Ngjarje

“Tahiri”, luhet akti final! Prokuroria kërkon 12 vite burg, por e paqartë para gjykatës

Prokuroria për Krimet e Rënda ka dhënë pretencën duke kërkuar 12 vite burg për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri dhe ish-drejtorin e Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, të cilët akuzohen për trafik lëndësh narkotike në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, favorizim dhe mbrojtje të grupit të strukturuar kriminal dhe shpërdorim detyre. Gjykata do të vendosë më 19 shtator për fatin e Saimir Tahirit.

Në seancën që ka nisur që prej orë 09:00 të paraditës së të martës, prokuroria ka marrë si të mirëqëna dhe prova të gjitha të dhënat që janë bërë publike prej kohësh në media mbi dosjen në ngarkim të ish-ministrit të Brendshëm. Mes këtyre janë pika më e fortë e organit të akuzës, si përgjimet ambientale të palës italiane, makina Audi, por edhe udhëtimi i Saimir Tahirit me makinën që ua kishte shitur Habilajve, por edhe udhëtimin familjar të tij për pushime në Greqi me skafin me të cilin Moisi Habilaj kishte udhëtuar drejt Italisë si kapiten i mjetit.

Prokuroria ka përfshirë në dosjen voluminoze të provave të saj edhe përgjimet e grupit të Taulant Haxhirajt, të arrestuar dhe dënuar për kultivim kanabisi. Në një prej këtyre përgjimeve, Haxhiraj i komunikon një prej pjesëtarëve të grupit të tij se “nëse do të kultivohet hashash, ajo duhet bërë me shtet”, duke nënkuptuar vendosjen e lidhjeve me drejtuesit e Policisë së Vlorës.

Organi i akuzës dyshon se lidhja është vendosur me Jaeld Çelën dhe emra të tjerë të zinxhirit drejtues të Policisë së Vlorës në atë kohë, që prokuroria thotë se u kanë garantuar paprekshmërinë në këmbim të 30 përqindëshit të drogës së kultivuar dhe garancisë për transportin e saj në drejtim të Italisë.

Prokuroria ka përforcuar pretendimet e saj me disa dëshmi të oficerëve të policisë së Vlorës dhe Sarandës në lidhje me udhëtimet e Saimir Tahirit dhe Moisi Habilajt me mjetin lundrues dhe me makinën Audi. Të gjitha këto, sipas tre prokurorëve të çështjes, çojnë në bindjen se mes Saimir Tahirit dhe grupit të Habilajve kishte një lidhje të fortë familjare.

Tahiri doli rreth orës 16:00 nga seanca maratonë dhe hodhi edhe njëherë poshtë akuzat e prokurorisë. “Drejtësia ka mundësi të flasë shumë më fort sesa gënjeshtrat që janë hedhur sot në publik. Është thuajse e pamundur që të vërtetën time ta ccoj të vërtetën time tek publiku në krahasim me të gënjeshtrat që kanë qarkulluar në këto dy vite”, tha ai.

Ish-ministri i Brendshëm u mbrojt vetë gjatë seancës, duke mos ja lënë në dorë avokatit të tij, Maks Haxhia. Tahiri ka hedhur poshtë pretendimet e prokurorisë, që sipas tij, e akuzojnë atë edhe për trafikun e drogës në vitet 2013, 2014 dhe 2015 të grupit të Habilajve. Ai mohoi edhe akuzën se kishte siguruar mbrojtje dhe paprekshmëri Habilajve, duke cituar disa dokumentacione sipas të cilave policia kishte referuar në prokurori për ndjekje penale Moisi dhe Florian Habilajn për “kanosje” dhe “pengmarrje” gjatë kohës që ishte ministër i Brendshëm. “Si mund t’i referonte policia për ndjekje penale, në kohën që unë si titullar politik i saj i mbroja këta shtetas?!”, ngriti pyetjen e tij, ish-ministri i Brendshëm.

Tahiri ka marrë një nga një provat e Prokurorisë, duke u munduar që t’i rrëzojë ato. Prokuroria përmendi përgjimin ku Moisi Habilaj flet me trafikantë të tjerë dhe përmend fjalët “Shefi i madh”, madje në bisedë thuhet edhe se ishin në drekë me “Shefin e madh”. Sipas prokurorisë, “Shefi i madh” është Saimir Tahiri. Saimir Tahiri tha se në kohën që prokuroria pretendon se ka ngrënë drekën në fjalë, ai nuk ndodhej fare në Shqipëri.

“Unë ndodhesha në Bruksel me Klajda Gjoshën, Nasip Naçon dhe kam dalë në konferencë me komisionerin për Zgjedhim. Nuk ka si të isha edhe në konferencë, edhe në drekë”, tha ai.

Një tjetër akuzë e prokurorisë ishte ajo ku thuhej se Saimir Tahiri ishte aq i lidhur me vëllezërit Habilaj, sa njërin prej tyre e ka pritur në zyrë. Ish-ministri e hodhi poshtë edhe këtë akuzë. “Në atë ditë unë kam qenë në zyrë me Adriatik Llallën, Visho Ajazin dhe ministrin e Drejtësisë, Nasip Naço, pasi atë ditë ishin arratisur 7 persona nga Burgu i Drenovës”, u mbroj ai.

Tahiri hodhi poshtë edhe lidhjen me Jaeld Ccelën. Ai tha se në periudhën që flet prokuroria, Ccela nuk ka qenë më drejtër i Policisë së Vlorës. Ish-ministri tha se organi i akuzës nuk ka asnjë provë konkrete kundër tij dhe se gjithccka e bazon mbi informacione të shtrembëruara mediatike dhe akuza të politikës.

Gjatë seancës doli në pah edhe një mosmarrëveshje dhe mungesë koordinimi mes prokurorëve të çështjes, në momentin kur njëri prej gjyqtarëve të trupës gjykuese kërkoi nga organi i akuzës saktësimin se për çfarë episodesh akuzohej ish-ministri i Brendshëm. Njëri prej prokurorëve foli për katër episode, ndërsa prokurori Vladimir Mara përmendi edhe bllokimin e katër tonëve drogë në fshatin Babicë të Vlorës në tetor të 2017. Por, për këtë sasi droge është arrestuar dhe është në gjykim shtetasi Armand Koçeli.

Ky është akti i fundit i sagës së hetimeve dhe gjyqit ndaj ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, në përfundim të të cilit mbetet për t’u parë nëse prokuroria do të arrijë që të bindë trupën gjyqësore me prova për dënimin e tij. Ajo që duhet thënë, është se deri më tani ish-ministri i Brendshëm ja ka dalë mbanë që të fitojë të gjitha betejet me organin e akuzës. Prokuroria kërkoi arrest me burg si masë sigurie, por Tahiri ja doli mbanë që të merrte një masë më të lehtë, atë të “arrestit shtëpiak”, masë që më vonë u hoq. Tahiri fitoi edhe të drejtën e gjykimit të shkurtuar, por pa njohur fajësinë.

Në shkurt, prokuroria kërkoi shtyrjen për herë të gjashtë të afateve të hetimeve, por gjykata i dha disa ditë afat që të mbyllte dosjen dhe ta dërgonte atë për gjykim, ose të pushonte hetimet.

Këto janë betejet dhe vendimet e ndërmjetme të përballjes mes Saimir Tahirit dhe prokurorisë. Tani beteja ka mbërritur në aktin final, atë më të rëndësishmin. Nëse Saimir Tahiri do të dënohet sipas kërkesës së prokurorisë, pra atë me 12 vite burg, atëherë ai do të dënohej me 8 vite burgim, duke përfituar nga vendimi që i njeh gjykimin e shkurtuar, që i ul dënimin me një të tretën.

Zvarritja e hetimeve

Nga momenti i marrjes së Saimir Tahirit si të pandehur e deri në mbylljen e hetimeve dhe dorëzimin e dosjes për gjykim në Gjykatën për Krimet e Rënda, Prokurorisë iu desh që të shtynte plot pesë herë afatin e hetimeve.

Kjo detyroi gjykatën që t’i linte afat deri më 12 mars të këtij viti, në të kundër dosja duhej pushuar. Afati i vendosur nga gjykata detyroi organinin e akuzës që të mbyllte dosjen dhe ta dorëzonte atë për gjykim edhe nën “presionin” e Saimir Tahirit.

“Gjithçka që po ndodh e ka kapërcyer çdo limit të kohës kur mund të bëhet një hetim. Një gjendje e tillë mjegullnaje nuk mund të vijojë më. Hetimet janë zgjatur pesë herë, ka kaluar çdo afat i arsyeshëm, zgjedhja duhet të marrë zgjidhje në një mënyrë apo tjetër. Drejtësia e vonuar nuk është më drejtësi, e nëse kjo ndodh me mua, imagjinoni se çfarë ndodh me të tjerët, që përplasen para gjykatave”, deklaronte në fillim të shkurtit ish-ministri i Brendshëm.

Pikëpyetjet e dosjes “Tahiri”

Gjatë akuzave publike të opozitës dhe më vonë pas marrjes zyrtarisht si i pandehur, Saimir Tahiri ka dalë disa herë para mediave, duke mos pranuar asnjëherë fajësinë, madje duke folur shpesh për një proces politik të ngritur ndaj tij dhe me prokurorë të komanduar.

Por, pa sqaruar nga ana e ish-ministrit mbeten ende përgjimet e italianëve. Pjesë e kësaj dosje është një përgjim i datës 16 dhjetor të vitit 2013 i një bisede mes Moisi Habilajt dhe Sabaudin Çelajt, kur ata sipas vlerësimit të prokurorëve dhe gjykatësve italianë, përmendin ministrin e Brendshëm të asaj kohe, Saimir Tahiri. Hetuesit italianë bëjnë një përmbledhje të kësaj bisede.

“Të dy flasin për një person me pushtet me emrin “Saimir Tahiri” (deputet i Shqipërisë) njeri i politikës. Moisiu thotë: Çfarë ka më shumë se ne ai? Por Sabi (Sabaudini) i përgjigjet duke i thënë që Saimiri ka vetëm emrin (në kuptimin e famës, pozitës), por nuk beson që ka më shumë para se ata. Moisiu bën llogaritë sipas të cilave Saimiri në një muaj ka bërë minimumi 5 milionë euro. Sabi i thotë që të gjitha ato para ai i harxhon në fushatën elektorale. Por Moisiu i thotë që atij nuk i mjaftojnë as 20 milionë në një fushatë elektorale”, thonë hetuesit italianë.

Në përgjimin tjetër të datës 2 mars të vitit 2014 mes Habilajt dhe Çelajt përmendet automjeti me targë AA003GB, me të cilin të dy personat kanë udhëtuar drejt Siçilisë. Kjo makinë ishte në emër të Saimir Tahirit.

Si përfundim, për italianët nuk ka asnjë dilemë se Saimir Tahiri nuk ka kryer asnjë shkelje të ligjeve të tyre, por për dosjen e Krimeve të Rënda në Tiranë, përfundimi i italianëve ka pak rëndësi dhe nuk shuan paqartësitë dhe gjithë pyetjet që ngrihen në këtë dosje.

Lënia e mandatit dhe akuzat ndaj politikës

Në maj të 2018, Saimir Tahiri dorëzon zyrtarisht mandatin e deputetit të marrë në zgjedhjet e qershorit të 2017. Ai u zëvendësua nga Spartak Braho. “Kam patur dilema në fillim, por për sa kohë që aty qëndron Sali Berisha, pse të mos shkoj dhe unë”, deklaronte ai në atë kohë.

Berisha vetë e cilësonte Saimir Tahirin “Kurban” të Edi Ramës, ndërsa ish-ministri i Brendshëm shpërthente herë pas here me akuza për një proces politik ndaj tij dhe akuzonte prokurorët si të komanduar politikisht, por pa përcaktuar se nga cili krah.

Në nëntor të vitit të kaluar, Saimir Tahiri doli në një konference për mediat, që e kishte shtyrë për shkak se në ditën e parashikuar u dorëhoq papritur pasaardhësi i tij, Fatmir Xhafaj. Shumë e lidhën dorëheqjen e Xhafajt me paralajmërimin e Tahirit se do të “publikonte dokumente të rëndësishme”. Por, në konferencën në fjalë dokumenti i publikuar nga Saimir Tahiri nuk kishte lidhje me Fatmir Xhafajn, por me pushimin e hetimeve ndaj tij nga antimafia italiane në Katania.

Këtu, ish-ministri shpërtheu ndaj opozitës, e cila vazhdimisht kishte akuzuar Edi Ramën se po mbronte Saimir Tahirin, pavarësisht se ai po hetohej nga drejtësia italiane.

“Lulzim Basha kërkonte arrestimin tim, sepse Saimir Tahiri është marrë me trafik droge e këtë nuk e thotë opozita, por Antimafia Italiane. Monika Kryemadhi e me ç’ka tjetër, bënin të njëjtën gjë. E jo vetëm këta. Por një orkestër e tërë që ndanin interesa politike e jo vetëm, u bënë bashkë ca të nënës e ca të njerkës, bilbila e kopila, se Saimir Tahiri duhej në burg, se nuk e thonin këta, por Antimafia Italian”, theksoi Tahiri.

Akuzat ndaj Prokurorisë: Proces i turpshëm

Saimir Tahiri iu komunikuan akuzat në fund të muajit shkurt. Prokurori për Krimet e Rënda e akuzon për “Trafikim të lëndëve narkotike” në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”.

Pas daljes nga gjykata, në një komunikim me gazetarët, Tahiri ironizoi se pas Aldo Bares ndoshta është i dyti me këtë akuzë. Ndonëse tha se do respektojë drejtësinë, ish-ministri tha se kjo pritej duke e cilësuar proces të turpshëm, politik e të komanduar.

“Akuza ishte më e rëndë se kaq, ishte trafik droge, krijim i grupit të strukturuar kriminal, vepra panel. Mendoj se pas Aldo Bares ndoshta jam i dyti me këtë akuzë. Nuk ka ndonjë surprizë të madhe. Prokuroria e komanduar siç e nisi e bitisi këtë histori. Pavarësisht nxitjes që kam nga brenda, nuk dua të merrem. Dua të respektoj drejtësinë. Do vazhdoj t’i shkoj drejtësisë deri në fund edhe duke besuar”, shprehet ish-ministri.

Tahiri nuk pranoi të sqaronte nga komandohej prokuroria në akuzat e ngritura ndaj tij, por tha se politika, krimi dhe drejtësia janë aq bashkë sa ç’është dhe Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë.

“Kjo historia ime lindi si një proces politik dhe kur them i komanduar kam parasysh politikën, krimin dhe drejtësinë që janë aq bashkë sa ç’është dhe ati, biri dhe shpirti i shenjtë. Nuk janë ndarë ende dhe unë po e shoh”, vijoi më tej ish-ministri Tahiri.

Në fund, ai tha se në gjithë këtë proces të turpshëm i intereson vetëm e vërteta.

“Nuk më frikëson asgjë veç të vërtetës. Nuk më intereson se ç’bën prokuroria. Më intereson vetëm e vërteta. Di që ky është një proces i turpshëm, politik nga fillimi deri në fund, i komanduar, unë jam mësuar me vështirësi dhe besoj se do ia dal”, tha ndër të tjera ish-ministri Tahiri.

Kush janë të pandehurit

Saimir Tahiri, 39 vjeç, ish-ministër i Brendshëm, politikan. I diplomuar si jurist dhe i përfaqësuar në historinë penale nga kreu i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Maksim Haxhia, ai ishte një vizitorët më të shpeshtë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Ai u mor i pandehur dhe iu komunikua akuza më tepër se një vit e pesë muaj nga dita kur iu regjistrua emri në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe përkatësisht më 28 janar 2019.

Jaeld Çela, 42 vjeç, nga Çorovoda, ish-drejtor i Policisë së Vlorës. I shpallur në kërkim, ai mbahet si një nga oficerët më të mirë të hetimit të Krimeve të Rënda gjatë kohës që ishte agjent në Drejtorinë e Policisë së Shtetit. U katapultua si zyrtar policie gjatë kohës që Policinë e Shtetit e drejtonte Haki Çako dhe mori drejtimin e Policisë së Vlorës gjatë kohës që ky qytet ishte dhe vazhdon të jetë një nga qytetet më të vështira për zbardhjen e ngjarjeve kriminale.

Sokol Bode, 39 vjeç, lindur dhe banues në Berat. Mbante detyrën si shef i Postës së Dhërmiut dhe ishte i panjohur për publikun deri ditën kur u shpërnda fotoja nën shoqërinë e dy vëllezërve Habilaj. Ai u vendos nën hetim më 15 nëntor 2017, pak kohë pas arrestimit të Habilajve në Itali për shkak të detyrës së tij që mbante në Dhërmi, nga vendi ku në 2015-ën është nisur peshkarexha Fatima e ngarkuar me 880 kilogramë kanabis.

Gjergji Kohila, 38 vjeç, ish-shef kundër krimit të organizuar në Policinë e Vlorës. Ai është nga Delvina dhe jeton në Tiranë, megjithëse prej më shumë se një viti askush nuk e di se ku gjendet shefi i policisë, edhe ai i kërkuar bashkë me dy ish-zyrtarët e tjerë. Për tre ish-zyrtarët e Policisë, Interpol Tirana njoftoi gjykatën në datën 20 mars 2019 se “deri tani Interpol Tirana nuk disponon informacion dhe nuk është njoftuar nga asnjë zyrë homologe lidhur me lokalizimin e këtyre tre të pandehurve jashtë vendit”. Edhe Komisariati numër 2, numër 3, por edhe Policia e Beratit kanë njoftuar mosgjetjen e të kërkuarve.

Të katër të pandehurit, me në krye ish-ministrin e Brendshëm akuzohen për trafikim të narkotikëve në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, grup i strukturuar kriminal dhe kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal.

Në fillim Prokuroria thotë se hetimi ka nisur më 8 korrik 2016, pasi kishte informacione se ish-shefi i policisë, Kohila së bashku me një polic tjetër, Renato Avdylin dhe nga ana tjetër Moisi Habilaj e të tjerë vepronin si grup kriminal për kultivimin e drogës. Kjo dosje mban numrin 134. 10 muaj më vonë, Prokuroria çel edhe një dosje të dytë për Vlorën me numër 164 kur sërish gjenden emrat e vëllezërve Habilaj, por edhe i atij që mori nofkën si financier, Nezar Seiti. Ata dyshoheshin se ishin pronarë të një gomoneje që e kishin fshehur në fshatin Hoxharë të Fierit dhe nga informacionet grupi po bëhej gati të trafikonte drogë drejt Siçilisë.

 

Më Shumë