Politike

Samiti i Procesit të Berlinit në Tiranë s’merret me çështjen Kosovë-Serbi. Plan i ri për integrimin e Ballkanit në BE

Në Samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet këtë të hënë në Tiranë, nuk do të ketë një qëndrim për çështjen e Kosovës dhe Serbisë. Ka pasur një interesim të lartë të medias lidhur me faktin nëse ky samit do të ketë një deklaratë pas agresionit të fundit të Serbisë në veri të Kosovës, në një sulm në Banjskë të Zveçanit ku mbeti i vrarë edhe një oficer i Policisë së Kosovës. Por kryeministri Rama u përgjigj se ky samit nuk është vendi për zgjidhje konfliktesh bilaterale, por gjithsesi do të ketë hapësira për t’u diskutuar kjo krizë më e fundit në rajonin tonë. Qëndrimin e Ramës e mbështeti edhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, e cila ka mbërritur që këtë të diel në Tiranë për zhvillimin e këtij samiti.

“Procesi i Berlinit, si dhe samitet nuk janë vendi për zgjidhjen e çështjeve bilaterale, por në programin e samitit që është përgatitur prej shumë kohësh në harmoni me kancelarinë gjermane dreka e punës e liderëve do t’u kushtohet edhe marrëdhënieve fqinjësore në rajon. Hapësira për një diskutim të hapur mes të pranishmëve është programuar, por nuk është një samit që merr përsipër të gjejë zgjidhje për probleme që siç e tha presidentja në lidhje me çështjen konkrete janë probleme që trajtohen dhe duhet të zgjidhen nën ombrellën e BE”, tha Rama.

E pyetur se çfarë kuptimi merrte Marrëveshja e Ohrit e cila ishte bazuar në planin franko-gjerman, tani pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë, Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen bëri apel që Kosova dhe Serbia të kthehen në tryezën e dialogut për të normalizuar marrëdhënien.

“Marrëveshja e Ohrit, është baza për pajtimin nëpërmjet dialogut të BE. Është e rëndësishme që Kosova dhe Serbia të kthehen në tryezë për të normalizuar marrëdhënien mes tyre dhe kjo është e vetmja mënyrë nëpërmjet dialogut. Kjo është rruga e duhur për të ardhmen. Kosova dhe Serbia do të jenë pjesë e BE. Pra, pajtimi angazhimi, bashkëpunimi janë tërësisht të domosdoshme dhe vendi për ta bërë këtë është dialogu”, tha Von Der Leyen.

“Tirana kryeqyteti europian i Ballkanit, por kërthiza Evropës është në Bruksel”

Kryeministri Edi Rama tha se në samitin e së hënë nuk është synimi për diskutimin e luftës mes Izraelit dhe Hamasit apo për sulmin në veri të Kosovës, por do të ketë një hapësirë për të diskutuar çështjet e fqinjësinë në rajon.

“Samiti i Tiranës është në vazhdën e Procesit të Berlinit dhe është vizion i kancelares Angela Merkel e cila bëri bashkë liderët e Ballkanit Perëndimor të mblidhen bashkë dhe të ulen në një tryezë për të filluar një bashkëpunim për të ardhmen dhe ku bashkëpunim është i përcaktuar brenda kornizës së 4 lirive të BE-së që i japin vendeve mundësinë që të japin më shumë. Të gjitha përpjekjet kanë shkuar e shkojnë në këtë drejtim. BE ka marrë një rol nën udhëheqjen e komisionit për të sjellë një kontribut konkret që është shumë i rëndësishëm. Kjo është risia më e madhe që i jep mundësi vendeve nga njëra anë që të aksesojë një fond ekstra te BE-së dhe të ketë hapësira të reja në tregun e përbashkët të BE-së. Kemi përcaktuar edhe një hapësirë për të diskutuar çështjet e fqinjësinë në rajon, por asgjë më shumë, sepse nuk është ky synimi. Vërtetë Tirana është kryeqyteti evropian i Ballkanit por nuk është kërthiza e Europës. Kërthiza e Europës është në Bruksel ku atje diskutohen këto tema”, tha Rama

Lidhur me pyetjen se nëse do të ketë në Samitin e Procesit të Berlinit në Tiranë një deklaratë që do të dënojë atë që po ndodh në Rripin e Gazës, Von der Leyen u shpreh: “Me çfarë kam kuptuar nuk është parashikuar një deklaratë në Samitin e Procesit të Berlinit. Do të kemi një samit të Këshillit Europian një ditë më pas që do të kemi dhe një deklaratë. Është bërë publike, dënojmë fort sulmin terrorist të Hamasit ndaj Izraelit dhe që Izraeli ka të drejtën që të mbrohet në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Duhet ofruar ndihmë humanitare për civilët në Gazë dhe viktimat e Hamasit. Prandaj kemi trefishuar ndihëm në Rripin e Gazës në 75 mln euro. Kjo është korniza në ditën e martë që është bërë publike”, tha Von der Leyen.

Plani i ri që e ndihmon Ballkanin Perëndihmor për t’u integruar në BE

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen do të paraqesë nesër në samitin e Procesit të Berlinit një plan të ri që e ndihmon Ballkanin Perëndihmor për t’u integruar në BE.

“Kemi folur dhe për atë që sipas meje është risia më e rëndësishme e një samiti të procesit të Berlinit. Ajo ka ardhur në Tiranë për të paraqitur një plan të ri që do ta ndihmojë shumë Ballkanin Perëndimor dhe vendin tonë që të ecin më shpejt drejt BE. Për këtë presidentja do të flasë nesër në samit, prandaj nuk e di se sa do të zbulojë sot në këtë konferencë."

Ndërkohë, Von der Leyen në fjalën e saj tha se në këtë samit duhet të përqendrohemi te një plan i ri për rritjen e BE-së.

“Shqipëria po ecën me sukses për tu bërë pjesë e BE-së”, vlerësoi presidentja e Presidentja e Komisionit të Europës, Ursula von der Leye. Duke dhënë një notë pozitive, ajo tha:

“Duam që ju të bëheni pjesë e jona që të plotësojmë BE. Shqipëria ka arritur vërtet shumë. Objektivi ynë i përbashkët është të çelim negociatat për atë që ne e quajmë grup kapitujt e pjesëve themelore sa më shpejt të jetë e mundur deri në fund të vitit”.

“Mesazhi i dytë – u shpreh ajo – është që ndërkohë që vijojmë të ecin drejt anëtarësimit po ndërtojmë të ardhmen tonë të përbashkët dhe ne duhet të nisim menjëherë. Që tani të krijojmë mundësi të reja tregtie mes nesh. Kemi nisur me plani e investimeve 30 miliardë euro. Janë mobilizuar 1.4 mld euro me projekte shumë të rëndësishme si hidrocentrali Fierzës, por edhe me hekurudhën me Malin e Zi.

“Sot dua të përqendrohem te plani i ri për rritjen e BE-së. Dua të përqëndrohem tek plani i ri i rritjes i BE-së, sepse këtu po ecim drejt një faze të re veprimesh, pasi ky plan ka potencialin nëse vihet në zbatim siç duhet ka mundësinë të dyfishojë madhësinë e ekonominë tuaj brenda këtij 10-vjeçari. Parimi është që në disa fusha të caktuara ju do të keni qasje në tregun e vetëm të BE-së por për këtë janë të nevojshme reformat dhe reformat do të shoqërohen me investime. Kështu hapet dera për tregun tonë, për tregun e përbashkët rajonal të Ballkanit Perëndimor. Natyrisht kjo do të shoqërohet me investime financiare por natyrisht reformat do të jenë të domosdoshme”, tha Von der Leyen.

“Mesazhi ynë i tretë është që investimet tona do të kenë të njëjtën vlerë si punët tuaja. Unë mendoj se kjo po vjen në momentin e duhur që Shqipëria dhe BE-ja të jenë më pranë njëra-tjetrës. Ju jeni në përputhje të plotë me përgjigjen e BE-së sa i përket luftës së Rusisë ndaj Ukrainës. Edi ju falënderoj gjithashtu juve dhe qëndrimin tuaj të qartë për sulmin terrosit të Hamasit”, tha Von der Leyen.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë