Lajme

Sekuestrohen 31 tonë kripë jashtë standardeve, gjobiten dy kompani

Një sasi prej 31 tonë kripë është bllokuar nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, pasi përmbante nivel jodi nën normën e lejuar.

Gjatë një kontrolli të ushtruar në dy kompani shqiptare “Eurolab” dhe “N&N” kane rezultuar shkelje të rënda, për të cilat janë gjobitur. Më konkretisht në kompaninë “Eurolab” u konstatuan 3 shkelje ligjore:

Për importim në kundërshtim me Ligjin e Ushqimit, ku mungonte certifikata origjinale e lëshuar nga vendi i origjinës, për mungesë të një sistemi funksional gjurmueshmërie, për etiketim produkti të parregullt dhe për veprime në kundërshtim me përgjegjësitë e Operatorit të Biznesit Ushqimor. Për këto shkelje, kjo kompani u gjobit me 600 mijë lekë.

Gjithashtu iu bllokuan 16.2 tonë për sasinë e magazinuar, si dhe iu kërkua që të tërheqë nga tregu të gjithë sasinë e kripës që ishte jashtë standarteve.

Ndërkohë edhe subjekti tjetër, është gjobitur për import në kundërshtim me ligjin dhe veprime në kundërshtim me kërkesat e gjurmueshmërisë në shifrën e 200 mijë lekësh.

Gjithashtu u urdhërua të tërheqë nga tregu produktin kripë të shpërndarë për shitje në sasinë prej 15 ton kripë dhe kthimin e saj në vendin e origjinës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë