Politike

Senati konfirmon Eric Wendt ambasador në Shqipëri, pritet vetëm firma nga Trump

Gazeta Si – Senati Amerikan ka konfirmuar gjeneralin në pension, Eric Wendt si ambasador të SHBA-ve në Shqipëri.

Tanimë pritet edhe firma formale e presidentit Donald Trump i cili e kishte propozuar vetë emrin e Wendt si ambasador. Ish-gjenerali u konfirmua si ambasador i ri në Tiranë me 50 vota pro dhe 44 vota kundër.

Prej tre vitesh, ambasada amerikane në Tiranë ka mbetur pa ambasador që prej largimit të Yuri Kim në vitin 2023.

Wendt është një Gjeneral i lartë i ushtrisë amerikane në pension, me mbi 34 vite shërbim, pjesa më e madhe në forcat speciale “Green Beret”.

Ai ka shërbyer gjithashtu si komandant i Komandës së Operacioneve Speciale të NATO-s, si dhe në pozicione të rëndësishme në Lindjen e Mesme dhe rajonin e Paqësorit.

Pas miratimit nga Senati, procedura pritet të përmbyllet me nënshkrimin e presidentit amerikan Donald Trump, i cili është hapi i fundit për formalizimin e emërimit të tij si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri.

Pas përfundimit të procedurave, Wendt pritet të udhëtojë drejt Tiranës, ku do të nisë zyrtarisht detyrën pas dorëzimit të letrave kredenciale te Presidenti i Republikës së Shqipërisë.

Eric Wendt do të jetë pasuesi i ambasadores Yuri Kim, e cila përfundoi mandatin e saj në Shqipëri në vitin 2023.

Që prej asaj kohe, Ambasada amerikane në Tiranë është drejtuar nga të ngarkuar me punë, ndërsa procesi për emërimin e një ambasadori të ri u zgjat për shkak të procedurave të konfirmimit në Senat.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë