Megjithë ndërhyrjen e Bankës Qëndrore në treg për të blerë një sasi eurosh, kursi i këmbimimt valutor të euros nuk po stabilizohet.
Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, 1 euro është këmbyer sot me 125, 58 lekë. Ky rezulton çmimi më i ulët i euros në tregun shqiptar në 10 vitet e fundit pas kulmit të muajit qershor kur një euro u këmbye me 124,7 lekë.
Guvernatori Sejko, në konferencën rutinë për shtyp në lidhje me politikën monetare është shprehur se “nuk e kishim parashikuar një mbiçmim të tillë të kursit të këmbimit, i cili po vijon si pasojë e prurjeve sezonale”.
Megjithëse Guvernatori ia ka faturuar sezonit fenomenin e pazakontë të tatpjetës së euros, agjencitë e këmbimit valutor në sajë të ekperiencës së tyre, thonë se nuk është shënuar ndonjë fluks emigrantësh ndryshe nga vitet parardhëse këtë sezon .
Guvernatori Sejko gjatë analizës së ekonomisë për tremujorin e dytë u shpreh se po studiohen dhe monitorohen tregjet për të ditur veprimet e mëpastajme.
Sipas tij, ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë kanë dhënë rezultat në treg duke shpëtuar inflacionin, megjithëse raporti i kërkesës me ofertën mbetet i pabalancuar e kjo ka ndikuar edhe në të ardhurat.
Gjatë evidentimit pozitiv të treguesëve të ekonomisë, Sejko u shpreh se bankat tregtare vazhdojnë të mbeten ende konservatore në dhënien e kredive.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.