Futboll

San Siro do të prishet: Nuk ka interes kulturor

San Siro mund të prishet. “Nuk përfaqëson interes kultural në përputhje me nenet 10, 12 e 13 të Kodit”, ka vendosur Komisioni rajonal për  trashëgiminë kulturore të të Lombardisë pas kërkesës së paraqitur në 13 nëntor nga kryebashkiaku i Milanos Beppe Sala dhe kështu nuk duhet të mbrohet nga Mbikëqyrja për trashëgiminë kulturore. Në këtë pikë, i hapet rruga projektit të paraqitur nga Inter dhe Milan për realizimin e një impianti të ri në zonën e Meazza.

Në dokument, arsyetohet se: “”shtresimet, rregullimet dhe shtesat e bëjnë stadiumin një vepër të karakterizuar nga ndërhyrjet e viteve 1953-’55, përveç atyre të viteve 1989-’90, si dhe nga punimet pas vitit 2000, një arkitekture që i nënshtrohet një transformimi të vazhdueshëm bazuar në nevojat që lidhen me përdorimin publik dhe sigurinë dhe rregullimet e ndryshme rregullatorë specifike për destinacionin si një arenë futbolli dhe argëtimi publik”.

Milan e Inter kanë prezantuar në Komunën e Milanos një dokument paraprak dhe projektin e fizibilitetit lidhur me krijimin në zonën e San Siros të një stadiumi të ri me standardet më të larta ndërkombëtare dhe të një zone moderne e inovative për sportin dhe kohën e lirë. Dy propozimet e paraqitura, fryt i një dialogu konstant dhe të frytshëm me administratën, janë realizuar në përputhje me 16 kushtet e diktuara, në nëntor 2019, nga Këshilli Bashkiak. Projektet e reja, të zhvilluara nga studio e arkitekturës Populous e Manica/Sportium, parashikojnë një stadium të ri, modern dhe me standardet më të larta dhe ruajtjen e elementëve të impiantit aktual Giuseppe Meazza në kontekstin e një zone të re të dedikuar sportit e argëtimit të shfrytëzueshëm 365 ditë në vit, me sipërfaqe të gjelbërta për 106,000 m2 (d.m.th. dyfishin e 56,000 m2 aktual).


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë