Para

Sejko: Bujqësia në agjendën e Bankës për më shumë përfshirje në kreditim. Fokus dhe në financat e gjelbra

Nga Gazeta ‘SI’ - Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha këtë të martë se bujqësia ka mbetur sektori me përfshirje më të vogël në sistemet financiare, specifikisht në kreditim, duke shtuar se kjo duhet të bëhet pjesë e agjendës së bankës. Guvernatori u shpreh se ky sektor ka potencial të madh si në tregjet vendore ashtu edhe në ato të huaja, por vijon të ketë nevojë për adoptimin e teknologjive dhe proceseve të reja të prodhimit.

Në takim, me përfaqësinë e Bankës Botërore dhe drejtuesit e bankave tregtare, Sejko tha se në tërësi sektori bankar në vend është i mirëkapitalizuar dhe likuid, por se ka ende për të bërë në rritjen e rolit të vet si kontribuues i qëndrueshëm i ekonomisë.

“Me qëllim mbështetjen e zhvillimeve të tregut, Banka e Shqipërisë po punon gjithashtu edhe në drejtim të përmirësimit të sistemeve të pagesave për prezantimin e standardeve të reja të komunikimit dhe shërbimeve, të cilat ndihmojnë në adresimin e nevojave infrastrukturore. Konkretisht, në vitin 2021 është arritur një nivel i përdorimit të pagesave elektronike prej 12.5 pagesash për frymë, duke tejkaluar edhe objektivin e synuar të Strategjisë prej 10 pagesash deri në fund të vitit 2023, ndërkohë që, në vitin 2022, kjo shifër vlerësohet të ketë arritur nivelin 16 pagesa për frymë”, - tregoi Guvernatori.

Sejko u ndal edhe tek zhvillimi i financave të gjelbra, si një fushë e rëndësishme që ka nevojë për veprim të shpejtë dhe të fokusuar "për të adresuar përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike, zbutjen e rreziqeve dhe kapjen e mundësive që ofron financimi i gjelbër".

“Në këtë kontekst, pa cënuar treguesit e tij të shëndetit, jam i bindur se sektori bankar do të dijë të pozicionohet si një agjent mbështetës zhvillimi. Ky sektor duhet të rrisë vëmendjen dhe kapacitetet e tij financuese, analizuese dhe këshilluese, duke përmbushur misionin e tij në zhvillimin e qëndrueshëm të vendit”, u shpreh Sejko.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë