Futboll

Saki kritikon ashpër Juventusin: Interi luajti kundër askujt

Juventusi pësoi një humbje shumë të rëndë në derbin e Italisë, u mund 2-0 nga Interi i Antonio Kontes, që bllokoi serinë e fitoreve të skuadrës së Pirlos dhe tashmë diferenca me vendin e parë është 10 pikë. Për ndeshjen e “San Siros” ka folur edhe një specialist i madh, siç është ish-trajneri i Milanit dhe Italisë, Arrigo Saki.

Gjatë “Domenica Sportiva” ai ka analizuar ndeshjen me disa deklarata të forta kundër Juventusit, duke theksuar se as që kishte zbritur në fushë. “Kemi parë që Interi është në kërkim të vazhdimësisë që kishte më parë Juventusi. Zikaltrit ishin shumë të zotët në krahun e djathtë, por luajtën kundër askujt. Faji nuk është vetëm i Pirlos.

Gjëja më e keqe që mund t’i ndodhë një trajneri është kur i ka futbollistët pa motive të forta, pa entuziazëm. Interi, që gjatë ndeshjes bëri gjëra shumë të bukura, mund të fitonte me goleadë ndaj Juventusit. Për skuadrën e Kontes është një fitore shumë e rëndësishme, e arritur me meritë. Është një nga ato fitore që të japin besim në vetvete, por duhet të kenë kujdes. Interi është një skuadër në ndërtim dhe duhet të bëjë më shumë”, – ka thënë Saki mes të tjerash.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë