Politike

Samiti për teknologjinë, Rama: Përafrimin e legjislacionit të BE mund ta bëjmë brenda 2 vitesh

Kryeministri Edi Rama ishte në Dubai ku mori pjesë në sesionin e Samitit Botëror të Qeverisjes mbi rolin e teknologjisë në adresimin e sfidave qeverisëse së bashku me ish kryeministrin britanik, Tony Blair.

“Teknologjia mund të jetë bekim për ata vende që kanë mbetur pas madje dhe ti kalojnë. Për të hyrë në BE na duhet të transpozojmë të gjithë të ashtuquajturin korpusin e legjislacionit të BE-së, më shumë se akte ligjore e nënligjore. Për shtete përpara nesh ka nënkuptuar një armatë përkthyesish, certifikuesish. Kroacisë iu deshën 7 vjet për të bërë këtë transfuzim letrash. Testet tona po tregojnë që - me formën aktuale të teknologjisë – mund të bëjnë në më shumë se dy vjet, por duke parë që teknologjia sa vjen e përmirësohet jam I bindur se mund të shkurtohet kjo kohë. Është e pamundur të parafytyrojmë se deri ku mund të shkojmë me teknologjinë” tha Rama.

Kryeministri tha gjithashtu se po forcohet siguria kibernetike, ndërsa Shqipëria vijon të jetë objektiv i përhershëm i sulmeve kibernetike nga Irani.

“Ne kemi ndryshuar kryekëput mënyrën me të cilën merren shërbimet publike. Jo shumë vite më parë për çdo dokument, për çdo certifikatë, për çdo licencë, për çdo dokument për të vërtetuar që nuk ke qenë i dënuar, apo nuk të është marrë asnjëherë leja e drejtimit duhet të mbaje radhë të gjata në sportele, në kushte të këqija. Çdo gjë është dixhitalizuar tashmë, nuk kemi më sportele, çdo gjë është ndërveprim i drejtpërdrejt midis personit që ka nevojë për shërbimin dhe telefonit të tij celular apo kompjuterit të tij”, tha Rama.

Rama mbylli fjalën e tij në këtë samit pa harruar të ftojë të gjithë të pranishmit të vizitojnë Shqipërinë

"Ku do të shkojë kjo teknologji? Për një gjë që jam i sigurtë që Teknologjia nuk do arrijë kurrë ti bëjë është dielli, plazhet, malet e jashtëzakonshme, liqenet, qytetarët mikritës të Shqipërisë. Ejani në Shqipëri e do të keni ide më të mira si teknologjia mund të përplotësojë bekimin nga Zoti të një vendi që është mallkuar shumë nga historia" u shpreh Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë