Një goditje e papritur ka ardhur mbrëmjen e së mërkurës për kryeministrin Edi Rama nga lideri "de facto" i Italisë fqinje, Matteo Salvini, i cili duket se ka vendosur të ndërhyjë për krizën politike në Shqipëri, duke paralajmëruar për përplasje civile gjatë zgjedhjeve të 30 qershorit.
Ministri i Brendshëm i Italisë Matteo Salvini ka bërë të ditur në një konferencë për mediat, se ka folur me presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta për krizën politike.
Salvini foli me tone të ashpra, duke deklaruar se kryeministri i Shqipërisë po bën zgjedhje lokale vetëm me partinë e tij. Sipas ministrit të Brndshëm italian, vendi ynë rrezikon të shkojë drejt përplasjes civile.
‘Kam biseduar edhe me presidentin e Shqipërisë Ilir Meta, pasi të dielën Shqipëria rrezikon shumë, sepse është një përplasje që mund të shkojë në një përplasje civile, siç është parë edhe në javët e fundit", deklaroi ai, duke theksuar se është përpjekur të komunikojë më të gjitha palët në vendin tonë për të evitusr trazirat.
"Në vendin fqinj Janë duke u mbajtur zgjedhje vendore nga ana e kryeministrit, të cilat janë anuluar nga presidenti i Republikës. Janë tërhequr partitë e opozitës dhe në to merr pjesë vetëm Partia Socialiste që është në qeveri dhe jam duke kërkuar që të komunikoj me të gjitha palët për të evituar një përplasje sepse Shqipëria është partnere kulturore, ekonomike, komerciale me Italianë. Por jo vetëm, duhet të kujtojmë njerëzit që emigrojnë dhe këtu duhet që të kujtojmë skenat e viteve ’90 dhe nuk do doja që të ktheheshin, pasi kemi mjaft probleme dhe nuk do donim që të shkonim në fronte të tjera", tha Matteo Salvini gjatë deklaratës së tij.
Qëndrimi i ministrit të Brendshëm duket se bie ndesh më atë të ministrit të Jashtëm italian, i cili është shprehur dy ditë më parë se qeveria dhe opozita në Tiranë duhet të shmangin dhunën gjatë zgjedhjeve të 30 qershorit. Dy ditë më parë, ministri i Punëve të Jashtme Enzo Moavero Milanesi ka biseduar në telefon me kryeministrin shqiptar, Edi Rama dhe kryetarin e opozitës Lulzim Basha.
Sipas një njoftimi të Ministrisë së Jashtme italiane, Milanesi u ka kërkuar Ramës dhe Bashës të respektojnë “rëndësinë thelbësore për të siguruar në mënyrë absolute respektin ndaj rregullave themelore të demokracisë, dhe sundimit të ligjit”.
Kreu i diplomacisë italiane u ka bërë po ashtu të ditur kryeministrit dhe kreut të opozitë, se është me rëndësi që të shmanget dhuna në zgjedhjet e 30 qershorit dhe apelon për dialog mes palëve për të siguruar zgjedhje të qeta.
“Pavarësisht divergjencës së vlerësimeve midis forcave politike shqiptare, është thelbësore të shmangen të gjitha format e dhunës dhe të shprehen mendimet dhe qëndrimet përkatëse në mënyrë demokratike”, përsëriti Milanesi
Ministri i Jashtëm italian, bën të ditur se zgjedhjet do të monitorohen nga një mision ndërkombëtar i udhëhequr nga OSBE-ODHIR, vëzhgues nga shumë vende të tjera, përfshirë edhe Italinë.
Pak ditë më parë, Italia garantoi mbështetjen për integrimin evropian të Shqipërisë duke bërë avokatin për vendimin pro hapjes së negociatave. Deklarata u bë nga ambasadori Italian në Tiranë, Alberto Cutillo gjatë një vizite në Gjirokastër.
Duke folur për rekomandimin e Komisionit Evropian për hapjen e negociatave, Cutillo e cilësoi si një moment historik për vendin tonë. Diplomati italian vuri theksin edhe tek shkelësit e ligjit, për të cilët deklaroi se peshq të vegjël apo të mëdhenj, të gjithë duhet të dalin para ligjit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.