohur për pozicionet e tij pro Serbisë, për mbështetjen e tij për politikën e Sllobodan Millosheviçit në luftërat ballkanike të viteve ‘90 dhe për mohimin e gjenocidit në Srebrenicë. Për këtë arsye, vendimi për t'i dhënë atij dy vjet më parë Çmimin Nobel - në moshën 78-vjeçare - si një nga autorët më origjinalë dhe inovativë në gjuhën gjermane, ngjalli polemikë dhe protesta të forta. Jo vetëm në Bosnjë-Hercegovinë dhe Kosovë, të cilat e shpallën atë "persona non grata", por edhe në një pjesë të botës kulturore europiane.
Sa i përket shkrimtarit Handke, ai tha se nuk e priste vlerësimin që sapo kishte marrë: “Unë e dija vetëm se do të takoja presidentin me të cilin do të pija një kafe. Nuk isha përgatitur”. Ky nuk ishte çmimi i parë serb për Handke. Në shkurt 2020 ai u vlerësua me një tjetër çmim të rëndësishëm nga Vuçiç. Këtë herë, para se të shkonte në Beograd, ai ishte në Banja Luka, kryeqytetin e Republika Srpska, të Bosnjë-Hercegovinës, ku iu dha një çmim i ngjashëm për miqësinë dhe solidaritetin e tij me popullin serb. Dhe për nder të tij, një monument i tij, u zbulua përpara selisë së qeverisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë