Futboll

Serbi, Bullgari rinisin ndeshjet me tifozë, Shqipëria ende varur

Një hap të parë drejt normalitetit të futbollit kanë bërë së fundi dy vende të Ballkanit, Serbia dhe Bullgaria, që do ta rinisin garën në qershor. Ndryshe nga Gjermania, që ka rinisur kampionatin prej pak javësh, por me dyer të mbyllura, në Serbi dhe Bullgari do të luhet me tifozë.

Serbia ka vendosur të lejojë praninë e tifozëve në stadiume për të ndjekur nga afër ndeshjet e futbollit, si dhe sporte të tjera që zhvillohen në ambiente të hapura. Kampionati rinis më 1 qershor dhe tifozët nuk do të privohen nga futbolli, por me kushtin që të respektojnë rregullat e protokollit. Ata duhet të qëndrojnë një metër larg njëri-tjetrit. Edhe në Bullgari do të ndodhë e njëjta gjë. Ka zyrtarizuar rikthimin e kampionatit të futbollit edhe Greqia, që rifillon më 6 qershor.

Në Shqipëri qeveria heziton të zyrtarizojë datën 3 qershor që ka përcaktuar FSHF-ja për rifillimin e kampionatit. Kryeministri Rama foli së fundi për mungesë tifozësh, duke lënë të nënkuptohet se ndeshjet mund të luhen, megjithatë FSHF-ja ende nuk e ka marrë miratimin zyrtar për 3 qershorin. Nëse kampionati rinis javën e ardhshme, për tifozë në stadiume as që bëhet fjalë. Skuadrat ndërkohë po luajnë ndeshje miqësore “fshehurazi”, duke shkelur në një farë mënyre edhe rregullat.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë