Lajme

Sekuestrohen 5,2 milionë euro në Lezhë

Në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”, policia e Lezhës ka sekuestruar rreth 5.2 milionë euro llogari bankare dhe pasuri të paluajtshme të dy shtetasve, banues në Lezhë, të dyshuara të përfituara nga veprimtari kriminale.
Mësohet se pasuria, 7 apartamente në Lezhë, disa apartamenteve në Tiranë dhe llogaria bankare në total 5.2 mln € rezultojnë të jenë në pronësi të 83-vjeçarit Pjetër Voci dhe 50-vjeçares Shqipe Palaj. Ndonëse nuk dihet ende se si ka mundur ta vërë pasurinë marramendëse i moshuari dhe 50-vjeçarja, mbi ta rëndon akuza e pastrimit të parave.
Sipas policisë, sekuestrot janë rezultat i punës hetimore të Policisë së Lezhës që ka referuar materialet procedurale mbi bazën e dyshimit të arsyeshëm, për përfitimin e tyre nga veprimtaria kriminale, me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë.
Prokuroria ka filluar procedimin penal për veprën “Pastrim i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale” në ngarkim të dy shtetasve, duke e finalizuar me sekuestro të vendosur nga Gjykata e Shkallës Parë Lezhë me vendim të datës 23 janar 2019.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë