Politike

Schultz: Shqipëria nuk hyn në BE për të paktën 15 vjet!

“Hapja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut nuk ka gjasa të ndodhë në qershor”. Ky ka qenë mesazhi i papritur ish-Presidentit të Parlamentit Europian Martin Schultz të enjten, i cili thekson se as Shqipëria dhe asnjë vend tjetër nga Ballkani Perëndimor nuk do të anëtarësohet në BE, për të paktën 15 vjet.

Duke folur për zgjerimin e Bashkimit Evropian në vitet e ardhshme, Schultz, dekaklaroi se asnjë shtet i ri nuk do të pranohet në union dekadën e ardhshme pa plotësuar të gjitha kriteret e anëtarësimit.

“Nuk do të ketë asnjë pranim të ri në BE dhe për këtë po mendon qeveria austriake. Anëtarësimi i vendit të parë të Ballkanit Perëndimor, i cili do të plotësojë kriteret për anëtarësim në BE do të zgjasë edhe 15 deri në 20 vjet”, u shpreh deputeti gjerman i ftuar në një emision televiziv rreth largimit të Mbretërisë së Bashkuar nga BE.

Martin Schultz

Shqipëria u përmend nga deputeti gjerman pas pyetjes së gazetares, mbi një dokumentar të transmetuar së fundmi ku thuhet se dalja e Britanisë nga BE-ja së do të zëvendësohet me vende të reja, si Shqipëria. Martin Schultz iu përgjigj me një shprehje ironike gati tallëse të gjuhës gjermane, dukë thënë se: “Jam komplet i mahnitur”. Ironia u cua më tej nga gazetari Roland Tichy duke thënë se ky është një “shkëmbim i madh”. Një kundërpërgjigje e shpejtë ka ardhur nga qeveria austriake e cila deklaroi është pro hapjes së bisedimeve me vendet e Ballkanit Perëndimor, por ka frikën se me anëtarësimin e vendeve të rajonit do të cenohet siguria e vendeve të BE-së.

Por sa serioze janë paralajmërimet e Schultz dhe sa nga vendet anëtare janë kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë?

Në fakt dy nga shtetet më të fuqishme të Europës kanë paralajmëruar prej kohësh se mund t’i mbyllin derën Shqipërisë. Presidenti Emannuel Macron dhe parlamenti holandez kanë kundërshtuar anëtarësimin e vendit tonë në Bashkimit Europian, duke theksuar se Shqipëria nuk është ende gati. Në korrikun e shkuar, 125 deputetë të parlamentit holandez kanë votuar kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë, pasi shumica e partive kishin shprehur kritika mbi zbatimin e reformave në Shqipëri, kryesisht vettingun dhe reformën në drejtësi.

Edi Rama dhe Emmanuel Macron

Holanda solli një mision faktmbledhës në vendin tonë me shtatë deputetë nga partitë kryesore parlamentare. Ata shprehën skepticizëm dhe kanë thënë se Shqipëria nuk është gati për hapjen e negociatave. Ata zhvilluan takime me Kryeministrin Rama, kreun e opozitës Basha dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Por Holanda nuk është e vetmja që mund t’i vërë veton hapjes së negociateve të anëtarësimit me Shqipërinë. Franca dhe Danimarka kanë sinjalizuar gjithashtu se nuk e mbështetin anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian. Sipas atyre që thuhen në qarqet e KE-së dhe qeverisë gjermane, nuk është ende e qartë nëse Komisioni Evropian do të japë dritën e gjelbër në nisje së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Madje Presidenti francez Emmanuel Macron dëshiron që çështja e zgjerimit të mos diskutohet fare para zgjedhjeve të Parlamentit Europian.

Ai ka frikë se kjo çështje do të tërheqë skeptikët e BE-së, dhe dëshiron të sigurojë shumicën e gjerë në Parlamentin Europian për reformat e tij. Gjatë samitit të Sofjes, Macron u tregua mjaft skeptik mbi anëtarësimin e Shkupit dhe Tiranës. Ndërkohë, një artikull i publikuar nga gazeta austriake “Der Standart” në shtator theksonte se Parisi po i bën rezistencë negociatave me Shqipërinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë