Sulmuesi i kombëtares koreano-veriore, Pak Kwang-ryong, duhet të largohet nga St.Pölten, klubi i Bundesligës austriake, sepse sanksionet e Bashkimit Europian ndaj Koresë së Veriut e ndalojnë të zgjatë kontratën për të qëndruar në këtë vend.
Lajmi konfirmohet nga klubi austriak, që me një komunikatë zyrtare i uron fat futbollistit 27-vjeçar, i cili luan në Austri që nga viti 2017 dhe ka shënuar 5 gola në 13 ndeshje në sezonin 2019-20. Një këputje ligamenti e detyroi atë të mbyllte sezonin në fillim të qershorit, pas ndeshjes me Austrinë e Vjenës, që u mbyll në barazim, 1-1.

“Duhet t’i themi lamtumirë lojtarit tonë, sepse ai nuk mund të marrë më një leje qëndrimi në Austri. Kontrata me Pak Kwang-ryong Pak, për fat të keq, nuk mund të zgjatet. Faleminderit për impenjimin dhe golat që ke shënuar për ne. Suksese në të ardhmen Paki!” – shkruan St.Pölten në kanalet zyrtare në rrjetet sociale.
Klubi më parë deklaruar se do të bënte të gjitha përpjekjet ligjore për rinovimin me Kwang-ryong, sepse ishte i kënaqur nga paraqitja e tij. Nga momenti që koreano-veriori kishte ardhur në skuadër, realizoi 13 gola në 58 ndeshje. St.Pölten e mbylli sezonin në gjysmën e dytë të klasifikimit, duke siguruar qëndrimin në nivelin elitar të futbollit austriak. Bashkimi Europian ndërkohë i ka shtyrë edhe për një vit sanksionet kundër Koresë së Veriut për shkak të prodhimit të armëve nukleare dhe raketave balistike.
Burimi: Gazzetta dello Sport/ Përgatiti: Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.