Politike

Seancë e ngarkuar në Kuvend, shqyrtohen raportet vjetore të institucioneve të drejtësisë

Nga Gazeta ‘Si’- Kuvendi i Shqipërisë do të zhvillojë seancën e radhës plenare këtë të hënë, më 20 korrik, duke nisur nga ora 12:00.

Teksa seanca është thirrur nga Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, në fillim të saj deputetët do të miratojnë procesverbalin e mbledhjes së kaluar dhe do të vijojnë me njoftimet zyrtare.

Më pas, një nga çështjet kryesore që do të diskutohet është Raporti i Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian për vitin 2025, dokument që paraqet ecurinë e procesit të negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian dhe punën e institucionit përgjegjës për monitorimin e këtij procesi.

Raporti do të prezantohet nga bashkëkryetarët e Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian.

Në rendin e ditës është përfshirë edhe shqyrtimi i projektligjit “Për shoqëritë evropiane të bashkëpunimit (SHEB)”, një nismë që synon përafrimin e mëtejshëm të legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Evropian.

Projektligji do të prezantohet nga nismëtarët dhe do të shqyrtohet nga Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, si edhe nga Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike dhe Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme, përpara se të hapet debati në sallën plenare.

Një pjesë e konsiderueshme e seancës do t’i kushtohet shqyrtimit të raporteve vjetore dhe miratimit të projektrezolutave për një sërë institucionesh të rëndësishme kushtetuese dhe të sistemit të drejtësisë.

Deputetët do të diskutojnë fillimisht veprimtarinë e Avokatit të Popullit për vitin 2025, raport që do të paraqitet nga vetë Avokati i Popullit, ndërsa më pas do të shqyrtohet projektrezoluta përkatëse.

Në vijim, Kuvendi do të analizojë raportet e Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), dy institucionet kryesore të qeverisjes së sistemit të drejtësisë, të cilat do të paraqesin bilancin e punës së tyre për vitin 2025 përpara deputetëve.

Po ashtu, në rendin e ditës janë përfshirë edhe raportet vjetore të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), Prokurorisë së Përgjithshme, Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), si dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD). Për secilin prej këtyre institucioneve do të shqyrtohen projektrezolutat përkatëse, të cilat synojnë vlerësimin e veprimtarisë së tyre gjatë vitit 2025.

Nëse kërkohet zhvillimi i debateve parlamentare për këto raporte, ato do të zgjasin deri në 120 minuta secili, me kohën e ndarë mes grupeve parlamentare. Sipas minutazhit të përcaktuar, Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste do të ketë 71 minuta në dispozicion, Partia Demokratike 30 minuta, grupi “Aleanca për Ndryshim” 6 minuta, Partia e Lirisë 6 minuta, ndërsa deputetët jashtë grupeve parlamentare do të kenë gjithsej 7 minuta.

Në përfundim të seancës plenare, deputetët do të kenë mundësi të diskutojnë edhe për çështje jashtë rendit të ditës, sipas parashikimeve të Rregullores së Kuvendit.

Çdo deputet mund të mbajë një diskutim deri në pesë minuta, ose deri në tetë minuta nëse flet në emër të grupit parlamentar, ndërsa koha totale e këtyre diskutimeve nuk mund të kalojë 60 minuta.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë