Treg

Sejko: Shqipëria shënoi një ndër nivelet më të ulëta të inflacionit në rajon (faktorët që ndikuan)

Nga Gazeta ‘Si’-“Shqipëria ka arritur ta dominojë ndikimin e goditjeve që vijnë nga çmimet e importuara duke shënuar një nga nivelet më të ulëta të inflacionit në rajon”, deklaroi guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko.

Në konferencën e 9-të Vjetore të Kërkimeve në Maqedoninë e Veriut, Sejko tha se ruajtja e stabilitetit të çmimeve, ka ardhur si rezultat i një kombinimi faktorësh.

“Së pari, nga shtrëngimi i hershëm i politikës monetare, i cili kontribuoi në parandalimin e përhapjes së plotë të presioneve inflacioniste të Eurozonës në ekonominë shqiptare;

Së dyti, nga varësia e kufizuar nga tregjet ndërkombëtare të energjisë dhe kontrolli i çmimeve të energjisë së rinovueshme të prodhuar në vend; dhe së fundi, nga mbiçmimi i kursit të këmbimit të viteve 2022 – 2023, i cili ka ndihmuar gjithashtu në zbutjen e presioneve inflacioniste në të gjithë gamën e mallrave të importuara”, deklaroi ai.

Sejko megjithatë theksoi ky stabilitet çmimesh vijon të mbetet në fokus të politikës monetare të bankës.

“Si një ngjarje që mund të ndryshojë lojën në gjeopolitikë, lufta në Ukrainë përfaqëson sfida dhe mundësi në rrugën tonë drejt integrimit në BE. Prandaj, ne duhet të vazhdojmë me agjendën tonë të reformave strukturore dhe ta përshtatim atë me realitetet e reja.”- deklaroi ai.

Sejko shtoi se bankat qendrore, duke u përballur me sfidat në rritje që vijnë nga revolucionet e vazhdueshme teknologjike dhe inovacionet financiare, duhet të adaptohen me realitetin e ri.

Konferenca e 9-të kishte në fokus ngjarjet destabilizuese botërore të viteve të fundit dhe sfidat me të cilat po përballet ekonomia globale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë