Analize

Samiti i Berlinit më shumë pikëpyetje sesa përgjigje

Samiti i Ballkanit Perëndimor në Berlin nuk u dha përgjigje asnjë prej dy cështjeve kryesore që mundonin liderët e rajonit: negociatat dhe marrëveshjen Kosovë-Serbi.

Sipas mediave gjermane, vendimi për negociatat ka të ngjarë të shtyhet për në shtator, pasi Brukseli kërkon shumë kohë për shqyrtimin e progres-raportit të Komisionit Europian.

Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron e ndërmorrën këtë përpjekje për të  zhbllokuar bisedimet midis Serbisë dhe Kosovës, por as Beogradi dhe as Prishtina nuk janë zotuar të kthehen në tryezën e dalogut. Në draft-deklaratën e përbashkët të samitit, e cila u publikua nga mediat gjermane,  tetë liderët e Ballkanit dhe Macron e Merkel theksuan"rëndësinë e një marrëveshjeje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve për stabilitetin në rajon dhe për perspektivën europiane të të dyja vendeve.

“Pjesëmarrësit kanë nënvizuar rëndësinë e marrëveshjes për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për stabilitet në rajon dhe për perspektivën evropiane të Serbisë dhe Kosovës. Ata janë dakorduar që çdo marrëveshje duhet të jetë gjithëpërfshirëse, politikisht e qëndrueshme dhe të kontribuojë në stabilitetin rajonal. Serbia dhe Kosova janë dakorduar që të shpejtojnë përpjekjet për të implementuar marrëveshjet ekzistuese dhe të riangazhohen konstruktivisht në dialog me ndërmjetësim të BE-së, me objektivin që të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe definitive”, thuhet në deklaratë, e cila nuk përmend ndryshimet kufitare.

Edhe pse në konferencën e përbashkët për shtyp, Merkel dhe Macron e cilësuan marrëveshjen e emrit mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut si shembull për Beogradin dhe Prishtinën, presidenti francez nguroi të fliste për hapjen e negociatave, si një shpërblim për Shkupin.  Madje as zgjerimi dhe as negociatat nuk u permendën në deklaratën e përbashkët të samitit.

Franca po mundohet të ngadalësojë procesin e zgjerimit, sepse Presidenti Macron në përgjithësi kërkon reformimin e BE-së. Edhe në Berlin, ai theksoi se ky takim nuk ka të bëjë me "politikën e zgjerimit". Çështja e hapjes së bisedimeve të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë u zhvendos në bisedime dypalëshe, mes Merkelit, kryeministrit Zoran Zaev dhe kryeminstrit Edi Rama.

Emmanuel Macron dhe Angela Merkel

Negociatat ishin një nga temat e diskutimit Merkel-Rama por sipas raporteve të mediave gjermane, Shqipëria duket se ka mbetur sërish në klasë.

Qarqet diplomatike nga Berlini rikonfirmojnë për DW se Franca nuk dëshiron ta zërë fare në gojë çështjen e zgjerimit të BE-se në prag të zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, që do të mbahen në fund të majit. Merkel megjithatë nuk mund të marrë asnjë vendim pa miratimin e Bundestagut.

Siç mësoi DW nga qarqet politike pranë CDU-së, afati kohor që nga publikimi i raportit të progresit të BE-së, më 29 maj deri në samitin e BE-së në qershor nuk mjafton për të marrë një vendim për çeljen e negociatave. Burime nga CDU/CSU i thanë gazetës gjermane vendimi i tyre do të shtyhet në shtator.

Vetë Kryeministria është treguar e rezervuar rreth qëndrimeve të Kancelares Merkel përsa i përket pozicionit që do të mbajë Gjermania ndaj raportit të Komisionit Europian për çeljen e negociatave.

Por Ministri i Jashtëm, Gent Cakaj, pjesë e delegacionit që u takua me shefen e qeverisë gjermane, deklaron se ky takim konfirmoi mbështetjen absolute të Gjermanisë për hapjen e tyre me Shqipërinë. Ai thotë se “progresi i madh i Shqipërisë në 5 prioritetet kyçe, me theks të veçantë në Reformën në Drejtësi, merr vlerësimin më të lartë nga Gjermania”

Mediat franceze thonë se diskutimet pritet u përqëndruan tek marrëdhëniet ekonomike, dialogu Kosovë-Serbi dhe bashkëpunimin në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikimit të armëve. Gazeta “Currieur de Balkans”, shkruan se mes procesit të Brexit, zgjerimi europian duket më i largët se kurrë.

“Ashtu si për shumë çështje të tjera, edhe kur bie fjala tek zgjerimi, qendrimi i Angela Merkelit dhe Emmanuel Macron nuk është i njëjtë”, thekson gazeta.

Më pas në takimin e përbashkët dhe darkën e punës, vëmendja u kthye tek çështjet specifike midis Serbisë dhe Kosovës, si tarifat ndaj mallrave serbe. Merkel e quajti këtë një shembull të "zhvillimeve negative". Deklarata përfundimtare i bën thirrje të dyja palëve që t’i rikthehen "dialogut konstruktiv".

Edi Rama dhe Angela Merkel

Megjtithatë, pozicionet e dy krerëve të Kosovës, në lidhje me bisedimet me Serbinë ishin të ndryshme nga njëri-tjetri.

Presidenti Hashim Thaçi ishte pesimist dhe shpërtheu me kritika kundër Bashkimit Europian, ndërsa kryeministri Ramush Haradinaj vlerësoi rolin e Gjermanisë dhe Kancelares gjermane Angela Merkel.

Presidenti Thaçi u tha gazetarëve pas takimit se "Bashkimi Europian është i dobët dhe nuk është në gjendje të ndërmarrë hapa të mëdha në Ballkan dhe për këtë arsye nevojitet përfshirja e SHBA".

Presidenti i Kosovës i kërkoi Gjermanisë dhe Francës të bënim më shumë presion Serbisë në mënyrë që ta njohin Kosovën. Ai kërkoi gjithashtu liberalizimin e vizave dhe shtoi se udhëheqësit serbë duhet të kërkojë falje për krimet e kryera në Kosovë.

Për kryeministrin Ramush Haradinaj, Franca dhe Gjermania duhet të shprehin mbështetjen e tyre për liberalizimin e vizave të Kosovës dhe duhet të bëjnë të qartë se asnjë ndryshim kufitar nuk mund të diskutohet në bisedimet midis Kosovës dhe Serbisë.

"Gjatë takimit me ambasadorin e SHBA në Gjermani, Richard Grenell, gjithashtu theksova se qeveria jonë është kundër idesë së shkëmbimeve të tokës, duke e konsideruar këtë si një mundësi të rrezikshme e cila jo vetëm që do të shkaktonte paqëndrueshmëri për vendin, por edhe për rajonin" , tha Haradinaj.

Nga ana tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç deklaroi pas një takimi të zhvilluar me shefen e diplomacisë së BE-së, Federica Mogherini, se duhet të arrihet një marrëveshje që të pranohet nga të gjitha palët.

"Nëse askush nuk dëshiron kompromis dhe mendon se zgjidhja do të vijë duke brnë më shumë presion mbi Serbinë, atëherë nuk ka asgjë më për të tjetër", tha presidenti. I pyetur për çështjen e ndryshimit të kufijve, Vuçiç tha se “kur bëhet fjalë për çështjen e ndryshimit të kufijve, pyetja ime është cilët kufij: ata që njohin Kombet e Bashkuara, Spanja apo Italia. Gjermania e njeh Kosovën si shtet, ndërsa Serbia nuk e njeh sikurse nuk e njohin Kina, Rusia, India. Pikërisht për këtë unë them se duhet gjetur një zgjidhje kompromisi", tha ai.

Deklarata e plotë:

Liderët e Ballkanit Perëndimor, bashkë me kryeministrat e Kroacisë dhe Sllovenisë, përfaqësuesit e lartë të BE për çështjet e jashtme dhe politikat e sigurisë u mblodhën në Berlin, në një takim të thirrur nga Presidenti i Francës dhe kancelarja gjermane.

Ata përsëritën perspektivën e përbashkët evropiane të Ballkanit Perëndimor. Vlerësuan marrëveshjen e suksesshme mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut për mosmarrëveshjen mbi emrin si një shembull të jashtëzakonshëm të zgjidhjes së suksesshme të konflikteve. Ata nënvizuan rëndësinë e një marrëveshjeje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës për stabilitetin në rajon. Një marrëveshje e tillë është thelbësore për rrugëtimin evropian respektiv të Serbisë dhe Kosovës. Ata ranë dakord që kjo marrëveshje duhet të jetë gjithpërfshirëse, politikisht e qëndrueshme dhe kontribuon për stabilitetin rajonal.

Serbia dhe Kosova ranë dakord të përshpejtojnë përpjekjet për implementimin e marrëveshjeve ekzistuese dhe do të riangazhohet në mënyrë konstruktive në normalizimin e dialogut me ndërmjetësimin e BE, me qëllim arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare. Pjesëmarrësit nënvizuan rëndësinë e një procesi negocimi transparent dhe gjithpërfshirës, që do të shoqërohet me përpjekje të ndërtimit të besimit. Pjesëmarrësit ranë dakord të intensifikojnë përpjekjet e tyre për të krijuar një zonë rajonale ekonomike në linjë me deklaratën e samitit të Sofies së 2018 dhe konkluzionet e samitit të ballkanit perëndimor të londrës në 2018.

Të gjithë pjesmarrësit rikonfirmuan angazhimin për të bashkëpunuar në kuadrin e të ashtuquajturit proces të berlinit. Lidhshmëri, bashkëpunim ekonomik, tregti e lirë, bashkëpunim në çështjet dhe ripajtimi përbën shtyllat e procesit. Ata riafirmuan mbështetjen për zyrën rajonale të bashkëpunimit rinor RYCO. Ata mirëpresin samitin e radhës në Poznan të Polonisë.

Pjesëmarrësit ranë dakord të thellojnë bashkëpunimin për të parandaluar radikalizmin dhe për të luftuar terrorizmin dhe trafikimin e paligjshëm të armëve si edhe të emigracionit të paligjshëm. Pjesmarrësit nënvizuan angazhimin e palëkundshëm ndaj demokracisë përfshirë rolin qendror të institucioneve zgjedhore dhe parlamentare, sundimin e ligjit dhe qeverisjen e mirë, luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar si edhe të forcojnë rolin e shoqërisë civile dhe medias së pavarur. Ata pranuan që reformat e vazhdueshme janë celësi për perspektivën evropiane të rajonit dhe forcimin e rezistencës së shoqërive përballë sfidave të kohës, të brendshme dhe të jashtme. Ata riafirmuan angazhimin për stabilitetin e rajonit. Me këtë qëllim, pjesmarrësit mirëpritën qëllimin e kroacisë për të mbajtur një samit tjetër BE-Ballkan perëndimor, gjatë presidencës së saj të BE në 2020.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë