Ne rrjet

Seanca e parë për shkarkimin e Trump, 13 orë debat në senat

Seanca e parë në Senat për shkarkimin e presidentit amerikan Donald Trump ka kaluar me13 orë debat të ashpër mes demokratëve dhe republikanëve.

Demokratët nuk i kursyen përplasjet me avokatët e zotit Trump, i cili ndodhet në Forumin Botëror të Davos, ndërsa republikanët kundërshtuan kërkesat e tyre për pjesëmarrjen e shumë dëshmitarë. Gjatë gjyqit, ligjevënësit demokratë do të jenë në rolin e prokurorëve.

Gjyqi do të rifillojë sot, me argumentet e paraqitura nga demokratët që hetuan çështjen, të cilat do të pasohen nga argumentet e paraqitura nga avokatët e Trump. Ai është presidenti i tretë amerikan që i nënshtrohet një seance për shkarkimin në Senatin Amerikan.

Trump është akuzuar për shpërdorim pushteti dhe pengim të hetimeve. Procesi i shkarkimit u çua përpara nga Dhoma e Përfaqësuesve e udhëhequr nga demokratët. Por në Senat, i cili kontrollohet nga republikanë, pritshmëritë që Trump të shkarkohet nga detyra janë të pakta.

Duke folur nga Forumi Ekonomik Botëror në Davos, Trump hodhi poshtë akuzat ndaj tij si "thjesht një mashtrim".

Sipas rregullave për të cilat u ra dakord në ditën e parë të seancës, demokratëve dhe ekipit ligjor të Trump do t'i jepet deri në 24 orë për të paraqitur argumentet e tyre, për tre ditë. Seanca e parë do të fillojë të mërkurën pasdite. Pas saj, një tjetër seancë pritet të mbahet në fillim të javës tjetër, ku senatorët do të kenë një shans të bëjnë pyetje. Atyre u janë dhënë 16 orë.

Pastaj vëmendja do të kthehet në çështjen kryesore të dëshmitarëve dhe provave të reja.

Demokratët duan të dëgjojnë nga ndihmësit e Truump të Shtëpisë së Bardhë, të cilët bashkëpunuan ngushtë me presidentin për çështjen e Ukrainës. Shefi i Shtabit Mick Mulvaney dhe ish Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, John Bolton pritet të thirren për të dëshmuar.

Donald Trump, Gazeta Si, janar 2020

Por shumica e republikanëve pritet të kundërshtojnë paraqitjen e dëshmive të reja.
Me një votim 53 kundër dhe 47 pro, Senati refuzoi tre kërkesa të demokratëve për të paraqitur dokumente dhe prova të reja.

Avokatët e Trump këmbëngulin se presidenti nuk bëri “asgjë të jashtëligjshme” kur i kërkoi Ukrainës të hetonte ndaj rivalit të tij, por demokratët thonë se presidenti u përpoq të përfitonte politikisht.

Republikanët e kanë bërë të qartë se duan që gjyqi të bëhet sa më shpejt të jetë e mundur dhe të përfundojë me pafajësinë e zotit Trump.

Udhëheqësi i pakicës në Senat, demokrati Chuck Schumer tha të hënën në mbrëmje se një gjyq pa paraqitje provash, dëshmitarë ose dokumenta “nuk është aspak gjyq”.

“Kur lexon rezolutën e hartuar nga Senati është e qartë se ai është i vendosur që ta bëjë sa më të vështirë thirrjen e dëshmitarëve dhe paraqitjen e dokumentave. Synimi i tij është që gjyqi të bëhet me nxitim. Duke pasur parasysh se sa i rëndësishëm dhe serioz është një proces shkarkimi, rezoluta është një turp kombëtar”, tha senatori Schumer.

Gjyqi është transmetuar edhe në kanale televizive dhe po zhvillohet në periudhë kritike për partitë politike në SHBA, pasi demokratët janë duke u përgatitur për raundin e parë të zgjedhjeve, për të zgjedhur kandidatin që do të sfidojnë Trump në zgjedhjet e muajit nëntor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë