Lajme

Seancë dhe protestë, forca të shumta policie para Parlamentit

Ndërkohë që pritet të mblidhet seanca plenare e radhës në Parlament, nga ana tjetër, policia ka bllokuar hyrjen e pedonales që në orët e para të mëngjesit në kuadër të protestës së opozitës, e thirrur në orën 10:00 të ditës së sotme.
Shumë mbështetës nga rrethet janë nisur drejt Tiranës për këtë protestë që do të zhvillohet përpara Parlamentit. Rreth 800 forca të uniformave blu nga rendi, Shqiponja, FNSH dhe Garda e Republikës janë vendosur te Kuvendi.

Për të shmangur çdo incident në hyrjen e deputeteve, hyrja e Pedonales është e bllokuar me skela për të penguar çdo tentativë të protestuesve. Pas pengesës metalike të krijuar do të vendosen edhe punonjës policie para Kuvendit.
Ndërkohë dje gjatë mbledhjes së grupit të PS, kryeministri Edi Rama tha se nuk do ketë skena si të javës së shkuar para parlamentit. Gjithashtu, edhe ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka thënë gjatë mbledhjes së grupit të PS se policia do të garantojë sigurinë e deputetëve gjatë seancës së sotme.
Deputetët e PS i kanë kërkuar Ministrisë së Brendshme të garantojë sigurinë fizike të tyre, nisur nga protesta e fundit ku disa deputetë u sulmuan nga protestuesit.
Deputetëve të mazhorancës u është dhënë urdhër qe të jenë prezent në seancë në orën 09:30, por duket se ata kanë shkuar më herët.
Protestat e njëpasnjëshme dhe të dhunshme të opozitës së bashkuar e kanë detyruar Policinë e Shtetit që të vendosë në gatishmëri një numër punonjësish policie, pasi bëhet fjalë për ruajtjen e institucioneve të rëndësisë së veçantë.
Policia pritet që të angazhojë sot pothuajse të njëjtin numër punonjësish të rendit, Shqiponjat, FNSH si edhe Gardën e Republikës, por në ndryshim nga herët e tjera po sheh mundësinë që për të rritur sigurinë e deputetëve dhe parlamentit, të krijojë një kordon me skela përgjatë oborrit.
Policia ka informacion se një pjesë e protestuesve kanë marrë masat për t’u mbrojtur nga gazi lotsjellës. Në rast se kjo formë nuk do të funksionojë për të shpërndarë turmën atëherë në veprim do të hyjnë autobotet, të cilët mund të hedhin ujë me presion deri në 100 metra.
Sipas protokollit, autobotet do të përdorin ujë me ngjyrues për të bërë të mundur identifikimin e protestuesve që tentojnë të cenojnë institucionin. Në vende të caktuara në sheshin para Parlamentit, janë vendosur edhe kamera me rezolucion të lartë për të regjistruar e më pas evidentuar çdo person që do të tentojë sulmin ndaj institucionit të Parlamentit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë