Politike

Salianji: Situata e kriminalitetit e rëndë. Balla: Në 300 ditë si ministër, Shqipëria vend shumë i sigurtë

Gjatë 300 ditëve që Balla ka marrë detyrën e ministrit, deklaroi se viti 2023 ishte viti me nivelin me të ulet të vrasjeve kriminale në Shqipëri. “35 vrasje kriminale në vitin 2023, nga 107 vrasje në 2013-ën”.

Në Interpelancën me Ministrin e Brendshëm Taulant Balla, deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji, foli për aksionin policor të ekzekutuar në orët e para të mëngjesit të 1 Majit, ku tha se të arrestuar ishin vetëm shpërndarësit dhe jo kokat e krimit.

Salianji përmendi edhe çiftin e moshuar në Dropull, të cilët u gjetën të vdekur në banesën e tyre dhe me shenja dhune, dhe tha se e gjithë kjo tregon pasigurinë që përjetojnë qytetarët shqiptarë gjatë qeverisjes së PS-së.

“Mungesa e sigurisë publike është kthyer në tmerr për qytetarët shqiptar. Prej vitesh situata e kriminalitetit në Shqipëri është e rëndë” tha ai.

Deputeti i PD-së, Ervin Salianji

Gjithashtu, Salianji theksoi edhe faktin se “policia kthehet në gjuetare të kriminelëve për llogari të bandave rivale në qytete të ndryshme”, duke përmendur deklaratën e kreut të SPAK, Altin Dumani, ku tha se për krimin e organizuar nuk bashkëpunojnë dot me policinë e shtetit “për shkak të përfshirjes së saj në nivele të larta në bashkëpunim  me krimin’.

Sipas deputetit demokrat, Ministria e Brendshme nuk po tregon sukses në luftën që bëhet mes grupeve kriminale dhe shtron disa pyetje për ministrin Balla.

“Cili është plani i qeverisë për të luftuar krimin? A ka Ministria e Brendshme plan konkret që i ka vendosur ndaj Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë. Ça masash ka marrë qeveria për frenimin e krimit të organizuar. Sa ka qenë kosto në 8 vite që nga miratimi i ligjit dhe sa është numri i punonjësve të policisë së vetuar?”

Në fjalën e tij, Ministri i Brendshëm Taulant Balla, në interpelancë me deputetin Salianji deklaroi se Shqipëria është certifikuar si destinacion me siguri të lartë turistik.

Në Shqipëri, tha ministri, turisti nuk ka frikë të ecë natën me mendimin se dikush do i grabisë, ndryshe nga çfarë ndodh në disa kryeqytete evropiane.

Kjo, sipas Ballës është tregues i sigurisë në vend dhe punës së Policisë së Shtetit.

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla

“Viti 2023 ka qenë vit me zero ngjarje fatale për turistët. ‘Shqipëria 2030’ do të kampione e Ballkanit në turizëm me sigurinë më të lartë. Policët duhet të mbrojnë përveç qytetarëve shqiptar, edhe 14 milionë turistë që pritet të vizitojnë Shqipërinë”, tha ministri.

Balla bëri me dije se në korrik do të ketë një rritje rroge të kënaqshme për uniformat blu.

Gjithashtu, gjatë fjalës së tij, ministri deklaroi se në Shqipëri nuk ka më të fortë, “lufta kundër krimit dhe përmirësimit te sigurisë publike është prioritet”.

Gjatë 300 ditëve që Balla ka marrë detyrën e ministrit, deklaroi se viti 2023 ishte viti me nivelin me të ulet të vrasjeve kriminale në Shqipëri.

“35 vrasje kriminale në vitin 2023, nga 107 vrasje në 2013-ën”.

“Do të rrisim forcën parandaluese dhe goditëse ndaj dhunës në familje dhe më bazë gjinore”, deklaroi ministri.

Sipas një raporti që bën vlerësimin që bëjnë vendet në luftën kundër kriminalitet, Balla tha se në vitin 2023 Shqipëria ka nivelin më të ulët të kriminalitetit në Ballkanin Perëndimor.

Gjatë bilancit të 300 ditëve të Ballës në detyrën e ministrit, deklaroi ai, janë organizuar 1054 operacione policore ku janë arrestuar 6693 autorë, janë sekuestruar 415 armë, 500 armë të ftohta, 1700 kilogram lëndë plasëse dhe qindra granata.

Gjithashtu, nënvizoi ministri, janë parandaluar 156 ngjarje të mundshme kriminale, të cilat mund të kishin pasur pasoja të rënda.

Ministri vuri theksin dhe tek lufta kundër drogës dhe lëndëve narkotike.

Bazuar në punën e Policisë së Shtetit, vijoi ministri, janë goditur 28 grupe kriminale, nga 171 operacione policore dhe janë evidentuat 335 raste të kultivimit të bimëve narkotike.

Shifrat gjatë këtyre 300 ditëve, sipas ministrit tregojnë se janë sekuestruar 293 mijë bimë narkotike, 4 ton hashash, 62 kg heroinë, 23kg kokainë dhe 11 mijë pilula ekstazie.

Si pasojë e operacioneve Tempulli 1 dhe 2, u shpreh ministri, “sot kemi shkolla të sigurta, sepse janë goditur 32 grupe kriminale, janë arrestuar 1225 persona, nga të cilët kanë qenë koka të këtyre grupeve, prodhues, shpërndarës dhe trafikantë”.

Sipas Ballës, në 98% të rasteve është miratuar arresti me burg.

Ministri i Brendshëm u ndal edhe tek lufta ndaj drogave sintetike ku tha se Shqipëria është anëtare dhe udhëheqëse rajonale e koalicionit kundër këtyre substancave.

Një pikë tjetër për ministrin ishte dhe operacioni i Sundimit të Ligjit, i cili tha se po jep rezultate të pritura.

“Operacioni, deri tani ka të arrestuar 2509 kriminelë. Gjithashtu janë kapur 350 persona në kërkim kombëtar dhe 33 të tjerë në kërkim ndërkombëtar”.

Ministri ceku edhe deportimet apo ekstradimet, nga ku tha se janë arrestuar koka të mëdha të trafikimit ndërkombëtar dhe kemi ekstraduar persona nga vende që s’kemi marrëveshje ekstradimi.

Ai njoftoi edhe arrestimin e dy personazheve të njohur të krimit në Itali e Spanjë, ku pritet edhe ekstradimi i tyre.

Nga Kuvendi, gjatë interpelancës me deputetin Ervin Salianji, ministri Taulant Balla tha se ka ardhur koha që drejtuesit e policisë, përfshirë edhe ato të policive vendore, të kenë një mandat 3 ose 4 vjeçar.

"Në ligjin Policisë së Shtetit ka ardhur koha që drejtuesit e drejtorive vendore ka ardhur koha të kenë mandat 3-4 vjeçar, siç i kanë vendet e tjera, për ti dhënë fund një lëvizje kaotike dhe për të garantuar karrierë. Çdo punonjës që dëshiron të bëjë karrierë duhet integritet".

Por deputeti demokrat Salianji u ndal edhe në rastin e zhdukjes së Ervis Martianjt. Salianji kërkoi zbardhjen e kësaj ngjarje, ndërsa tha se ishte lënë vetëm 300 ditë kohë Rrumbullakut për rezultate, por autoritete nuk kanë dalë me një përgjigje mbi fatin e bosit të lojërave të fatit.

“Zbardhni zhdukjen e Ervis Martinajt, është gjallë apo ka vdekur? E keni në kërkim edhe sot. A keni guxim t’ua thoni familjarëve është gjallë apo jo? Është njoftuar 5 minuta para operacionit policor për arrestimin e tij se siç duket kishte plane të tjera qeveria”, akuzoi ai.

Gjithashtu, Salianji akuzoi edhe drejtuesit e lartë të policisë, sepse dekonspirojnë operacione dhe janë të pabesueshëm për SPAK për t’i përfshirë në operacione.

"U rrah një drejtor i burgut dhe ngjarja nuk u raportua edhe pse ndodhi në mes të qytetit? Vrasjet me pagesë janë rritur por nuk janë zbardhur. Për këtë e kemi shqetësimin në emër të publikut. Shqetësim që Shqipëria ka krijuar infrastrukturë bazë për të trafikuar emigrantë e drogë”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë