Rend dhe Ligj

Sekuestrohen 40 milionë euro drogë, 37 të arrestuar në Itali e Shqipëri

Zbulohen të tjera detaje nga operacioni i përbashkët mes Italisë dhe Shqipërisë, me 37 të arrestuar, nga të cilët 10 në Shqipëri, të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës në kuadër të këtij grupi kriminal.

Mësohet se grupi kriminal trafikonte drogë prej vitit 2015 nga Vlora në drejtim të Barit në Itali.

Grupi kriminal i përbërë nga 37 persona të cilët u vunë në pranga dyshohet se drejtohej nga Robert Myftari dhe Elton Hamza.

Operacioni antidrogë është zhvilluar në Itali në bashkëpunim me Shqipërinë për shkatërrimin e një grupi kriminal në trafikun e lëndëve narkotike dhe janë arrestuar 37 persona.

Në Shqipëri operacioni është shtrirë në Tiranë e Vlorë teksa deri tani janë arrestuar 10 persona.

Në operacion kanë marrë pjesë qindra forca policie, FNSH, Forcat e Posaçme Operacionale, Drejtoria Hetimore si dhe Policitë e Tiranës dhe Vlorës.

Arrestimet kanë ndodhur në orët e para të mëngjesit teksa të gjithë të prangosurit ishin pjesëtarë të grupit kriminal, i cili vepronte nga viti 2015.

Sipas mediave italiane, gjatë hetimit, u sekuestruan afërsisht tre e gjysmë ton drogë si marihuanë, kokainë dhe hashash, për një vlerë mbi 40 milionë euro dhe që korrespondon me rreth 7 milionë doza. 

Ndërkohë, kreu i SPAK, Arben Kraja, i cili ka marrë pjesë në konferencën online të Anti-Mafias italiane tha se SPAK nuk është kufizuar vetëm në urdhër-arreste, por edhe në akuzat për pastrim të produkteve të veprës penale duke kryer edhe sekuestrime ndaj këtij grupi kriminal në Shqipëri.

Ai shton se ajo çfarë do të vijojë të bëjë SPAK, është që do të hetojë për autoritetet që e lejuan këtë grup kriminal dhe e favorizuan që të trafikonte drogë, duke çuar para përgjegjësisë penale këdo që është i përfshirë.

Kreu i SPAK, Arben Kraja

“Sot jemi konkretë në operacionin që kemi realizuar. Skuadrat e përbashkëta hetimore janë përgjigjja më efektive që mund t’i jepet krimit të organizuar që funksionon në rrafshin ndërkombëtar.

Ajo që dua të them është që operacioni ishte i suksesshëm. Koordinim perfekt, strukturave policore shqiptare dhe prokurorive shqiptare e italiane.

E reja që kemi thënë është që nuk jemi kufizuar vetëm tek arrestimi i personave përgjegjës, por kemi ngritur edhe akuza për pastrim të produkteve të veprës penale dhe kemi sekuestruar produkte të veprës penale.

Do të vazhdojmë të hetojmë deri në detaje për përgjegjësitë e autoriteteve shtetërore që kanë lejuar trafikun e drogës nga grupi kriminal”, është shprehur kreu i SPAK, Arben Kraja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë