Lajme

Sejko në Klubin e Guvernatorëve, besimi ndaj Bankës Qendrore kyç për zhvillim afatgjatë

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko ka marrë pjesë ne në takimin e 41 të Klubit të Guvernatorëve të vendeve të Azisë Qendrore, Rajonit të Detit të Zi dhe Ballkanit i zhvilluar në Stamboll, Turqi.

Gjatë punimeve të Klubit, pjesëmarrësit diskutuan mbi zhvillimet më të fundit ekonomike botërore dhe rajonale, si dhe sfidat me të cilat përballen bankat qendrore: qëndrueshmërinë e çmimeve dhe garantimin e stabilitetit financiar. Të pranishmit diskutuan gjerësisht edhe për disa çështje të tjera me rëndësi, si qeverisja institucionale e bankave qendrore dhe komunikimi i procesit të vendimmarrjes.

Në këtë aktivitet, Guvernatori Sejko, prezantoi një punim në panelin me temë “Komunikimi i bankës qendrore për rritjen e efektshmërisë së politikave: forcimi i njohurive dhe ndërtimi i besimit”.

Gjatë prezantimit, Sejko theksoi se ndërtimi i besimit të publikut te institucioni i bankës qendrore është një proces i gjatë dhe i vështirë, por rritja e transparencës dhe komunikimi i vazhdueshëm janë faktorë kyç për suksesin e këtij procesi. Në këtë kuadër, Banka e Shqipërisë i kushton një rëndësi të veçantë komunikimit të saj me publikun, jo vetëm për të përmbushur maksimalisht llogaridhënien e saj si institucion i pavarur, por edhe si një mjet për rritjen e efektivitetit të politikave të ndërmarra prej saj.

Guvernatori Sejko, në përfundim të prezantimit të tij, theksoi se komunikimi i Bankës së Shqipërisë synon ta konsolidojë atë si një institucion i përgjegjshëm, i besueshëm dhe eficient. Një institucion i tillë kontribuon në zhvillimin afatgjatë makroekonomik, përballimin e sfidave kombëtare dhe integrimin evropian të vendit.

Klubi i Guvernatorëve u krijua në vitin 1998, me nismën e Bankës Qendrore të Republikës së Turqisë. Vendet anëtare të këtij Klubi janë 26: Shqipëria (që në vitin 1998), Greqia, Turqia, Rumania, Bullgaria, Bosnje-Hercegovina, Maqedonia, Serbia, Mali i Zi, Federata Ruse, Ukraina, Izraeli, Azerbajxhani, Armenia, Gjeorgjia, Kazakistani, Kirgistani, Moldavia, Taxhikistani, Kina, Çekia, Polonia, Kroacia, Sllovenia, Bjellorusia dhe Hungaria. Qëllimi i tij është të forcojë lidhjet midis bankave qendrore të rajonit dhe të nxisë bashkëpunimin rajonal nëpërmjet shkëmbimit të eksperiencave më të mira e trajtimit në tryeza të rrumbullakëta në nivel guvernatorësh ose ekspertësh të çështjeve problematike të momentit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë