Treg

Sapunët nga vaji i ullirit që po ndryshojnë jetën e grave të Roskovecit

Ela është nënë e dy fëmijëve. Bashkëshorti i saj ka një paaftësi që ia bën të vështirë ditët ,  është i verbër. Familja jeton në një dhomë gjumi të një shtëpie të vjetër. Ëngjëlli, bashkëshorti i Elës, merr pension paaftësie në vlerën 10 mijë lekë. Ata e kanë të vështirë të mbijetojnë duke shitur prodhime agrobujqësore, të cilat i kultivojnë vetë në kopshtin e tyre. Ela dhe familja e saj përveçse duhet të përballen me varfërinë kokëfortë, duhet të përjetojnë edhe frustrimin me një botë e cila ende ngjan se nuk mund të pranojë tërësisht personat që nuk mund të shikojnë. Megjithatë, ata përherë e kanë gati një buzëqeshje.

Ela

Një ditë, Ela mësoi se një organizatë kishte bërë thirrje për aplikime për një kurs trajnimi ku mund të mësohej se si prodhoheshin sapunët artizanalë me vaj ulliri. Ela aplikoi dhe u pranua.

“E gjeta veten mes 20 grave dhe vajzave të tjera nga fshatrat përreth. Në fillim procesi më dukej i komplikuar. Mendova se nuk mund ta bëja kurrë. Si fillim nisën me teorinë e më pas me praktikën. Dy specialistë mbulonin pjesën teorike. Dy kimistë na drejtonin në procesin e prodhimit. Sapuni duhet të përmbajë vaj ulliri, ujë, sodë kaustike, aroma natyrale dhe vajra esencialë. Ne mësuam rëndësinë e masës së duhur të përbërësve dhe të mos e bënim sapunin shumë acid. Unë e ndoqa trajnimin për 6 muaj. Më në fund mësova t'i shkoja me sukses procesit deri në fund. Tanimë mendoj se është shumë e lehtë. Qendra e trajnimit shumë shpejt u kthye në një shtëpi të re për mua. Mezi pres të shkoj atje çdo ditë. Atje kam mundësi të takoj shumë gra dhe vazja me të cilat ndajmë shqetësimet dhe gëzimet e jetës, mbijetesën dhe mungesën e mundësive ekonomike për gra si ne. Kjo mundësi na erdhi si një dritë në fund të tunelit”.

Roskoveci është një qytezë me një peizazh të bukur gjeografik, por që përballet me situata të egra socio-ekonomike dhe një nivel të lartë papunësie, veçanërisht në radhët e grave dhe vajzave. Rajoni është i pasur me ullishte dhe pjesa më e madhe e familjave zotërojnë pemë ullinjsh që i përdorin për konsum personal.

Në kuadër të “Programit Rajonal për Demokraci Lokale në Ballkanin Perëndimor, (ReLOaD) të themeluar nga BE, PNUD në bashkëpunim me BE, po punon në 12 bashki në të gjithë vendin për të rritur e zhvilluar bashkëpunimin mes bashkive dhe organizatave të shoqërisë civile për të ofruar shërbime më të mira për qytetarët dhe për të forcuar demokracinë lokale. Programi ka gjithashtu për qëllim të forcojë kapacitetet e administrimit të bashkive dhe organizatave të shoqërisë civile për të menaxhuar projekte në linjë me standartet ndërkombëtare. Programi po ashtu synon të forcojë demokracitë pjesëmarrëse dhe procesin e integrimit të Shqipërisë në BE duke fuqizuar shoqërinë civile për të marrë pjesë aktive në marrjen e vendimeve dhe duke stimuluar një mjedis ligjor dhe financiar për shoqërinë civile. Roskoveci është një nga bashkitë e përzgjedhura.

"Investimi për Zhvillim Social" (SDI), një OJQ e specializuar në zhvillimin rural dhe fuqizimin e grave nëpërmjet integrimit në aktivitetet ekonomike, ka zbatuar projektin "Sapuni Organik i Roskovecit".


Elie Mazloum

Elie Mazloum, Drejtori Ekzekutiv i cili është qytetar Libanez por jeton në Tiranë, thotë se: "Duke u frymëzuar nga histori të suksesshme dhe përvoja nga projektet në Lindjen e Mesme që prodhojnë sapunë me vaj ullirit dhe duke pasur parasysh se sapuni është një produkt bazë i konsumit, i nevojshëm për njerëzit në rutinën e tyre ditore, Programi ReLoD ka në thelb idenë për të krijuar një zinxhir të vogël të vlerave nga fermerët e ullirit, përpunuesit e vajit të ullirit dhe për të trajnuar një grup vajzash dhe grash të papuna për të prodhuar sapunë nga vaji i ullirit dhe të krijojë gjithashtu një grup marketingu dhe shitjesh për produktin" .

Bashkia e Roskovecit është partnere e projektit, gjithashtu edhe bashkëfinancuese duke ka ofruar mjedise të lira që u bënë qendra e projektit. Kjo qendër shërbeu për trajnimin, prodhimin e sapunit, paketimin dhe inventarin e produkteve dhe takimet me grupin e prodhuesve. Duke qenë të vetëdijshëm se brandimi është një komponent vital i marketingut të produktit, SDI ka punuar me Bashkinë e Roskovecit dhe një studio grafike për të zhvilluar një markë të përbërë nga elementë autentikë. Logoja bart imazhin e një vajze që mban një shishe vaj ulliri - simboli i vetë qytetit. Paketimi është bërë me qasje ekologjike, pa plastikë, duke përdorur një përzierje të letrës së ricikluar duke i dhënë kështu një vlerë të shtuar artizanale sapunit. Nga fondet e projektit janë prodhuar, stampuar dhe paketuar në forma të ndryshme 2000 copë sapunë artizanalë.

Si pjesë e projektit, u përgatit një manual për marketing dhe shitje, shtatë gra nga grupi u trajnuan në teknikat e Marketingut. SDI ka filluar testimin e reagimit të konsumatorit ndaj produktit duke ekspozuar mostrat e produktit në shumë pika shitëse në Tiranë dhe qytete të tjera. Përfaqësuesit e projektit thonë se reagimi është inkurajues.

Sapuni kushton rreth 200 lekë. Një fushatë marketingu dhe ndërgjegjësimi për përmbajtjen e tij, përfitimet shëndetësore konsiderohet e rëndësishme.
"Produkti është tashmë në disa dyqane dhe kontrata e parë do të nënshkruhet në maj me një kompani që prodhon dhe shet produkte kozmetike natyrore në Fier", thotë Elie.

Eksperienca që ndryshojnë jetën

"Familja ime nuk besonte që unë mund të punoja e të isha pjesë e një procesi të vështirë e të prodhoja sapun derisa e panë me sytë e tyre. Unë mendoj se kjo ka forcuar edhe pozicionin tim në familje ", thotë Ela me sytë e saj në lot.

Historia e Elës nuk është unike. Të 20 gratë kanë historitë e tyre, histori të një jete të vështirë, me pamundësi, luftë dhe shpresë.
Zenepja, një grua 73-vjeçare thotë se fillimisht donte që vajza e saj të merrte pjesë në trajnim, por ajo kurrë nuk deshi. Unë shpresoj ta transferoj atë që mësova tek ajo. Nuk e imagjinoja kurrë se do të merrja një profesion në moshën time.

Zenepja

Sot gratë zgjedhin të vazhdojnë këtë udhëtim së bashku. Në këtë mënyrë ato mendojnë se mund të përfitojnë më shumë, sepse disa prej tyre janë të specializuar në procese të ndryshme të punës.

Ç'pritet më tej?

Grupi i grave synon ta transformojë projektin në një biznes social në pronësi të anëtarëve të zinxhirit të vlerës duke përfshirë fermerët, prodhuesit e sapunit dhe ekipin e marketingut.

Prodhuesit e sapunit të Rroskovecit

Bashkia Roskovec, është e angazhuar për të garantuar qëndrueshmërinë e qendrës së prodhimit pas përfundimit të këtij projekti. Një memorandum bashkëpunimi është nënshkruar tashmë midis grupit të prodhuesve të grave, Bashkisë dhe një organizate lokale. Kjo e fundit do të veprojë si një njësi shitëse në emër të grupit të prodhuesve.
"Pas lindjes së fëmijëve të mi, - thotë Ela, - ndjej se kjo ka qenë ngjarja më e bukur që po ndodh në jetën time. Unë nuk ndihem e pashpresë si më parë. Tani ëndrra ime po merr formë ".

*Burimi: PNUD


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë