Dosje

Sekrete shtetërore për vendet jo mike, ish-zyrtarët e SHISH nën akuzë për spiunazh

Gazeta Si - Pesë ish-zyrtarë të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe Policisë së Shtetit janë marrë të pandehur për nxjerrje të të dhënave sekrete në bashkëpunim.

Sipas burimeve paraprake, hetimi i nisur kryesisht nga vetë SHISH, është referuar më pas nga Antiterrori në Prokurorinë e Posaçme, e cila ka vijuar ndjekjen e zyrtarëve me metoda të posaçme hetimi.

Dyshohet se personat e përfshirë në spiunazh, njëri pas tjetrit nga vëzhgimet e autoriteteve kanë nxjerrë të dhëna sekrete për persona që përfaqësonin vende jo mike me Shqipërinë, janë vënë nën akuzë për “Dhënie të informatave sekrete”, “Marrja të Shpërblimeve”, “Vënia në shërbim të shteteve të huaja” dhe “Grup i strukturuar kriminal”.

Sipas informacioneve të referuara dhe që ende mbahen sekret nga Prokuroria e Posaçme bëhet me dije se në një rast, një prej ish-zyrtarëve ka nxjerrë të dhëna për detyrat që mbanin zyrtarë të ndryshëm në institucione të vendit.

SPAK ka qenë diskret në ketë çështje, për shkak të rëndësisë së saj dhe nuk është ende e qartë se për cilat vende kanë dhënë informacione të akuzuarit.

Ekzistencën e kësaj dosje e ka bërë publike fillimisht Shërbimi Informativ Shtetëror në raportin vjetor për vitin 2021.

Dokumentet konfindenciale në SPAK, hedhin dritë mbi një hetim të nisur nga SHISH, struktura e antiterrorit në Policinë e Shtetit dhe Prokuroria e Posaçme, duke u vënë në mbikqyrje të rreptë 5 persona, si Frederik Ymerin, Gjergji Kotin, Bashkim Abazi, Luftar Çunaj, dhe Maksim Ferra.

Që prej janarit 2021 e deri më sot, këta persona janë në ndjekje të këtyre institucioneve.

Në dosje thuhet se subjekti i dyshuar për spiunazh, Frederik Ymeri, ka qenë pjesë e Shërbimit Informativ Shtetëror dhe se detyrën e fundit në këtë institucion e ka pasur në vitin 2003 si Drejtor i Krimit të Organizuar në Aparatin Qendror të Shërbimit Informativ Shtetëror.

Ndërsa Maksim Ferra, thuhet në dosje është një tjetër kuadro i vjetër i spiunazhit dhe deri në vitin 2000 ka qenë pjesë e sektorit të vëzhgimit në Aparatin Qendror të Shërbimit Informativ Shtetëror.

Maksim Ferra, aktualisht drejton qendrën jofitimprurëse me emrin “Unioni Stop Krimit”, të cilën e ka regjistruar në gjykatë qysh prej shkurtit 2015.

Personi tjetër Gjergji Koti, që sipas SPAK dhe SHISH, është i përfshirë në këtë veprimtari agjenturore, është një ish-oficer Policie që ka shërbyer pranë Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave në Policinë e Tiranës.

Më tej në dosjen e SHISH dhe drejtorisë së Antiterrorit tregohet se Maksim Ferra, Gjergji Koti, Bashkim Abazi dhe Luftar Çunaj, janë rrjeti informativ i Frederik Ymerit.

Ky i fundit synon sigurimin e informacionit të klasifikuar, që cenon veprimtarinë e institucioneve të rëndësishme shtetërore të sigurisë dhe jo vetëm.

SPAK thotë se deri tani nuk janë arritur të sigurohen të dhëna konkrete në lidhje me destinacionin përfundimtar të këtyre informacioneve, por dyshohet se kjo veprimtari cenon sigurinë kombëtare në formën e spiunazhit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë