Ekonomi

Sejko: Rimëkëmbja me rreziqe, hapësira për politika është ngushtuar

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko parashikon një rimëkëmbje të vështirë e të pasigurt të rrethuar me rreziqe. Sipas tij edhe hapësira për të vepruar me politika është ngushtuar shumë.

Guvernatori është shprehur në konferencën e guvernatorëve dhe ministrave të financave të Europës Juglindore me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

“Një përmbysje potenciale e integrimit të zinxhirit të prodhimit dhe tregtisë globale mund të çojë në fragmentim të politikave ekonomike dhe të rrisë më tej vështirësitë për ekonomitë në zhvillim. Në Bankën e Shqipërisë, ne besojmë se një zgjidhje e suksesshme e politikës monetare kërkon kurajë dhe fleksibilitet në nivel kombëtar, si dhe koordinim e bashkëpunim në nivel rajonal e ndërkombëtar.”- tha Sejko.

Guvernatori garantoi se sistemi bankar shqiptar mbetet solid, i aftë për të paguar dhe likuid.

Sejko tha se, goditje të paprecedenta të kësaj madhësie kërkojnë marrjen në kohë të masave të jashtëzakonshme, masa të cilat në mënyrë kritike vënë në pikëpyetje edhe konsensusin ekzistues të politikës ekonomike.

“Po ashtu, kompleksiteti i krizës kërkon koordinim të kujdesshëm të politikave ekonomike, me qëllim ofrimin e ndihmës për të gjithë sektorët kryesorë të ekonomisë. Bashkëpunimi ndërkombëtar – në formën e asistencës financiare dhe të koordinimit të politikave – është thelbësor për të lehtësuar kostot e ekonomive në zhvillim dhe për të shmangur përhapjen negative në shkallë rajonale dhe globale.” – është shprehur guvernatori duke sugjeruar se në adresimin e çdo sfide afatshkurtër, politikëbërësit duhet të ruajnë një sens perspektive mbi ndikimin që ato kanë në qëndrueshmërinë monetare dhe financiare të vendit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë