Ne rrjet

Senati liron presidentin Trump nga akuzat, e shpall të pafajshëm

Senati amerikan e ka liruar presidentin Donald Trump nga dy akuzat e ngritura për shkarkimin e tij: shpërdorim pushteti dhe pengim i Kongresit.

Senati i kontrolluar nga republikanët ka votuar të mërkurën pasdite për ta liruar presidentin nga akuza e parë se kishte bllokuar ndihmën ushtarake për Ukrainën në këmbim të asaj që demokratët thonë se ishin hetime të motivuara politikisht. Po ashtu, është votuar për t’u liruar edhe nga akuza e dytë.

Përfundimisht presidenti është liruar nga të dyja akuzat.

Ndërkohë, një nga senatorët republikanë, Mitt Romney, votoi pro akuzës së parë ndaj zotit Trump që synonte shkarkimin e tij. Ai ishte i vetmi që u nda nga republikanët duke votuar kundër.

Zoti Romney, i cili e ka kritikuar edhe më parë zotin Trump për çështje të tjera, e quajti kërkesën që Presidenti i bëri autoriteteve në Ukrainë për të hetuar rivalin e tij politik Joe Biden “një gabim të rëndë” dhe tha se zoti Trump ishte “fajtor për shpërdorim të rëndë të besimit publik”.

“Ajo që ai bëri nuk ishte “perfektë”, është shprehur zoti Romney në Senat, duke iu referuar mënyrës se si Presidenti Trump e ka përshkruar bisedën e tij telefonike me presidentin e Ukrainës.

“Ajo ishte një sulm flagrant ndaj të drejtës sonë për të zgjedhur, sigurisë sonë kombëtare dhe vlerave tona themelore”, shtoi senatori republikan.

Shpallja jofajtor e presidentit Trump mund të ketë ndikime afatgjata në politikë dhe në ekuilibrin e pushtetit në Uashington. Ajo e fuqizon politikisht presidentin në fushatën e tij për zgjedhjet e nëntorit 2020.

Gjatë fjalimit të tij vjetor mbi gjendjen e vendit që u mbajt të martën në mbrëmje Presidenti nuk e përmendi procesin për shkarkimin e tij. Por ai e ka kritikuar në mënyrë të vazhdueshme duke e cilësuar si “gjueti shtrigash”, e duke theksuar se nuk ka bërë asnjë shkelje. (VOA)


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë