Politike

Senati i kthen Presidentit Biden kandidaturën e David Kostelancik për ambasador të SHBA në Shqipëri (arsyeja dhe si veprohet)

Komiteti i Marrëdhënieve me Jashtë në Senat i ka kthyer presidentit amerikan Joe Biden, kandidaturën e David J. Kostelancik, për ambasador të SHBA-së në Shqipëri. Vendimi është marrë më 3 janar.

Siç thuhet në njoftim, kandidatura i është kthyer shefit të Shtëpisë së Bardhë referuar dispozitave të paragrafi 6 të Rregullores së Përhershme të Senatit që ka të bëjë me procedurat e ndjekura lidhur me afatet e paraqitjes së emrit, qe ne kete rast kane tejkaluar afatin 1 vjecar.

Në këtë rast Presidenti i SHBA mund të çojë sërish emrin e ambasadorit në fjalë ose mund të sjellë një tjetër emër. Procedura fillon edhe njehere nga fillimi.
Nëse Presidenti Biden ridërgon të njejtën kandidaturë, procesi në senat fillon nga e para, por komisioni përkatës që shqyrton kandidaturën ka kompetenca të gjera dhe mund ta thërrasë sërish për dëshmi ose jo. Në të kaluarën, për shumicën e riemërimeve, komisionet nuk i rithërrasin kandidaturat për dëshmi.

Republikanët kushtëzojnë konfirmimin e të emëruarve të Biden

Emërimi i zotit Kostelancik, është mes 43 kandidatëve për poste diplomatike që mbetën peng i bllokimit nga disa senatorë republikanë që e kanë kushtëzuar konfirmimin me lëshime ndaj disa politikave që ata mbështesin.

Departamenti i Shtetit ka thënë se kjo rrezikon sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara. Mes atyre që nuk janë konfirmuar është edhe Kurt M. Campbell, i cili është emëruar për postin e zëvendës sekretarit të shtetit.

Edhe një senator i vetëm mund të bllokojë një emërim.

Senatorët republikanë, të cilët kanë vendosur bllokime për të emëruarit për ambasadorë përfshijnë J.D. Vance nga Ohajo, Ted Cruz nga Teksasi dhe Rand Paul nga Kentaki. Zëri i Amerikës ka mësduar se kandidatura e zotit Kostelancik është bllokuar nga senatori J.D.Vance.

Bllokimet e kandidaturave që kanë nevojë konfirmimi nga Senati janë një praktikë e zakonshme e betejës politike në Uashington.

Senatori republikan nga Alabama, Tommy Tuberville, për muaj të tërë vitin e kaluar, nuk lejoi konfirmimin e të paktën 425 ushtarakëve të lartë të Pentagonit. Ai e bëri zhbllokimin vetëm pas këmbënguljes së senatorëve nga partia e tij që të tërhiqej.

David J. Kostelancik

Diplomati i karrierës Kostelancik, u emërua për postin e Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri në janar të vitit të kaluar. Zoti Kostelancik dëshmoi për përparësitë e tij para Komisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë në mars të vitit të kaluar. Në prill, Komisioni votoi pro konfirmimit të tij, por votimi i plotë i Senatit nuk u bë.

Kostelancik pritej që të zëvendësonte në postin e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Yuri Kim

Diplomati amerikan ka shërbyer edhe më herët në ambasadën amerikane në Shqipëri në fillim të viteve ’90, në zyrën politike.

Ai ka punuar edhe si zëvendës Shef i Misionit dhe për dy vjet, si i Ngarkuar me Punë i përkohshëm në ambasadën e SHBA-së në Budapest të Hungarisë.

David J. Kostelancik ka mbajtur gjithashtu pozicionet e Drejtorit të Zyrës për Çështjet e Evropës Jugore Qendrore dhe Drejtorit të Zyrës për Çështjet Ruse, në Byronë për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë si dhe të Drejtorit të Zyrës së Evropës dhe Azisë në Byronë Ndërkombëtare për Çështjet e Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit.

Kostelancik ka shërbyer dy herë në Ambasadën amerikane në Moskë si dhe në misionet e SHBA në OSBE dhe NATO.

I lindur në Ilinois, Kostelancik është diplomuar në Universitetin NorthWestern të këtij shteti. Ai ka dy diploma master nga Kolegji Kombëtar i Luftës dhe Universiteti i Miçiganit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë