Analize

Serbia “luftë të brendshme” për Kosovën

Diskutimet për ndryshimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë kanë ringjallur frikën se një tjetër konflikt  i madh mund të shpërthejë në Ballkan. Kjo tezë është kundërshtuar ashpër në Kosovë dhe, me sa duket, ka shkaktuar një përçarje edhe më të madhe në Serbi, duke e vënë me “shpatulla pas muri” Presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.  Gazeta gjermane “Zaro News” shkruan në një analizë të kohëve të saj se situata e brendshme politike në Serbi paraqitet edhe më alarmante se ajo e Prishtinës, për shkak të ndërhyrjes së Kishës Ortodokse serbe, por edhe për shkak të ndërhyrjes së “fuqive të huaja”.

Agjentët e jashtëm

Mes sinjaleve për shkëmbimin e territoreve, në Serbi janë duke qarkulluar gjithashtu edhe thashethemet për një përshkallëzim të dhunës në Kosovë. Për shembull, një gazetë serbe njoftoi një javë më parë se Moska i kishte dhënë Beogradit informacione nga shërbimet e saj të inteligjencës se shqiptarët po përgatitnin një sërë sulmesh mbi enklavat serbe, në mënyrë që të mund të kishte një përsëritje të ngjarjeve të vitit 2004.  Në po të njëjtën kohë, në mesin e mediave serbe ka qarkulluar lajmi se misioni ushtarak shqiptar po planifikonte okupimin e disa rajoneve në jug të Serbisë. Duke pasur parasysh këto raporte, Presidenti serb thirri në një takim urgjent Këshillin e Sigurimit për t’iu drejtuar më pas në mënyrë të drejtpërdrejtë popullit serb, veçanërisht atij në rajonet veriore të Kosovës. Presidenti u bëri thirrje të qëndronin të qetë dhe të mos provokonin. Në të njëjtën kohë, ai paralajmëroi se siguria e të gjithë serbëve ishte tanimë “detyra më e rëndësishme” e qeverisë. Por, deklarata më e habitshme e Vuçic do të vinte dy ditë më vonë, kur u shpreh se të gjithë duan paqe, por ka edhe disa “njerëz të ligj” që po organizojnë akte provokuese. Sipas Presidentit serb, ata janë duke u mbështetur nga agjencitë e huaja të inteligjencës.  Vuçic nuk e ka specifikuar për cilin shtet bëhej fjalë dhe se çfarë aktesh agresioni ishin duke u organizuar.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç.

Megjithatë,  shefi i të ashtuquajturës Zyrës për Kosovën, Marko Duriç, dha disa detaje duke deklaruar se ishte konstatuar se “agjentët e huaj” kanë ushtruar presion mbi disa politikanë dhe klerikë serbë. Ai është shprehur: “Disa njerëz në Serbi po tradhtojnë vendin e tyre dhe po planifikojnë krime të tmerrshme kundër popullit të tyre, duke zbatuar disa skenarë konfliktesh të planifikuara me ‘fuqitë e huaja’”.  Megjithatë, deri tani, askush nuk është arrestuar.

Vuçic kundër Kishës serbe

Sikur të mos mjaftonte situata e acaruar, në Serbi shpërtheu edhe një skandal mes qeverisë së Aleksandër Vuçiç dhe Kishës Ortodokse serbe. Gjithçka nisi pasi presidenti Hashim Thaçi deklaroi se Kosova ishte e gatshme të “korrigjonte kufirin” me Serbinë, por jo të shkëmbente territoret. Kjo deklaratë ka bërë një pjesë të mirë të serbëve që të mendojnë se Kosova po planifikon të marrë kontrollin e një pjese të territorit serb, pa shkëmbyer territore me Beogradin. Në këto kushte, Kisha Ortodokse serbe, një nga kundërshtaret më të egra të pavarësisë së Kosovës, vendosi të ndërhynte. Në fund të korrikut, peshkopi Theodosios  i shkroi një letër presidentit Vuçiç, duke i kërkuar të hiqte dorë nga plani për ndarjen e Kosovës dhe të luftonte për çlirimin e të gjithë rajonit nga sundimi shqiptar.

Më pas, Vuçiç u përplas edhe me kreun e Manastirit të Deçanit, Sava Janjiç, i cili doli gjithashtu kundër planit të Beogradit për ndarjen e Kosovës. “Për popullin serb, rreziku nuk është vetëm ndarja etnike dhe territoriale midis serbëve dhe shqiptarëve, por edhe njohja e pavarësisë së Kosovës. Kjo do të çonte drejt një shoqërie etnike të pastër shqiptare”, shkroi ai në “Twitter”.

Vuçic reagoi duke e akuzuar se kishte dalë pro pavarësisë së Kosovës. “Ata po lobojnë për një Kosovë të pavarur”, tha presidenti për mediat serbe, duke “shigjetuar” në mënyrë të drejtpërdrejtë Janjiç dhe avokatin serb të të Drejtave të Njeriut, Sonja Biserko. Presidenti serb paralajmëroi se ata që janë kundër shkëmbimit të territoreve me Kosovën, po bëhen pjesë e një komploti kundër vendit të tyre.  Konflikti mes qeverisë serbe dhe kishës duket i pakthyeshëm, pasi edhe Marko Duriç i referohej peshkopit Teodos, kur fliste për “politikanë dhe predikues”, të cilët ishin të ndikuar nga agjentë të huaj.

Presidenti serb Aleksander Vuçiç takon Patriarkun e Kishës Ortodokse Serbe.

Të gjithë kundër

Një sërë ekspertësh të huaj kanë dalë kundër propozimit të dy presidentëve për shkëmbimin e territoreve.  Si fillim, organizatat e shoqërisë civile nga të dyja palët i dërguan një letër të hapur Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federika Mogerinit, duke i kërkuar të dalë kundër ndarjes së Kosovës dhe duke e paralajmëruar se kjo mund të çonte drejt konflikteve të përgjakshme.

Rreziku që vjen nga ndarja e Kosovës u theksua gjithashtu nga David Phillips, ish-këshilltar në Departamentin Amerikan të Shtetit dhe drejtor aktual i institutit për të Drejtat e Njeriut në Universitetin e Kolumbias në Nju Jork. Për të ilustruar pasojat e mundshme të shkëmbimit të territorit midis Kosovës dhe Serbisë sipas parimit etnik, Phillips dha shembullin e Indisë dhe Pakistanit, ku kjo lloj marrëveshjeje çoi në dhunë dhe emigrim masiv. “Ndarja mund të nxisë një fazë të re konfliktesh etnike në Kosovë dhe në mbarë rajonin, duke destabilizuar shtetet e brishta multietnike të Ballkanit. A do të kërkojë Republika Srpska në Bosnjë të bashkohet me Serbinë? Po shqiptarët në Maqedoni a do të duan të bashkohen me territoret shqiptare?”, pyeste Phillips. Si probleme të tjera, ai listoi çështjet e pronës, personave të zhdukur, numrit të njerëzve që do të liheshin në “anën e gabuar” të kufirit, si dhe mungesën e garancisë që Kosova do të bëhej anëtare e OKB-së ose BE-së, për shkak të disa shteteve që nuk e njohin ende pavarësinë e saj.

Kancelarja gjermane ,Angela Merkel , Presidenti serb Aleksander Vuçiç dhe Presidenti Hashim Thaçi

Përfaqësuesit e Mbretërisë së Bashkuar dhe të Gjermanisë dolën gjithashtu kundër ndryshimit të kufijve. Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë (RFE), Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë theksoi se normalizimi i marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës është vendimtar për sigurinë, stabilitetin, prosperitetin e të dyja vendeve dhe rajonin në tërësi, por ishte kundër ndryshimit të kufijve.

“Ne besojmë se thirrjet për korrigjimin e kufijve mund të jenë destabilizuese, - thuhet në deklaratë. - Britania e Madhe do të vazhdojë të mbështesë dialogun e iniciuar nga BE-ja për gjetjen e një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme në interes të të dyja vendeve”.

Edhe zyrtarët gjermanë në shumë raste kanë deklaruar se ndarja e Kosovës mund të çojë drejt një “efekti domino” në rajon dhe më gjerë. Ministri gjerman për Europën, Michael Roth, deklaroi gjithashtu për mediat në Kosovë se Gjermania është kategorikisht kundër ndryshimit të kufijve, duke theksuar se një hap i tillë është shumë i rrezikshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë