Kosova

Scholz: Prioritet Procesi i Berlinit, mbështesim Ballkanin e Hapur nëse nuk bie ndesh

Gjermania e mbështet Ballkanin e Hapur përsa kohë nisma është gjithëpërfshirëse, nuk bie ndesh me Procesin e Berlinit dhe pikat e vendosura në këtë proces për tregun e përbashkët rajonal të zbatohen pa asnjë devijim.

Ky ishte mesazhi që dha nga Prishtina kancelari gjerman, Olaf Scholz në konferencën e përbashkët për shtyp me Albin Kurtin.

“Ne prioritet të madh i japim tregut të përbashkët rajonal (Procesi i Berlinit), që duhet të përparojë. Për çështje që janë brenda këtij procesi mund të realizohen dhe çohen përpara. Është me rëndësi që të arrihen objektivat që mund të arrihen”, tha ai.

LEXO EDHE:
- DASH: Pro çdo nisme për fuqizimin ekonomik të Ballkanit

- Lavrovi ‘dominon’ Ballkanin e Hapur, Rama-Vuçiç: Ishte ideja jonë! S’ka asnjë tjetër në mes
- Marrëveshjet e Open Balkan: Ç'është nënshkruar deri tani
- Çfarë e pengon Malin e Zi dhe Bosnjen që të bëhen pjesë e Ballkanit të Hapur

Përsa kohë përmbushet ky kusht, sipas Scholz, çdo vend i Ballkanit Perëndimor është i lirë që t’i bashkohet Ballkanit të Hapur.

“Të gjitha vendet duan anëtarësimin nën Bashkimin Europian dhe në BE këto rregulla janë në fuqi. Kushdo që dëshiron t’i ndjekë më shpejt, është i lirë t’i ndjekë”, tha Scholz.

Mbështetjen dhe bashkëpunimin në kuadër të Procesit të Berlinit e përsëriti edhe Kryeministri Albin Kurti, por duke përsëritur tërthorhazi gjithashtu edhe mosbesimin ndaj Ballkanit të Hapur, që e konsideron një nismë serbe.

“Ne mbështesim njohjen e ndërsjellë të dokumentave, lëvizjen e lirë të qytetarëve, mallrave dhe kapitalit. Ne jemi mendojmë se marrëveshjet për tregun e përbashkët rajonal duhet të lidhen shpejt”, tha Kurti.

Nga ana tjetër, Kancelari Scholz e bëri të qartë për Serbinë se anëtarësim në BE pa njohjen e Kosovës nuk mund të ketë.

“I dërguari i posaçëm i BE, Miroslav Lajçak ka mbështetjen tonë të plotë. Dialogu është e vetmja rrugë. Një qëndrim konstruktiv është në interes të të gjithëve dhe nevojitet një marrëveshje politike mes dy vendeve. Është kusht i rëndësishem. Marrëveshja të zgjidhë edhe njohjen e Kosovës, sepse është e paimagjinueshme që dy vende që nuk njohin njëra-tjetrën të bëhen anëtare të BE”, tha ai.

Kancelari përsëriti mbështetjen e Gjermanisë për liberalizimin e vizave dhe deklaroi se BE duhet të ecë përpara me këtë vendimmarrje, ndërsa Kryeministri Kurti u shpreh se Kosova do të kërkojë zgjatjen e misionit të KFOR-it deri kur vetë Kosova të jetë anëtare e plotë e NATO-s.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë