Ekonomi

Sejko: Situata politike rrezikon investimet e huaja. Mbiçmimi i kursit uli inflacionin

“Një situatë destabilizimi do të ndikonte në investimet e huaja direkte, po ashtu dhe konsumi do të ishte i ndikuar pasi dhe ai është sensitiv,” do të thoshte guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko gjatë raportimit për ecurinë e BSH-së në 2018-ën në komisionin kuvendor për Ekonominë dhe Financat.

Sejko u shpreh se nga vrojtimet BSH, nuk kemi një perceptim thellësisht negativ dhe situata politike është destabilizuar në shumë vende të Eurozonës.
Ai ripërsëriti, si më herët, se ende nuk ka të dhëna sasiore për ndikimin që ka destabiliteti politik në vend.

Sejko bëri një panoramë të ekonomisë së vendit duke shpjeguar se ekonomia përgjatë 2018-ës pati një ecuri pozitive, por destabiliteti politik ka rritur rreziqet në ekonomi.

Duke u ndalur tek kursi i këmbimit, giuvernatori Sejko u shpreh se, qe subjekt i disa goditjeve në gjysmën e parë të vitit 2018. Këto goditje sollën zhbalancimin e përkohshëm të kërkesës dhe ofertës për valutë dhe ndikuan në krijimin e pritjeve për forcim të mëtejshëm të kursit , duke o shoqëruar edhe me një ndryshimin e sjelljes së operatorëve të ekonomisë . Ata iniciuan një sjellje të shpejtë të forcimit të lekut në kursin e këmbimit dhe u shoqëruan me çrregullim të tregut të brendshëm valutor, argumentoi Guvernatori para deputeteve.

Banka e Shqipërisë në lidhje me këto zhvillime reagoi duke ulur normën bazë nga 1,25% në 1% dhe aplikoi ndërhyrje në tregun valutor duke normalizuar luhatjet në kurdin e këmbimit.
Kredia në lekë në sektorin privat u rrit me 6.7% gjatë vitit 2018. Lehtësimi i interesave për kredinë në lekë më 5.6 pikë përqindje nga 2011 u ka kursyer shqiptare 15 miliardë lekë në vit.

Guvernatori tha se politika monetare ka mbështetur stabilitetin financiar në vend, duke ndikuar në rritjen e kërkesës për mallra dhe shërbime. Ka ndihmuar në uljen e kostove të borxhit dhe në përmirësimin e aftësive paguese të familjeve shqiptare.

Referuar raportit të BSH-së për 2018-ën, rezulton se trendi mbiçmues afatmesëm e afatgjatë i kursit të këmbimit shpjegohet nga përmirësimi i pozicionit me jashtë të ekonomisë shqiptare dhe nga rritja e interesit për të investuar në instrumente financiare në lekë. Këto tendenca, shpjegohet në raport,pasqyrohen në deficitin e llogarisë korrente që ra nga 8.6% e PBB në vitin 2015, në 5.2% të PBB-së për nëntë muajt e parë të vitit 2018. Ky zhvillim ka ardhur në masën më të madhe nga rritja e eksporteve.- Flukset hyrëse të investimeve të huaja direkte kanë ardhur në rritje, duke qëndruar mbi 8.0% të PBB-së. Në përgjigje të tyre, bilanci i pagesave ka rezultuar me suficit, duke nënkuptuar se flukset hyrëse të valutës në vend kanë qenë më të larta se ato dalëse.

Normat e interesit për instrumentet financiare në lekë, ndonëse në nivele të ulëta, sigurojnë kthime pozitive investimesh në kushtet kur normat e interesit për depozitat në monedhën euro janë pranë zeros.

Po ashtu, mbiçmimi i kursit të lekut kundrejt euros gjatë vitit 2018 shkoi përtej ritmit të përmirësimit të faktorëve thelbësorë. Ai pasqyroi zhvillime specifike në tregun e brendshëm valutor. Të tillë ishin:

  • konvertimi i kapitalit të disa bankave të sistemit, informacioni i qarkulluar në treg për hyrjen e kredisë nga BERZH për KESH; dhe krijimi i pritjeve të njëanshme për mbiçmimin e mëtejshëm të kursit të këmbimit, çka u shoqërua me ndryshimin e sjelljes së agjentëve ekonomikë dhe rritjen e ofertës valutore në treg. Këta faktorë sollën rritjen e ofertës valutore dhe çrregullimin e funksionimit të tregut valutor në muajt prill e maj.

Zgjatja në kohë e këtij fenomeni prodhoi efekte negative në inflacion në afatin e mesëm. Konstatimi se forcimi i shpejtë i kursit të këmbimit rrezikonte përmbushjen e objektivit të inflacionit, solli reagimin e politikës monetare. Ky reagim konsistoi në:

  • uljen e normës bazë të interesit në muajin qershor në 1.00%, nga 1.25%;
  • fillimin e një programi të përkohshëm për blerje të valutës.

Ky program kishte për qëllim të kontrollonte shpejtësinë e mbiçmimit të kursit të këmbimit dhe shmangien e rreziqeve ndaj përmbushjes së objektivit të inflacionit. Vendimmarrja për ndërhyrjen e Bankës së Shqipërisë në tregun valutor u bë e nevojshme në kushtet kur hapësira për uljen e normës bazë të interesit ishte e pakët.

Ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë ishte më intensive në periudhën e verës, periudhë e cila korrespondon me hyrje të larta valute, si pasojë e sezonit turistik. Më tej, Banka e Shqipërisë nuk ishte e pranishme në tregun valutor në kuadër të këtij programi. Vlerësimet për efektin e kursit të këmbimit, citon raporti, tregojnë se ndikimi i mbiçmimit të kursit të këmbimit është marxhinalisht negativ. Ky ndikim pasqyron reduktimin e konkurrencës së eksporteve shqiptare, por ai është neutralizuar pjesërisht nga rritja e fuqisë blerëse të kredimarrësve në euro dhe, pjesërisht, nga ulja e primeve të rrezikut të kredisë në monedhën euro.

Mbiçmimi i kursit të këmbimit ka reduktuar inflacionin mesatarisht me 0.2 pikë përqindjeje në vitin 2018. Ky efekt ka ardhur në rritje gjatë tremujorëve dhe në tremujorin e fundit, ai vlerësohet në 0.3 pikë përqindjeje. Në përputhje me kohëvonesat e përcjelljes së luhatjeve të kursit të këmbimit në çmime, ky ndikim pritet të jetë i pranishëm edhe gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2019, dhe të vijë drejt shuarjes në tremujorët në vijim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë