Politike

Negociatat, Brukseli pa shpresë: Bullgaria po bllokon gjithçka

Gazeta Si – Brukseli duket i dorëzuar përballë vetos bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut për negociatat.

“Ne nuk jemi aty ku duhet të jemi me Ballkanin. Sot duhet të nisnim negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe nuk mund të mos e fsheh keqardhjen time. A ka ende shpresë? Nuk e di se çfarë mund të bëjë Parlamenti në Bullgari, por duket se nuk po shkon mirë”, deklaroi përfaqësuesi i Lartë i BE, Josep Borrell.

Veton bullgare, Borrell e cilëson si shembull për të ndryshuar rregullat e brendshme të BE-së, në mënyrë që një vend i vetëm të mos vazhdojë të bllokojë gjithçka.

“Ne do të duhet të përpiqemi të zgjidhim situatën dhe kjo tregon se unanimiteti është një problem. Nuk mund të vazhdojmë me një vend që bllokon gjithçka. Sot nuk është një ditë e mirë”, deklaroi ai.

Më herët, Komisioneri i BE-së për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Olivér Várhelyi, i ka bërë thirrje Bullgarisë që të miratojë sot në Samitin e BE-së propozimin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE.

Nëpërmjet një postimi në Tëitter, Varhelyi i bën thirrje parlamentit evropian dhe të gjitha palëve që të përmbushin angazhimin e tyre dhe të miratojnë sot në Samitin e BE-së, propozimin për t’i hapur rrugën hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“BE i merr shumë seriozisht të gjitha shqetësimet bullgare dhe tani ato janë pjesë e procesit të negociatave. Momenti për vendime të përgjegjshme është tani. Ballkani Perëndimor duhet të jetë pjesë e Bashkimit tonë Europian. Së bashku do të jemi më të fortë, – shkruan zyrtari i lartë i BE. – I bëjmë thirrje Parlamentit Bullgar dhe të gjitha palëve që të përmbushin angazhimin e tyre dhe ta vendosin propozimin për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, për miratim sot siç është propozuar më herët”.

Sipas tij, kreu i opozitës bullgare, Boyko Borissov, “ka treguar lidership duke e hedhur propozimin në tryezë. Ne kemi nevojë që të gjithë të bëjnë të njëjtën gjë. BE-ja duhet të lëvizë”.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut  janë shumë pranë vendimit të shumëpritur për aprovimin e kuadrit negociues të Maqedonisë së Veriut nga 27 vende anëtare të Bashkimit Europian.

Por pavarësisht synimeve, duket se nuk do të ketë një “dritë jeshlie” për hapjen e negociatave, pasi një ditë më parë u rrëzua qeveria bullgare, e cila ka vendosur veton ndaj Maqedonisë së Veriut, e për rrjedhojë pengon edhe integrimin e vendit tonë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë