Politike

Sandër Lleshi: Pse pranova ofertën e Ramës. PD: Është militant

Sandër Lleshi beson se emërimi në postin e ministrit të Brendshëm nga ana e Kryeministrit Edi Rama është falë punës si këshilltar i sigurisë kombëtare në pesë vitet e fundit.

“Besoj që ka ndikuar kjo periudhë që njihem me të sepse jam marrë me të. Si këshilltar kam detyrën që të punoj me agjencitë kryesore të zbatimit të ligjit, Ministria e Mbrotjes, NATO, shërbimet inteligjente dhe Policia e Shtetit. Kam koordinuar këto institucione në mënyrë të përhershme në këto 5 vite si këshilltar i Kryeministrit”, deklaroi ai në një intervistë dhënë për emisionin “Opinion”.

Oferta për të drejtuar një prej ministrive më të sulmuara nga opozita duket se ka qenë e papritur edhe për vetë Sandër Lleshin.

“E kam marrë vesh të premten në darkë. Tetë orë para jush. Unë s’kam patur ambicie politike. Unë jam këshilltar i Kryeministrit dhe ndaj shumë gjëra me të. Ishte një propozim që unë nuk mund ta kundërshtoja pasi ndaj shumë gjëra me të.. Në fushën e sigurisë kombëtare jam i specializuar”, deklaron ministri i Brendshëm i emëruar.

Si këshilltar e koordinator pranë kryeministrit për problematikat e sigurisë kombëtare ai ka punuar edhe me dy paraardhësit e tij, Saimir Tahirin fillimisht dhe më pas për një periudhë më të shkurtër me Fatmir Xhafajn. Por cfarë mendim ka Sandër Lleshi për dy ish-ministrat e Brendshëm? Gjenerali u zu në befasi nga kjo pyetje.

“Në fakt më zutë të papërgatitur sepse përgjithësisht për njerëzit nuk shprehem. Kam mendim pozitiv për të dy. Xhafaj e mori në një situatë të komplikuar dhe ka vazhduar veprimtarinë në kushte të ndërlikuara. Ka bërë maksimumin e tij, ka arritur rezultate. Kam konsideratë pozitive për të. Për zotin Tahiri di që ka punuar me dinamizëm dhe aksion të madh dhe kursej ccdo koment tjetër për faktin që është në një ccështje gjyqësore”, deklaron Lleshi.

Edi Ramën e vlerëson dhe thotë se Kryeministri është i hapur për cdo këshillë dhe i pëlqejnë debatet intelektuale dhe pranon se me shefin e Qeverisë e ka prezantuar shkrimtari Ismail Kadare, duke dhënë edhe versionin e tij se përse u refuzua kandidatura e tij si President.

“Me Ismail Kadarenë njihem drejtpërdrejtë. E kam njohur që në Gjermani. Jemi njohur shumë mirë. Ismail Kadare u propozoi edhe të tjerëve kandidaturën për President, por Rama vetëm e cmoi. U refuzua, sepse isha ushtarak, kisha gradën gjeneral. U refuzua sepse u tha se me gradën gjeneral ishte shumë për Shqipërinë. Për këtë arsye u refuzua”, deklaron ai.

Për objektivat në krye të Ministrisë së Brendshme nuk foli me detaje, por Sandër Lleshi premtoi se ai vetë do të ruajë një profil të ulët.

“Ata do të jenë fytyra jonë, ata do të dalin më shumë në televizor dhe media dhe do të na përfaqësojnë ne. Polici e ushtari janë fytyra e Kombit, janë fytyra e Republikës. Ata i veshin simbolet e shtetit”, deklaroi ai.

Opozita kishte ngurruar për ta sulmuar si të lidhur politikisht me Edi Ramën deri më tani, por mjaftoi dalja e parë publike e tij në një televizion që për Partinë Demokratike panorama të jetë mëse e qartë. Edmond Spaho ishte ndër të parët që komentoi dhe në komentin e vet në rrjetet sociale i dha të drejtë ish-Presidentit Bujar Nishani, i cili më herët e kishte akuzuar Sandër Lleshin si militant politik.

“Pas intervistës së tij në Opinion pata një shije shumë të hidhur, jo vetëm për mungesën e modestisë për cilësitë dhe formimin e tij personal dhe profesional, por edhe për veneracionin që kishte për Edi Ramën. Nuk po flas për mirënjohjen që duhet të kemi për njerëzit që na kanë përkrahur gjatë rrugëtimit tonë në karrierë, por për vlerësimin që ai dha për qeverisjen e Ramës dhe atë si Kryeministër. M’u duk sikur z. Sandër Lleshi këto vite nuk ka jetuar në Shqipëri, por në Paris dhe vendin tonë e njeh vetëm nga ERTV”, shkruan Edmond Spaho.

https://www.facebook.com/permalink.php?story_fbid=1116073351893532&id=442305982603609&tn=K-R

Spaho thotë se ashtu si paraardhësit e tij, edhe Sandër Lleshi foli vetëm me slogane, nuk përballoi faktet dhe nuk tha asgjë se si do të luftojë krimin dhe trafikun e drogës në Shqipëri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë