Politike

Sali Berisha, Ilir Meta dhe Edi Rama sipas Fatos Nanos, çfarë tha dhe nuk tha lideri historik

Përpara se t’i komunikonte kryetarit të PS-së dhe njëherazi kryeministrit të asokohe, Fatos Nano “po”- në e tij për kandidaturën për kryetar bashkie, Edi Rama shkoi tek varri i të atit për t’i dhënë një premtim, që mbetet solemn mes njeri tjetrit.

Kjo ishte hera e dytë e reflektimit të tij të përbrendshëm.

Ditën që Rama varrosi të atin në Tiranë, ai i hyri Fatos Nanos kryeministër në zyrë për t’i thëne se ai pranonte propozimin për Ministër Kulture, një detyrë që vetëm pak minuta më herët, Nano ia kish dhënë Luan Ramës.

Në rrëfimin e tij të pazakontë në emisionin “Opinion” Fatos Nano solli këtë variant të historisë së tij me Edi Ramën.

Për Nanon e vitit 2021, Edi Rama atë bote (1998) ishte  “njeriu me ide novatore që provokonte mendimin e ndenjur që PS trashëgoi”.  

Për Nanon e vitit 2021, Edi Rama ishte “zgjedhja pa pendime”

Sepse për Fatos Nanon, Rama nuk mund të gjykohet vetëm për periudhën e Ministrit të Kulturës,  si kryetar bashkie, apo kryetar opozite, por edhe  Kryeministër në dy mandate.

“Edi Rama është maturuar dukshëm në zyrën e Kryeministrit”, pohoi Nano.

Fatos Nano i 2021 e pa ndryshe edhe raportin e Ramës me korrupsionin. “E kush nuk ka zhurmë, valë për akuza me korrupsionin në Shqipëri”.

Të enjten, Fatos Nano la disa pikëpyetje të hapura në raport me atë që e kish zgjedhur e thënë bash vetë kur e takoi në rrugët e Parisit diku në marsin e vitit 1998, “se si e kish marrë me thonj të paprerë dhe e bëri ministër” se si “ ai (Rama) vidhte ikonat në kohën e Sali Berishës”, se si në vitin 2007, ai (Nano) do të dilte krah të ndjerit Sokol Olldashi në betejën e këtij të fundit me Ramën për kryebashkiakun, e deri tek piskama se ai nuk mund të behej pjesë e politikës “intrigante” të Tiranës.

Një marrëdhënie e trazuar në fakt e reciproke ndër vite me Ramën që do vite me parë edhe ky i fundit shihte tek Nano  “aventurierin gjysëm romantik e gjysëm marifetçi, i zgjuar, por i palexuar dhe i papërgjegjshëm në shpërdorimin e pushtetit” e deri tek epiteti "Robert Çamçakëzi".

Ndryshe nga Rama, për të cilin ai nuk i tha të vërtetat e tij deri në fund, Fatos Nano u përpoq të ishte vetë ai në raport me Sali Berishën.

Si asnjëherë tjetër, Nano zbërtheu nga këndvështrimi i tij kundërshtarin e tij politik qyshse e kish kuptuar temperamentin e tij në një bisede krejt rastësore jashtë politike se Berisha nuk e pranonte mendimin ndryshe, e deri tek fakti se, “ai (Berisha) di vetëm mënyra konfliktuale për të realizuar ambiciet e veta”, se si “është e pamundur të kesh një proces paqësor të shtrirë në kohë për të arritur synime të mëdha me kostot më të ulëta me Sali Berishën”, se si “Berisha kish kuptuar se bashkëpunimi paqësor me qeverinë e shfaktorizonte atë si politikan”, se si “Shqipëria do kishte ecur shumë më shpejt, me shumë më pak kosto nëse Berisha nuk do ish kryetar i opozitës”, se si “ ai i kish ‘vrarë’ nënën me burgosjen e tij”, se si “Sali Berisha hyri në politikë si intelektual humanist, por u bë shpejt politikan”, se si “me burgosjen e liderit të opozitës, ai u kthye në kafshë politike” e deri tek perceptimi i Nanos se "më 21 janar 2011, Sali Berisha pushoi së qeni politikan dhe mbeti…pjesa tjetër…. (kafshë)”

Pa doreza, por shumë më shkurt, Fatos Nano foli për Ilir Metën, se, “ai ka pasur gjithnjë planin B në mendje” se si, “ e ka zakon që të lë në mes të rrugës dhe të fut stërkëmbëshat” dhe se “kapitulli i Ilir Metës janë 7 mëkatet kapitale të Biblës, ligësia, grykësia…”.  

Fatos Nano e mbylli intervistën me pendesën e tij më të madhe, që për ironinë e fatit njihet edhe si suksesi i tij më i madh se, ”ai nuk duhet të kish deleguar aq shumë pushtet”, se sot ai nuk i prish punë askujt përveçse “u rregullon shumë vetave punëve që kanë”.

Fatos Nano nuk pati një rrëfim të mirëfilltë për shumë prej bashkëudhetarëve të tij në politikë e veçanërisht në PS.

Dalja e rrallë e tij në “Opinion” përkon në një kohë të pazakontë për vendin dhe zgjedhjet e afërme, kur kryeministrit Edi Rama i duhet të numërojë çdo votë të socialistëve, duke konsoliduar së pari këtë forcë politike me historinë e figurave të djeshme, një angazhim që Rama e mori tre vite më parë në një takim të fondacionit “Qemal Stafa”, por pa bërë lëvizje konkrete. Nano e bëri lëvizjen e tij. Tani pritet Rama...     / N.P


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë