Politike

Sandër Lleshi, nga shkarkimi i Nishanit tek posti i ministrit

Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur platformën e Twitter-it  dhe ditën e shtunë për të ndarë dy lajme të rëndësishme me qytetarët shqiptarë; dorëheqjen e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj – dorëheqje të cilën  siç ka bërë edhe vetë të ditur Rama, e ka pranuar –dhe  emërimin e ministrit të ri të Brendshëm, gjeneralit Sandër Lleshi, i cili deri më tani ka mbajtur detyrën e këshilltarit të  kryeministrit në çështjet e sigurisë .Gjenerali Sandër Lleshi, i cili ka shërbyer si komandant i kurseve në Akademinë e Mbrojtjes në Tiranë, në periudhën 1996 deri në vitin 2000 dhe më pas, për tre vjet të tjera, ishte komandant i Akademisë Ushtarake “Skënderbej”.

Nga viti  2003 e deri më 2006 0ën Lleshi  shërbeu  si atashe i Mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë në Gjermani. Emri i tij u lakua në vitin 2012, kur pati një përplasje me ministrin e Mbrojtjes së asaj kohe, Arben Imami dhe ish-kryeministrin Sali Berisha.  Nga kjo përplasje gjenerali Lleshi do të shkarkohej nga detyra e i zv/shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë me propozim të Imamit dhe dekret të presidentit të atëhershëm Bujar Nishani.Në maj të vitit 2013, Lleshi u shkarkua nga detyra, por opozita e asaj kohe, maxhoranca e sotme, e përkrahu dhe pak muaj më vonë, me fitimin e zgjedhjeve nga e Majta, kryeministri Edi Rama e bën Sandër Lleshin pjesë të kabinetit të tij, si këshilltar për Sigurinë.

Gjenerali nisi më pas edhe një proces gjyqësor dhe pas katër vitesh Gjykata Administrative e Apelit,  e pranoi  padinë e gjeneralit Lleshi, duke e kthyer këtë të fundit në detyrën e zv/Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, apo në një tjetër detyrë në përputhje me gradën që mban. Gjykata detyroi gjithashtu Ministrinë e Mbrojtjes, si palë e paditur, t’i paguante Lleshit, pagën nga maji i vitit 2013 deri në sistemimin e tij në detyrën e Zv/Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.Pesë vjet më parë, kryeministri Rama do të deklaronte se emrin e gjeneralit Sandër Lleshi e kishte dëgjuar së pari të artikulohej nga shkrimtari Ismail Kadare, i cili e kishte propozuar përpresident të Republikës.

“Emrin e Sandër Lleshit e kam dëgjuar për herë të parë nga Ismail Kadare, i cili ia sugjeroi palëve si një kandidaturë të spikatur për President të Republikës një vit më parë. Më vonë munda ta çmoj përmes medieve kur denoncoi publikisht rrënimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe degradimin e rëndë të drejtimit të ushtrisë sonë.”, do të shprehej atëherë Rama, ndërsa vlerësonte arsimimin e tij perëndimor dhe e çmonte si njohës të mirë të historisë

“dhe bartës i modestisë intelektuale që karakterizon të diturit, zotërues i thellë i fushës jo vetëm nga librat po edhe nga rrugëtimi i një karriere të gjatë – nisur si fëmijë i një familjeje të varfër nga veriu në derën e shkollës së mesme ushtarake “Skënderbej” dhe ndërprerë brutalisht në pozicionin e zëvendës Shtabit të Përgjithshëm nga arroganca e injorancës së pushtetit në ikje -, Sandër Lleshi ka pranuar të jetë këshilltari im për mbrojtjen në kryeministri.”

Lleshi e nisi formimin ushtarak në vitin 1978 dhe e ëprfundoi më 1985-ën, ndërsa kreu shkollën Mesme Ushtarake “Skënderbej” dhe Akademinë Ushtarake, ndërsa nga  viti 1994 dhepër pesë vite me radhë kreu një së kursesh në Vjenë e Gjermani .

Në 2008-n, gjeneral Lleshi ka përfunduar Seminarin e Lartë Ekzekutiv në Qendrën për Studime të Sigurisë Europiane, George C. Marshall në Garmisch-Partenkirchen, Gjermani; Ndërsa në 2011-ën përfundoi Kursin e Lartë Ndërkombëtar për Menaxhimin e Mbrojtjes në Shkollën Pasuniversitare të Marinës në Monterey, Kalifornia, SHBA.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë