Politike

Samiti në Tiranë, Zaev: Ballkani Perëndimor bëhet më tërheqës, konkurrues dhe afër tregjeve të BE

Edhe pse takimi i liderëve të Ballkanit Perëndimor po mbahet larg kamerave, mediat maqedonase kanë zbardhur fjalimin e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev gjatë këtij samiti.

Zaev thotë se vendet e rajonit bashkë janë më të forta dhe e bëjnë Ballkanin Perëndimor më konkurrues, të fortë dhe afër tregjeve të BE. Ai thekson se të gjitha vendet e rajonit po punojnë për vendosjen e tregut të përbashkët rajonal.

“Plani ekonomik dhe investues i BE-së për Ballkanin Perëndimor mbështet rimëkëmbjen afatgjate ekonomike të rajonit, njëkohësisht duke nxitur integrimin rajonal. Zbatimi i Planit do të stimulojë aktivitetin ekonomik, do të rris investimet në sektorin privat dhe publik, do të përforcojë konkurrencën dhe inovacionet, veçanërisht në kompanitë e vogla dhe të mesme.

Ai thotë se me zbatimin e Tregut të përbashkët rajonal, në Ballkan do të krijohen vende më të mira pune, do të ketë çmime më të ulëta për udhëtim dhe rritje të investimeve. “Me treg të integruar sjellim rritje plotësuese të PBB-së në rajon sepse bashkë jemi më të fortë, gjë që e bën Ballkanin Perëndimor më tërheqës, më konkurrues dhe më afër tregjeve të BE-së.”- tha Zaev. Harmonizimi i ngushtë i rregulloreve të Ballkanit Perëndimor me parimet themelore që rregullojnë tregun e brendshëm të BE-së, bazuar në qasjen e katër lirive përmes marrëveshjeve për njohje reciproke, do të zhvillojë mundësitë për punësim sepse liberalizimi i tregtisë, rrjedha e kapitalit dhe lëvizshmërisë do të sjellin deri në zgjerimin e tregut. Plani ekonomik dhe investues do ta bëjë rajonin më tërheqës për investitorët e huaj dhe do të mundësojë më shumë të hyra të investimeve.

Duke folur për investimet europiane në rajon, Zaev thotë se ambicia e Maqedonisë së Veriut është nxitja e zhvillimit të kapaciteteve me energji të ripërtërishme dhe kalimi nga qymyri në burime të ripërtërishme të energjisë si dhe ulja e emetimeve të  gazeve serrë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë