Lajme

Sekuestrohen pasuritë e dy trafikantëve nga Lezha e Laçi

Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda kanë sekuestruar 5 milionë euro pasuri të një grupi kriminal shqiptar, të cilët janë arrestuar në muajin prill 2018, me 1 ton kokainë në Spanjë. Eduart Merkaj, kreu i Policisë Kriminale, në një deklaratë për mediat ka thënë se Forca e Ligjit ka sekuestruar pasuritë e Arjan Ndocit dhe Julian Deblinit, nga Laçi dhe Lezha. Ata u arrestuan me veprën penale të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike, ndërsa Merkaj theksoi se janë anëtarë të një grupi që vepronte prej vitesh në trafikun e kokainës nga Amerika Latine në Europë.  

Ditën e sotme Policia bën të ditur se është vendosur sekuestro preventive për llogaritë bankare dhe pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme.   

Asetet e bllokuara nga Task Forca Speciale:

3 bankave të nivelit të dytë, të disa llogarive bankare me një sasi të konsiderueshme eurosh.

Kuotat dhe aksionet e 1 shoqërie tregtare me aktivitet në fushën e ndërtimit.

1 Njësi banimi në pallat

8 apartamente, me një sipërfaqe ndërtimi 905 metro katror.

2 njësi tregtare (dyqane) me një sipërfaqe prej 280.4 metro katrore.

4 garazhde në total sipërfaqe 60 metër katror.

3 automjete të tipeve dhe llojeve të ndryshme.

Shuma e aseteve te sekuestruara në kuadër të operacionit, e përllogaritur me çmimin e tregut, kap vlerën prej 5 milion Eurosh.

Sipas deklaratës së Policisë së Shtetit gjithçka ka nisur pasi autoritetet policore spanjolle në bashkëpunim DEA dhe EUROPOL kanë arrestuar në flagrancë shtetasit shqiptarë: Arjan Ndoci, alias (Dritan Gradica, Ardjan Noka, Mondi Prenga, Mond Gjoni, Don Gjoni,) 41 vjeç, lindur dhe banues në Laç Kurbin dhe shtetasit Julian Deblini (Bedlini), vjec 35, lindur dhe banues në Lezhë.

Ata akuzohen për veprën penale të “Trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike”, pas kapjes së një sasie prej 1.000 kg kokainë, e cila dyshohet se vinte nga Kolumbia si dhe të një shume prej 1.550.000 Euro cash. Policia thotë se këta 2 shtetas janë anëtarë të një grupi kriminal që zhvillonte prej kohësh trafik të lëndëve narkotike nga vendet e Amerikes Latine në drejtim te Europës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë