Njerez

Saimir Pirgu – Imazhi i Shqipërisë dhe zëri politik i artistit 

Nga Suadela Balliu - Një gomë e djegur sa dyqind mijë shfaqje. Ishte ky ekuacioni i tenorit të njohur shqiptar Saimir Pirgu, që nxirrte më pas rezultanten e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, furnizuar nga ngjarjet në vend dhe përcjellë përmes mediave të huaja deri edhe në skenat e artit elitar. Pirgu, me një rrugëtim të suksesit që nisi prej Elbasanit për të prekur thuajse çdo skenë  teatër prestigjioz opere në katër anët e botës, është një nga ata shembuj që i bëjnë shqiptarët ( ata që janë brenda e ata të diasporës, ku tashmë bën pjesë edhe ai) jo pak krenarë se janë shqiptarë, ku talenti, puna  ngulmuese apo edhe ndonjë dozë fati e kapërcejnë meritën individuale për t’u veshur me pëlhurën kuqezi të flamurit dhe identitetit kombëtar.

Pjesëmarrës në Samitin e Dytë të Diasporës, që u zhvillua në Tiranë  për katër ditë, nga data 28 shkurt deri më  2 mars, ku edhe u nderua me trofeun “Shqiponja e Artë e Diasporës”, Saimir Pirgu, tingëlloi politik në deklaratat e tij për mediat, por sigurisht pa i ikur territorit të tij, artit, që për hir të së vërtetës së bashku me bukuritë natyrore janë dy ambasadorë që mundohen t’i veshin tjetër vel vendit që njihet rëndom si kultivuesi më  i madh i kanabisit apo  i mafies shqiptare, e cila po fiton  terren dhe reputacion si prej më të organizuara dhe të rrezikshmeve në Europë.

Pirgu duke marrë trofeun "Shqiponja e Artë" akorduar nga kryeminsitri Edi Rama, gjatë Samitit të Dytë të Diasporës.

Edhe pse i bindur se mediet e huaja prej mëse dy dekadash e teprojnë me portretizimin e Shqipërisë si të ishte një vend i mbetur në Mesjetë, Saimir Pirgu do të thoshte se ky imazh i keq,  është në fakt përgjegjësi e politikës. Duke iu drejtuar të gjitha kaheve politike – në përpjekje për ta mbajtur  artin mbi palët e për të mos tingëlluar si artist i angazhuar politikisht, ose  të paktën jo partiak – Pirgu do të lëshonte edhe deklaratën që nuk i shpëtoi kritikave, ku do të shprehej:  “Imazhi që i bëhet Shqipërisë është shumë,  shumë i rëndë. Dhe do të  më duhen 200 mijë shfaqje mua që të rikuperoj një gomë të djegur që ndodhte në Lushnje para 10 viteve dhe ndodh sot në Tiranë”.

Duke marrë rolin e heroit, që  e lufton të keqen me armët e tij (vokalin dhe  performancën elegante mbi skenë), dukej sikur Pirgu ishte i vetmi shqiptar, artist, me famë, të cilit i bie barra të përmirësojë imazhin e vendit, që i ngjitet si një etiketë produktit. Kështu tenori shqiptar, nxënës i tenorit të madh Luciano Pavarotti, do të përfshihej padashur – ose me vetëdije të plotë – në zhvillimet aktuale të politikës shqiptare, ku Opozita ka vendosur të braktisë ‘tempullin’ e demokracisë përfaqësuese, pasi sipas tyre e ka humbur funksionin dhe misionin e tij,  për t’iu bashkuar ‘demosit’ në protesta, jo më si përfaqësues të vullnetit, por si pjesë integrale e tyre.

Pirgu ndërsa bën me duar simbolin e shqiponjës dykrenore, në Samitin e Dytë të Diasporës, mbajtur në Tiranë nga 28 shkurt -2 mars, 2019.

Nuk ishin vetëm kritikët e zakonshëm të rrjeteve sociale që reaguan ndaj deklaratës së tenorit, por edhe artistë. Dirigjenti i  njohur, Bujar Llapaj, i cili prej vitesh jeton dhe zhvillon jetën artistike në  Kanada, si dirigjent i Orkestrës Simfonike West Coast (dhe shqiptar i diasporës)  në një tekst të postuar në faqen e tij të Facebook-ut, i drejtohet tenorit Saimir Pirgu rreth deklaratës së tij, duke i thënë: “Ti je qytetar i botës dhe me artin që bën i përket botës perëndimore dhe nuk ka pse të të vijë turp për një gomë të djegur se sipas kësaj logjike artistët francezë, apo vetë Dudameli do ishin mbuluar me perçe tanimë”.

Llapaj, më tej, i shkruan Pirgut nëse mësoi diçka më shumë rreth arsyes përse “ata shqiptarë “barbarë”, “shpellarë” (cilësime të kryeministrit  për qytetarët e vet) janë të revoltuar? A shkove tek sheshi i Teatrit Kombëtar kur prej më shumë se 13 muaj, ditë e natë, artistë me remone botërore, intelektualë të spikatur, qytetarë të përgjegjshëm, rrinë roje në mbrojtje të një Monumenti të Historisë të Shqipërisë: Teatrit Kombëtar! Dhe jo vetëm, por edhe të Demokracisë, Lirisë, Kushtetutës nga një ligj tejet korruptiv(e vërtetuar) i kryeministrit Rama dhe kryebashkiakut Veliaj”.

Llapaj, kritik ndaj qeverisjes Rama, e ka cilësuar  trofeun që kryeministri u akordon figurave të shquara shqiptare në diasporë, “Shqiponja e Artë” si një shqiponjë grabitqare. “Dhe për fat të keq, sipas meje, përfituesi dhe viktima e parë ishe ti i nderuar Saimir. Uroj të kesh jetë të gjatë dhe të arrish t’i bësh 200 mijë shfaqje, edhe 2 milion, por jo me merakun dhe brengën për të rregulluar imazhin e një gome të djegur, por me shpresën dhe besimin se e mira vjen duke luftuar të keqen të mbartur në shpirtrat e zinj.”Një tjetër reagim, që u bë menjëherë lajm në portalet shqiptare, ishte edhe ai i aktorit Neritan Liçaj, i cili prej mëse një viti është pjesë e atij grupimi artistësh që proteston kundër shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar.

“Mos u merakos për imazhin e Shqipërisë së gomës se djegur! Shqipërinë e katandisën në gomë të djegur...Këtë po ta thotë një artist që nuk ka famën tënde (krenar që ti e ke, vërtet), por një artist që  pavarësisht se nuk e ka atë çka ti ke, lufton për atë çka ti nuk ke kurajë ta shohësh; realitetin”. Liçaj, duke i ndarë artistët në dy lloje- ata që e shohin artin si nevojë të brendshme e të sinqertë dhe narcizët, i drejtohet tenorit: “Mos u bëj i dytë”. “Bashkëkombësit e tu,  ndër ta dhe unë, vuajnë vërtet, ndërsa ti merakosesh si do dukesh në  sytë e kolegeve të tu?! Si do te duket Shqipëria “jote”, që djeg goma?!”Pas kritikave, tenori ka vendosur të reagojë, duke zgjedhur kësaj here rrjetet sociale.

Përmes një postimi në Facebook, ai vendosi t’i përgjigjej një qytetari me emrin Lirim Nezha, i cili po ashtu i kishte shkruar një letër në rrjetet sociale tenorit, ku ndër të tjera i thotë “Po,  ne krenohemi me ju, me ty, me Invën, me Ermonelen, me Ermalin e me shumë e shumë emra të tjerë, që kanë bërë emër falë talentit të tyre. Dhe nuk presim prej jush ta anatemoni Atdheun vetëm e vetëm pse në një moment apo në shumë momente është duke reaguar”, i shkruan Nezha, ndërsa i kërkon llogari artistit nëse ka reaguar për fenomene si kanabizimi i vendit, korrupsioni i politikanëve apo blerja e votave.

Duke iu drejtuar Nezhës, si përgjigje për të gjithë kritikët, Pirgu shkruan “Veç për kujtesë: Kam reaguar atëherë kur gomat digjeshin në Lushnje nga PS dhe PD ishte në pushtet . Si atëherë, edhe tani e quaj të gabuar reagimin e disave me dhunë mu në mes të Europë, ( ndonëse juve nuk ju mbushet mendja prapë Europa na ka për pjesë e pjesë e saj jemi)”, shkruan tenori, i cili pas samitit të Diasporës udhëtoi në Tokio për kalendarin e tij artistik, ndërsa numëron edhe raste të tjera kur ka reaguar për fenomene, sipas tij të rënda dhe të dëmshme për imazhin e vendit.

“Kam reaguar atëherë kur kjo qeveri ekzistuese na donte të hapte në Shqipëri një central nuklear,  kur ne vetëm një Gërdec nuk kontrolluam dot e akoma viktimave nuk u ka dalë shpirti”.  Pirgu ka zbuluar se gjithashtu ka ngritur zërin për mungesën e veprimtarive me rastin e shenjtërimit të Nënë Terezës, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. “Kam reaguar për fëmijët me sindromë,  kur shoqëria jonë i mbante mbyllur nëpër dhoma si të sëmurë psikikë”, shkruan ai, duke kujtuar kohën kur u bë pjesë e një  koncerti në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit,  të ardhurat e të cilit shkuan në ndihmë të fëmijëve me Sindromën Down . Saimir Pirgu është ambasador për Fondacionin Down Syndrome Albania, prej vitit 2013.

 

“Kam që me Berishën, me Nanon e me Ramën së fundmi, e të tjerë si këta me kanë ftuar e dekoruar. Si thua mos e kanë bërë vallë se kam bordero me ta apo me kanë dhënë ndonjë cek siç mund t’i vejë mendja ndonjë mendjeshkurtri këtu poshtë? Mu përgjigj po mundet jo me sharje”, shkruan Pirgu, i cili nuk është rasti i parë dhe i vetëm i një artisti të angazhuar politikisht, edhe pse në këtë deklaratë të dytë ai përpiqet të sqarojë se nuk është zëri politik, por ai i qytetarit të shqetësuar për imazhin e vendit të tij.

 Ishin të shumtë artistët, emra të mëdhenj të muzikës apo kinematografisë amerikane që u rreshtuan kundër atëherë kandidatit Donald Trump, sot president i ShBA-së, po aq sa edhe e shprehën hapur simpatinë e tyre për presidentin Barack Obama dhe madje  e mbështetën hapur. “Për fat të mirë,  koha tregon se kush është gjithsecili, e bëni mirë të  tërhiqeni nga sharjet e ofendimet se unë nuk jam virtyt i politikave shqiptare,  por vetëm i punës sime “, përfundon Pirgu, ndërsa bëhet gati të veshë petkat e djaloshit Verter, në operan me të njëjtin titull,  në Lindjen e Largët.

Pirgu në Operan Carmen në Bangkok

Gjatë sezonit 2018-2019 Pirgu ka interpretuar Don Jose-në,  në operan “Carmen”, në Bangkok, Faustin në operan me të njëjtin titull në Operan e Australisë, Riccardo-n,  në “Një ballo me Maska”,  në Teatrin Regio të Parmës, “La Traviata” në Teatrin e  Champs-Elysées në Paris dhe “Madama Butterfly në  Teatrin San Carlo të Napolit,  “La Traviata” dhe “L'elisir d'amore” në Operan e Vjenës. Pas Verterit në Tokio, do t’i kthehet sërish Faustit në Konzerthaus të Vjenës dhe  Symphony Hall të Birmingamit, Dukës te “Rigoletto” në  Teatrin e  Champs-Elysées dhe në Philharmonie të Luksemburgut  dhe do të jetë në Torino për  “Meshë për Rekujem” të Verdit në dhe Rekujemin e Mozartit  me Orkestrën Simfonike të Çikagos, dirigjuar nga Riccardo Muti.

I lindur në Elbasan më 1981-shin, Saimir Pirgu e nisi rrugën e muzikës në moshë të hershme, ku kreu fillimisht shkollën e mesme për violinë. Në moshën 21 vjeçare  u diplomua nga Konservatori Claudio Monteverdi në Bolzano të Italisë. U njoh rastësisht me tenorin Luciano Pavarotti kur ishte ende student dhe ai e trajnoi për shumë nga rolet e tij më të rëndësishme, deri në fund të jetës së tij.

Në vitin 2000, në Bolzano të Italisë, Saimir Pirgu, një student muzike 18 vjeçar nga Shqipëria, trokiti në derën e Convitto Rainerum, një konvikt për studentët në fund të adoleshencës, që drejtohej nga Shoqëria e Shën Françekut të Sales-it. Në kërkim të  një pune dhe strehe, iu tha se ishte shumë i madh në moshë dhe shumë shqiptar. Kështu shkruante gazeta prestigjioze amerikane, “New York Times”, e cila më 2013-ën, pas rolit të Alfredos tek “La Traviata” në vitin kushtuar Verdit,  në Operan Metropolitan,  do t’i kushtonte tenorit shqiptar një artikull me titullin “Tenori nga Ana e Errët e Hënës”.

Pirgu në rolin e Alfredos tek “La Traviata” në Teatrin e  Champs-Elysées, në Paris

Megjithëse vendlindja e tij është vetëm 45 milje përgjatë Kanalit të Otrantos nga taka e çizmes së Italisë,  për shumë në Perëndim ai mund të jetë gjithaq  nga ana e errët e hënës, shkruante gazetari Matthew Gurewitsch, duke iu referuar vendit më të izoluar Pas Perdes së Hekurt. “Njerëzit më pyesin nëse jemi sllavë. Nuk jemi. Ne shqiptarët jemi një racë po aq e lashtë sa grekët dhe romakët. Njerëzit më pyesin nëse jam mysliman. Nuk jam. Shën Pjetri ka kaluar përmes Shqipërisë për të mbërritur në Romë. Kemi qenë krejtësisht katolikë. Jemi popull i vogël, vetëm tre milionë e gjysmë dhe kemi qenë nën Perandorinë Osmane për pesë shekuj, por kurrë nuk e humbëm gjuhën dhe traditat tona”, i përgjigjej gazetarit tenori shqiptar, ku përtej skenës përpiqej të ishte ambasadori i atij vendi me imazh të brishtë, gati për t’u rrënuar – si një kështjellë prej rëre – edhe nga ‘një gomë e djegur’, siç do të pretendonte vetëm pak ditë më parë ai. Por a e ndikon karrierën e Saimir Pirgut , fakti se vjen nga një vend ende i trazuar dhe në tranzicion delikat si Shqipëria?  A do t’i duhet që jashtë skenës t’u shpjegojë të huajve atë Shqipërinë,  me kulturë të lashtë sa grekët dhe romakë?


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë