Para

Sejko: 69% e shqiptarëve kanë një llogari bankare, pagesat me kartë po bëhen të përditshme

Pagesat me kartë dhe ato homebanking po bëhen gjithnjë e më shumë pjesë e përditshmërisë së shqiptarëve.

Kështu deklaroi Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në mbledhjen e Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave.

“Konkretisht volumet e pagesave me kartë janë rritur ndjeshëm, sidomos gjatë pesëvjeçarit të fundit (2018-2022), duke shënuar një trend mesatar rritës prej rreth 40% në vit; si dhe është shënuar një rritje e konsiderueshme me 78% e numrit të terminaleve POS gjatë së njëjtës periudhe.

Këta tregues janë dëshmi e rritjes së përdorimit të instrumenteve elektronike nga konsumatorët, gjë që ndikon pozitivisht edhe në formalizimin e ekonomisë. Gjithashtu, nga të dhënat e disponuara sa i takon volumit të transaksioneve homebanking për këtë 9-mujor, rezulton se është shënuar një rritje prej 22%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke vijuar trendin rritës të shfaqur ndër vite”, tha Sejko.

Ai shtoi se këto të dhëna diktojnë se shqiptarët kanë një nivel relativisht të kënaqshëm të përfshirjes financiare, ku pothuajse 69% e popullsisë zotëron një llogari.

“Objektivi ynë fillimisht ishte arritja e një niveli të përfshirjes financiare të popullsisë në masën 70%, por vlerësojmë se në periudhën afatshkurtër ky nivel do të tejkalohet, duke shënuar përafrim të ndjeshëm me vendet e Ballkanit dhe ato të Bashkimit Europian”, citoi ai.

Më tej Sejko theksoi se BSH ka ndërmarrë edhe një sërë masash të tjera, si krijimi dhe operimi i sistemit AIPS-EURO për pagesat ndërbankare në Euro brenda vendit.

“Tashmë shqiptarët, në përditshmërinë e tyre, po ndjejnë efektet e këtij sistemi, i cili i ka bërë të mundur shmangien e radhëve të gjata nëpër sportelet e bankave për kryerjen e pagesave në euro nga njëra bankë në tjetrën, dhe uljen e komisioneve të larta të aplikuara nga transferimi nëpërmjet bankave korrespondente.  

Krijimi i këtij sistemi, së bashku me diferencimin e komisioneve për pagesat elektronike të procesuara në të, duket se ka qenë mjaft efektiv. Nga janari deri në fund të muajit tetor të këtij viti, nëpërmjet sistemit AIPS EURO, janë procesuar rreth 120 mijë pagesa dhe rezulton se, për këtë periudhë, konsumatorëve dhe bizneseve shqiptare t’u jenë kursyer përafërsisht 10 milionë euro”, deklaroi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë