Politike

Satira e Gjekmarkajt: Kam një merak, kë do kem shef tani? Këta të PS vallahi janë ndarë në tre grupe t’i hanë kokën njeri tjetrit

Nga AGRON GJEKMARKAJ- Festat kaluan, po lanë pas çudira. Na pushtoi tahmaja e të ngrënit ajo lubi që plot rrengje i punon njeriut të gjorë. I pari e pëson gjumi nga i cili dalin uturima si zhgalitje muri. Endrrat përziejnë të shkuarën me te ardhmen.

Dy të tilla me shënjuan ndërrimin e viteve me ndonjë gromësime në mes si ndarje epokash.

Njëra me personazh Kryezevendës Liderin Muli dhe tjetra me Babon. E para kishte temë partinë, bashkimin e dyta qeverinë, performancën dhe inteligjencen artificiale. U poqëm me Mulin ndanë një strehe që të mos lageshim nga shiu. Ai erdhi i menduar siç i ka hije. Dy rrudha koha me derte ja kishte qendisur mbi ballë. U përqafuam me mall si dy luftëtarë lirie pas beteje. Nga një duhan drodhëm. Pas një pauze të nevojshme që mendimet të shndërrohen në fraza si belcia që del raki filluam muhabenë.

Regjimi tha na izoloi Doktorin, demokracia është në tërheqje, Opozita nën agresion duhet bashkim, dilemat janë oportunizem dhe shkelje syri ndaj kreut të meduzes.

Ndonëse më sëmboi diçka në gji miratoja me kokë. Fola unë pas një copë here: ne kemi qënë të gjithë vartës të Doktorit padrejtësia ndaj të cilit na dhëmb, madje krejt Shqipëria, ti e di edhe të Lulit. Kur na tha ai  e bëmë hasha, dhe mirë qamet kemi bërë.

Po ja tani kur të vi aty kam një merak kë do kem shef, kush do mi përgatisë deklaratat që do lexoj, kush do ma masë performancën, cili do më qortojë për gabimet e kush do më lëvdojë për sukseset? Gjithmonë kam patur dëshirë te jem vartës i Banës. Po nëse ajo s’ka nge sepaku i Aldos ose Akilit se Oerdi me Luçon janë më nopranë ata me zor pranojnë dhe ofiqin tën si Kryezëvendës Lider që historia ta skaliti.

Jo, jo mos e kij atë hall më dha siguri. Ti do ti marrësh direktivat drejt e nga Doktori si Salianji, si dikur Abat Doçi nga Papa, nëpërmjet meje që s’ta kam me hile. ( psheretiva, këtë e di i thashe nën zë).

Ndërsa për grupin e mesit  vazhdoi do caktojmë një komision 6 mujor monitorimi e ndërlidhjeje të udhëhequr nga zonja  Kalaja, zonja Edhit dhe zonja Garo qe të integrohen natyrshëm dhe pa stres.

Po e bëjmë sefte me një fraksion i thashë e pastaj shohim rrugës. Ndërhyri: kush ja ka parë hajrin pakicës behu pjesë e shumicës së shëndoshë me këshilloi dhe iku befas ashtu siç kishte ardhur.

Barkun e ndieja të rëndë , fyti më ishte tharë. Shyqyr mu gjend aty afer një sapllakë me ujë dhe ja qita fundin, si turbinë e tërhiqja. U solla u mbështolla e me zu prapë i ziu gjumë.

Po një tjetër ëndërr ra mi mua. Me ngjau se isha në zyre dhe më ra telefoni. Të kërkon Babo me xhebral me thanë. Po hazer jam u gjegja ! Me muarën ca zaptie dhe me shpunë në një konak, ku në një shilte të madhe, me brandaveke veshur, një çallme në kokë, tespie në dore si sulltan rrinte Babua. Hajer Padishah bëm kabull se nuk di pse me ke thirrur?!

Ai nuk foli menjëherë po trazonte xhezvenë mbi zjarr dhe dikur më pyeti si t’u duk promocioni i inteligjences artificiale të vitit 2030? Nuk po kuptoja ambienti ishte si i 1453 pyetjet për 2030. Punë ëndrrash hesapi. Mblodha veten.

Po ç’ të them u përtypa, birinxhi, gezim i madh qe, e fjalet janë të varfra për ta shprehur. I kam ca pyetje nga aktualiteti por edhe për motet në vazhdim. Hajer Padishah !

E kam patur një si mërzi , një si re në kokë per këtë Tezen bile me pat dalë njollë edhe në filxhan po tani m’u vërtetua. Nuk ndërhyra e lashë të vazhdonte. Nuk u besova syve ku per 10 milonë turistet ajo falenderonte stafin e asaj palo ministri që e kam per hudhër. Po rilindja urbane, po samitet dhe intervistat, hokat e qyfyret , pjatat me fytyrën time qe ju dhurova liderve, atë që Mamica e tha me mirë se kushdo per munxet që i tregova ambasadorit rus në OKB dhe ke falenderon ajo stafin e saj e veten?!  Një heshtje e murretyer na ndau per disa sekonda.

Kroi pak fytin dhe desh te dinte si i kemi punët ne të Opozitës po ja ashtu na ke vënë zjarre e fshehur dorën  por po te zunë  do ta presin. Mos bini në dëshpërim këshilloi me ju që jeni grup i madh me 43 veta do merrem vete se keni nevoje per lider të fortë.

U shkrytha pak e reagova po ja sikur jemi me mësuar me shef Taon. Joo ai ka në patronazh Lulin e properendimorët e tjerë tha. Hajër!

Meqë ra fjala si t’u duk tek Topi ai ? Ç’thua i thashë ne pame  të gjithë ty tek Klani e na kënaqej shpirti. Marshallah, marshallah.

Llafe po përhapen tha që keta të mitë po ziren?! Po vallahi janë ndarë në tre grupe dhe duan ti hanë kokën njeri tjetri që ju plaçin sytë. Qefiret bëzani më parë do jua kepus unë atyre. Aferim aferim.

A mendon që duhet ta freskoj pak qeverinë nga Pranvera? Po shto verioret se e ke bërë fare toskeri përfitova unë dhe rrugët andej te gjitha i bën bahçe me bahçe , ne këtej sipër jetim me kale e gomar gerxheve.

Po ja kam Ulsinë tha ndonëse deshën ta hanë gjallë dy burra e dy gra për t’i zënë vendin po Ulsia është esnaf ma do xhani. Bela sikur po të rri rënde këto kohë? Jo mo është e zënë me pune vatani po më ka në vemendje bereqavers, shendet te ketë.

Si duket Ogi te arsimi a u rehatua? Jangëllesh i thashë, ardhi tek ne paret tek fakulteti ynë e na daroviti me haberre, me zor e lamë të ikte se na u bë si e shtëpisë.

Të kanë parë një ditë me Ditmarin apo jo mu drejtua? Po e vërtetë kishte merakun e Nikos meqenëse nuk shihen me po zemra i pikonte mall, me dha ti shpie dy litra raki ca ftonj e pak mjaltë se kohe virozash e duhet per kalamaqerit.

Po pse zgjodhi ty jo Damon u bë kureshtar? Po Nikoqiri nuk takohet me të deklasuarit , nuk e turbullon bindjen. I lodhshëm realiteti pohoi, as une se lexoj më, këta firaunë me tejkalojnë në dëshira. Le të flasim për inteligjencen artificiale dhe të ardhmen. Ashtu u bëfte.

Sikur tha të bëj një ministri të vreshtave e rakise e në krye të saj të ve Bujarin e Lushnjes? Unë: prishur mos qoftë. Nëse një tjetër sajoj për të mbjellat e të korrat dhe si adapt çoj Bafton? Unë: prishur mos qoftë.

Një dikaster për lotët e gëzimit se veç gezime do kemi në vazhdim, s’ke kundërshti për Laertin?! Jo skam vallahi e ka treguar me vepra. Për Virtytin kundër vesit edhe ty mendja tek Toni te vete? Sigurisht pa asnje dyshim.

Po për nostalgjitë dhe sevapin politik? Unë nuk fola , ç’ me duhej të bëja isha pa patur pula? Mimi du Puccini, Ermon apo Etilden? Nëse ma degjon fjalën, izem Padishah them Etilden si më melankolike.

Atë do bëj. Bora asokohe me gjithë këtë kontribut do jetë Kryetare Parlamenti. Tunda kokën. A ta bej një rixha?

Jepi tha ai me zemërgjerësi. Ministrinë e Bakllavasë jepja Antoneta Dhimes se e qan, ka bere një për vit të ri që të lepish gishtat. Byrekun e merr halle Ikonomi e di gjithë dynjaja. Qofte e bërë.

Atë të veteranëve të Rilindjes jemi një zëri për Pandin se do jetë plako burrë.

Dilon shef për vajin e këmbës. Margeritin them ta çoj në vend të Bakes. Nuk ngurrova aty, ky po që është sihariq.

Mamicën do u ve mbi krye  si trashigimtare retorike. Do i vë punet për fill e për pe.

Kështu Babo ishte plot vizione. Në të dalë më panë Jorushi i Tabakeve që çorri faqet dhe Lideri që kërkon perspektive Gazi që shtiu me çifte po saçmet nuk me morën. Def u bë gjumi. Firar qetësia. I paqartë horizonti as Kosta  i Gramozit dhe Lindites mes të mbajturit thatë diten e Krishtlindjeve e bollekut të natës së 31 dhjetorit, sdi me ç’ të thote! Thjesht flet me  vete si murg tibetian. Aren Pellumbi e sheh me bisht të syrit duke uruar ishallah e pat dhe ky. Rivalitet i vjetër!


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë