Analize

Serbia bëhet gati për luftë, dyfishon buxhetin

Gjatë një stërvitje ushtarake, Presidenti Aleksandër Vuçiç deklaronte me mburrje më 10 nëntor të këtij viti se asnjë ushtri në rajon nuk mund të krahasohet me atë serbe.

Edhe pse Beogradi është akuzuar nga fqinjët si Bosnja për nxitjen e një gare të re armësh në rajon, qeveria serbe ka injoruar të gjitha kritikat, duke propozuar një buxhet edhe më të frikshëm për vitin 2019.

Serbia planifikon të dyfishojë me miliarda euro buxhetin ushtarak, duke blerë tanke dhe një sërë pajisjesh të tjera ushtarake. Këto plane bëhen më alarmante në konktekstin e përplasjeve dhe rritjes së tensioneve me Kosovën.

Lajmet për rritjen e pashembullt të buxhetit ushtarak erdhën pasi qeveria kryeministrit Haradinaj vendosi të rriste me 100% taksat ndaj produkteve serbe, një vendim që është pritur me zemërim nga ana e Beogradit zyrtar. 


Aleksandër Vuçiç 

Autoritetet serbe thonë nga ana tjetër se ata duhet të modernizojnë ushtrinë e vendit të tyre, për t’i bërë ballë të gjitha kërcënimeve ushtarake. "Ne po forcojmë në mënyrë dramatike ushtrinë tonë, po marrim hapa gjigant në këtë drejtim", tha presidenti Vuçiç për të përditshmen serbe “Kurir”.


Vitet e fundit Serbia ka shpenzuar qindra miliona euro për blerjen e avionëve ushtarake nga Rusia, dhe ka blerë gjithashtu edhe dhjetëra helikopterë ushtarakë nga Gjermania si dhe një sërë armësh të tjera nga Kina.

Buxheti i “frikshëm” ushtarak

Projektbuxheti i Serbisë për vitin 2019 parashikon një rritje të madhe të shpenzimeve ushtarake, më shumë se 40 për qind për ushtrinë dhe 13.5 për qind për policinë. Beogradi planifikon t’i japë Ministrisë së Brendshme serbe rreth 720 milionë euro dhe Ministrisë së Mbrojtjes rreth 792 milionë euro. Sipas këtij propozimi, punonjësit e të dyja ministrive do të kenë një rritje pagash prej rreth 9 për qind.   

Një studiuese në Qendrën e Beogradit për Sigurinë, Katarina Djokic, tha për BIRN se nëse miratohet, kjo do të jetë hera e parë në më shumë se një dekadë që buxheti i Ministrisë serbe së Mbrojtjes është më i lartë se ai i Ministrisë së Brendshme.
"Shpenzimet për blerjen e tankeve dhe pajisjeve ushtarake nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes do të rriten me 150 për qind në krahasim me buxhetin e vitit 2018, i cili u miratua në nëntor 2017," vuri në dukje Djokic. 

Ushtria serbe

Serbia duket se ka ndërmarrë një strategji afatgjatë për të rritur kapacitetet e saj ushtarake, pasi shpenzimet për modernizimin dhe rikonstruksionin e armëve dhe pajisjeve ushtarake do të rriten me 330 për qind në krahasim me buxhetin e vitit 2018. Ky rikonstruktim do t’i kushtojë qeverisë serbe afërsisht 90 milionë euro.

Ministri i Financave Sinisa Mali nuk ka shpjeguar publikisht arsyetimin për rritjen e shpenzimeve për policinë dhe ushtrinë, por ai është parë nga shumë ekspertë si një kundër përgjigje ndaj kërcënimeve të supozuara rajonale, sidomos luftës tregtare me Kosovën.

Megjithatë, ky projekt-buxhet është kritikuar nga Këshilli Fiskal, Serb një organ i pavarur shtetëror i ngarkuar me vlerësimin e politikës monetare. Kreu i Këshillit, Pavle Petroviç, tha të martën se në vend që të investonin për rritjen ekonomike, Serbia ka shpenzuar për pajisje ushtarake dhe policorë.

Ministria e Brendshme serbe parashikon 22 projekte kapitale, të cilat përfshijnë ndërtimin e komisariateve të reja, rinovimin e pajisjeve për lëshimin e dokumenteve personale dhe modernizimin e flotës së helikopterëve.

Ushtria serbe

"Përgjatë viteve të fundit, Ministria e Brendshme ka pasur probleme në realizimin e projekteve kapitale dhe nuk ka shpenzuar paratë që ka përcaktuar për to, prandaj të njëjtat projekte përsëriten vit pas viti," shpjegoi Djokic. Ajo gjithashtu vuri në dukje se investimi në situata emergjente është duke u rritur në mënyrë të konsiderueshme në buxhetin e vitit 2019.

Serbia blen armatime të rënda nga Kina dhe Rusia

Serbia ka arritur një marrëveshje të madhe ushtarake me Kinën. Zëvendësministri serb i Mbrojtjes, Nenad Miloradoviç, tha për agjencinë e lajmeve “Tanjug” më 18 shtator se Serbia kishte rënë dakord të blinte armë të sofistikuara dhe teknologji ushtarake nga Kina, “të cilat nuk i ka asnjë vend tjetër në Ballkan”. Miloradoviç tha se dronët e rinj luftarakë do të kenë aftësinë për të zbuluar dhe identifikuar objektivat gjatë ditës dhe natës. Zëvendësministri serb theksoi gjithashtu se dronët do të mund të lëshojnë bomba dhe raketa.

“Kjo është aftësi që vetëm ushtarakët më të aftë të botës e kanë dhe do ta jetë tanimë në dispozicion të ushtrisë serbe”, shtoi Miloradoviç. Marrëveshja e dakorduar sipas tij do të përfshijë gjithashtu edhe bashkëpunimin industrial dhe teknologjik mes Kinës dhe Serbisë. Kohët e fundit, ushtria serbe mbajti gjithashtu edhe disa manovra ku paraqiti avionët MIG që mori dhuratë nga Rusia. Megjithatë, sipas raporteve, ministria serbe e Mbrojtjes ka shpenzuar miliona për modernizimin e tyre.

Serbia blen avionet rus

Në muajin prill, agjencia ruse e lajmeve, “Tass” njoftoi se Serbia dhe Rusia kishin rënë dakord për prokurimin e armëve të reja të Serbisë, duke përfshirë helikopterët Mi-17, tanket T-72, automjetet luftarake BMP-2 dhe një sërë pajisjesh të tjera ushtarake. Serbia ka lidhur gjithashtu këtë vit marrëveshje ushtarake edhe me Bjellorusinë. Më 29 janar të vitit 2017, ministri serb i Mbrojtjes, Zoran Gjorgjeviç tha se Bjellorusia ishte e gatshme t’i dhuronte Beogradit tetë aeroplanë “MIG 29”, si dhe disa sisteme raketore të dizajnuara nga Rusia. Mediat serbe njoftuan në prill se avionët pritet të mbërrijnë këtë vit.

Ekspertët ushtarakë serbë besojnë se përmirësimi ushtarak është pjesë e përpjekjeve të qeverisë për të treguar popullsisë kryesisht pro-ruse se Serbia po thellon lidhjet me aleatin e saj të vjetër, Moskën. Vetëm pak muaj më parë, SHBA-ja ngriti dyshime të forta mbi një qendër humanitare ruse në qytetin jugor të Nishit, duke deklaruar se ajo shërben si bazë spiunazhi. Këtyre shqetësime ju bashkuan edhe disa qeveri perëndimore duke shprehur pakënaqësi të thella ndaj Beogradit zyrtar. Serbia këmbënguli nga ana tjetër se qendra është ndërtuar vetëm për të siguruar ndihma emergjente në rast fatkeqësie natyrore në rajon.

Beogradi shpalli doktrinën e neutralitetit ushtarak në dhjetor të vitit 2007 dhe qeveria aktuale nuk ka sinjalizuar se mund ta ndryshojë këtë politikë zyrtare. Por sipas sondazheve, NATO nuk është aq i mirëpritur në Beograd sa Rusia, për shkak të sulmeve ajrore në vitin 1999, të cilat e detyruan Serbinë të tërhiqej nga Kosova. Sipas anketave të opinionit publik, pjesa e dërrmuese e qytetarëve nuk duan që Serbia të anëtarësohet në NATO.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë