Futboll

Sarri qëndron te Juventusi dhe bën merkaton, një dritare për Hysajn

Juventusi ka vendosur të vazhdojë edhe për një sezon me Mauricio Sarrin në stol. Situata ka ndryshuar dhe tashmë fushata e afrimeve në merkaton e verës do të varet nga udhëzimet e trajnerit toskan. Dhe ky është një lajm i mirë për kapitenin e Kombëtares, Elseid Hysaj, një nga të parapëlqyerit e Sarrit.

Një sezon torturues, i mbushur me kritika dhe me një dashuri që nuk lulëzoi kurrë me ambientin dhe tifozët bardhezinj, nuk do të mbyllet me largimin e trajnerit Sarri nga Juventusi, të paktën nëse bardhezinjtë do ta administrojnë mirë diferencën prej 8 pikësh në 6 javët e mbetura. Pista e Guardiolës mbyllet pas vendimit të KAS-it, që i ka hequr dënimin Mançester Sitit. Edhe kuotat e Simone Inzagit bien, duke parë mbylljen që Lacio po i bën sezonit. Në këtë pikë, duan apo nuk duan drejtuesit e Juventusit, do ta mbajnë Sarrin edhe një sezon, duke parë fitimin e titullit.

Mauricio Sarri, trajneri i Juventusit. Gazeta Si, 13 korrik 2020

Një zgjedhje logjike, duke marrë në konsideratë faktin se Sarri është marrë për një projekt teknik afatgjatë. Por te Juventusi, nëse nuk fiton, pavarësisht projektit, shkon në shtëpi. Edhe perspektiva e merkatos bardhezi shtyn drejt konfirmimit të Sarrit. Ardhja e Arturit, këmbëngulja për Zhorzhinjon për të bërë lidhësin mes mbrojtjes dhe mesfushës, kërkesat për Xaniolon si sulmues krahu dhe Milik si pasues i Higuain, janë tregues të qartë për të ardhmen si bardhezi të trajnerit aktual.

Me lojtarët adaptë të futbollit të tij, Sarri nuk do të ketë alibi, edhe pse është i detyruar të administrojë anarshinë taktike të Dibalës dhe Kristiano Ronaldos. Me konfirmimin e Sarrit hapet një dritare edhe për Elseid Hysajn, mbrojtësin dhe kapitenin e Kombëtares. Shkodrani pritet të largohet nga Napoli dhe nuk është aspak çudi që Sarri të kërkojë në skuadër sezonin e ri, ndoshta edhe si alternativë në stol.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë