Politike

Seancë me tensione këtë të hënë në Kuvend. Bardhi u kërkon gjithë të përjashtuarve të jenë në sallë. Garda merr masa

Një seancë e zjarrtë pritet të jetë ajo e së hënës në Kuvendin e Shqipërisë. Sali Berisha dhe 22 deputetë të tjerë të opozitës janë përjashtuar nga Kuvendi, me ndëshkimin maksimal të 10 ditëve, sepse bllokuan seancën e fundit. Komisioni i Etikës ka shkruar se dënimi fillon më 20 tetor dhe përfshin edhe ditën 30 tetor. Demokratët llogarisin se nëse përfshihet dhe e hëna, dënimi i tyre është 11 ditë, dhe e konsiderojnë këtë të papranueshme, kur dënimi maksimal në Rregullore është 10 ditë.

Por Gazment Bardhi u ka dërguar një mesazh deputetëve të Rithemelimit për të shkuar në seancën e nesërme plenare në Kuvend, pavarësisht përjashtimit.

“Nesër e hënë, ora 17:00, është planifikuar seanca e radhës plenare. Pavarësisht vendimit të përjashtimit arbitrar, i cili parashikon përjashtimin tonë për 11 ditë, ne duhet të jemi të gjithë në seancë.
Për këtë qëllim, mblidhemi të gjithë bashkë në orën 16:30 për të shkuar në grup në seancë. Ndërkohë, mbledhja e radhës e grupit do të zhvillohet si zakonisht, të martën, datë 31 tetor, ora 13:00. Ju përshëndes!”, shkruhet në mesazhin e Bardhit drejtuar deputetëve të Rithemelimit.

Ndërkaq Garda e Republikës është njoftuar shkresërisht që të mos i lejojë 23 deputetët të futen në seancë.

Herën e kaluar deputetët opozitarët bllokuan karriget e kryetares së kuvendit dhe ministrave. Por kësaj radhe oficerëve të sigurisë së Gardës u është kërkuar që mos e lejojnë këtë gjë, ndaj ata do të jenë më herët në sallë.

Por përveç kësaj arsyeje të parë për përplasje në Kuvend, seanca pritej gjithsesi e tensionuar, pas vënien nën hetim të Sali Berishës për korrupsion dhe arrestimit të dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë