Politike

Salianji e Boçi gjuajnë Ramën, PS rrëzon amendamentet e LSI

Seanca e Kuvendit është shoqëruar me tensione dhe debate të ashpra. Në një Parlament të rrethuar nga studentët, sallës iu kthye edhe një pjesë e deputetëve të opozitës të PD-së dhe LSI-së, të cilët thyen bojkotin për të mbrojtur amendamentet e paraqitura nga dy deputetet LSI-së, Mehmetaj dhe Kërpaçi për ndryshimin e ligjit “Për Arsimin e Lartë”.
Tetë deputetë të opozitës mbrojtën nismën “Për Arsimin e Lartë” që synonte për të përmbushur tetë kërkesat e studentëve. Ata kanë kërkuar që të plotësohen kërkesat e studentëve, por që nisma e tyre është shoqëruar me tensione mes opozitarëve dhe kryeministrit.

Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi tha në nisje të seancës së Kuvendit se kryetari i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili kishte paraqitur një kërkesë për ndryshimin e rendit të ditës së punimeve të parlamentit. LSI ka depozituar dy amendamente për t'iu ardhur në ndihmë studentëve, të cilët protestojnë prej 9 ditësh për realizimin e tetë kërkesave.
“Kjo arrogance ju solli në këtë ditë. Na lini te flasim ne të rinjtë, që i njohim hallet e studentëve. Ky Parlament i kapur duhet të ishte i studentëve. Ne jemi këtu për studentët. Amendamentet, ja ku e keni zgjidhjen. Ky Parlament që është i kapur nuk mendon dot për studentët. Studentet janë krenaria jonë më e madhe, ata i sollën këtij vendi shpresën që i humbët ju. Këto amendamente vetëm fillimi”, tha deputetja e LSI-së, Mehmetaj.

Nënkryetari i LSI, Luan Rama i bëri thirrje qeverisë që të plotësojë kërkesat e studentëve, të cilët prej 10 ditësh ndodhen në protestë. Numri dy i LSI tha se Kuvendi duhet të vijojë mbledhjen deri në përmbushjen e kërkesave. "Nëse je dakord, hajde të miratojmë ndryshimet në ligj, të legalizojmë ato që kërkojnë studentët. Në të kundërt studentët kanë të gjithë drejtën të na nxjerrin jashtë nga ky Rama këtu (I referohet vetes) te ky Rama këtu (i drejtohet kryeministrit Edi Rama)", u shpreh deputeti i LSI-së.


Deputetë të PD-së dhe LSI u kapën me kryeministrin Edi Rama për çështjen e studentëve. Sapo ky i fundit doli në foltoren e Kuvend, shumë pranë tij shkoi edhe deputeti i PD-së Ervin Salianji, ndërsa kolegët e tij të opozitës protestuan në këmbë.


Sapo Rama nisi të fliste Salianji iu drejtua kryeministrit me fjalët “Ti je ngelës”, ‘S’ka më sezon për ty”, ndërsa hedh në drejtim të tij disa fletë nga ligji i Arsimit. Për të parandaluar precipitimin e situatës, ndërhyri edhe Garda, ndërsa kryeministri kërkoi që ata të largoheshin.

https://www.facebook.com/partiademokratike/videos/343492263144124/?t=16

Kryetari i Kuvendit, Gramoz  Ruçi, i kërkoi që deputetët opozitare të uleshin në vendet e tyre.
Deputeti i PS-së, Taulant Balla duke kërkuar rrëzimin e nismës u shpreh se mazhoranca është e gatshme për të plotësuar kërkesat e studentëve. Ndërsa i cilësoi propozimet e LSI-së si një tallje. “Dua ta them troç, të gjitha kërkesat e studentëve do të plotësohen një më një, por jo me dialog me ju, por me ata që meritojnë të gjithë respektin e këtij kuvendi e këtij kombi,” tha Balla. Ai gjithashtu bëri me dije se kryeministri Rama ka nisur një proces për zgjidhjen e 8 pikave por dhe problematikave të tjera që rëndojnë mbi studentët.

“Kryeministri ka iniciuar një proces, që do shkojë hap pas hapi deri në zgjidhjen përfundimtare jo të 8 pikave, por dhe më shumë sëmundjeve në universitetet tona që ne nuk kemi mundur t’i zgjidhim në këto vite qeverisje. Ka dhe problematika që lidhen me kurrikulat, e shumë të tjera. Si ka mundësi të talleni me ata që janë në shesh? Si ta ndryshoj unë buxhetin, Petrit, kur është te Ilir Meta, te Presidenti i Republikës. 28 vite tallje, e doni të bëni 28 minuta tallje e këtu në parlament. Ne e kemi nisur procesin, dhe të jeni i sigurt që ky proces dialogu do të sjellë zgjidhje,” u shpreh Balla.

Rama duke folur sot në Parlament


Kryetari i grupit parlamentar të LSI-së Petrit Vasili nga foltorja e Kuvendit sulmoi ashpër qeverinë Rama, ndërsa tha se vendi është para një emergjence kombëtare, duke marrë shkas nga protesta e studentëve. Ai tha se qeveria po bën dialog me monologje.

“Këtu jemi në ato nivele të njohura të një idiotësisë politike që ka vendosur të zgjidhë dialogun me monolog. Ai vjen ose nga kushte të këqija politike, por është një kapsllëk politik nga ku nuk e çlirojmë dot ne as kryeministrin dhe as Kuvendin që ndërpret fjalën tonë. Së fundi Buxheti i Shtetit në kushtet e emergjencës në të cilat ndodhet dhe që është miratuar një javë apo 8 ditë përpara, ka qëndruar një javë në zyrat e Kuvendit apo në zyrat e ministrive për të rishqepur dhe qepur tabelat e fëlliqura të buxhetit përpara një emergjence kombëtare, ky Parlament ka bërë e ka ndryshuar Kushtetutën brenda natës. Pa iu dridhur qerpiku fare kanë duartrokitur dhe janë hedhur përpjetë, atje janë mijëra djem dhe vajza që nuk kanë nevojë për monologje idiote, por kanë nevojë për zgjidhje dhe këto zgjidhje janë këtu në këtë sallë. Kush i ikën këtyre zgjidhjeve, duhet të mbajë përgjegjësi përpara tyre. Këtyre zgjidhjeve nuk u shqitet as me parabolira proceduriale, por zgjidhet me veprime politike. Kush e shkel do marrë përgjegjësitë një për një dhe nuk e ndan dot përgjegjësinë me asnjë nga ne, sepse ju jeni shkaku dhe ju keni detyrimin ti jepni zgjidhje. Po I ikët këtij detyrimi, do të merrni përgjegjësi pë rata djem dhe vajza që rrinë në të ftohtë atje dhe protestojnë për minimumin bazik për të pasur disa banjo më shumë.”, tha Vasili.
Ndërsa momenti më kulmimant ishte përplasje me deputetit të PD-së, Luçiano Boçi dhe kryeministrit Edi Rama. Gjatë fjalës së tij demokrati kërkoi që të miratoheshin amendamentet e LSI. Gjithashtu ai shprehu mendimin e PD-së për abrogimin e ligjit “Për Arsimin e Lartë”.

Deputeti Boçi në momentin kur gjuan me letra në drejtim të kryeministrit Rama

Në shenjë proteste për të abroguar ligjin e arsimit të lartë deputet i PD, Boçi i hodhi në fytyrë kryeministrit Rama, fletët e ligjit “Për Arsimin e Lartë”. Në përfundim të fjalës së tij në Parlament, ku u shpreh se mbështet kërkesat e studentëve, Boçi i hodhi në fytyrë Ramës Ligjin e Arsimit të Lartë. Ndërsa kryeministri Rama e priti me qetësi këtë gjest të demokratit Boçi.

https://youtu.be/D7xkwQX5ipg


Pas fjalës së Ramës, maxhoranca ka votuar në bllok kundër futjes në rendin e ditës së amendamenteve të LSI-së.
Vetëm 30 minuta ka zgjatur, hyrja e përfaqësuesve të opozitës, PD-LSI në Kuvend, e para për këtë legjislaturë, e vetmja deri tani, pasi ata janë detyruar ta braktisin seancën nga votat kundër e mazhorancës.
Ndërkaq kryeministri Edi Rama pasi ka rimarrë fjalën për duke i kërkuar dialog studentëve është larguar nga salla e Parlamentit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë